#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Oerd Bylykbashi, Preç Zogaj, Marsela Karapanço, Glidona Daci, Andi Tela
Duket se të paktën ka marrë fund odisea e çështjes së vulës në Partinë Demokratike. Sot Gjykata e Apelit vendosi të kthejë mbrapsht vendimin duke lënë në fuqi vendimin e parë. Vula e Partisë Demokratike i takon grupit të Rithemelimit që drejtohet nga Sali Berisha. Zyrtarisht, Sali Berisha është kryetar i Partisë Demokratike në bazë të vendimeve të kuvendit të 11 dhjetorit. Ka pasur një entuziazëm sot në selinë e PD dhe në rrugën përpara godinës ku është në arrest shtëpie kryetari Sali Berisha. Ky vendim duhet të jetë me gjasë përfundimtari për zgjedhjet e ardhshme. Partia Demokratike me logon dhe me siglën e saj, të dyja të aprovuara në kongresin e 11 dhjetorit do të përfaqësohet. Çfarë do të ndodhë me këtë vendim? Çfarë do të sjellë ai në politikën shqiptare? Çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër që deri më tani ka mbështetur Lulzim Bashën, nisur kryesisht nga ata që e mbështesnin në emër të logos së Partisë Demokratike? A do të shkojë ky grupim i tërhequr drejt formimit të një strukture të re apo do të pranojë vendimin e gjykatës?
Bylykbashi për vendimin e “Apelit”: Basha dhe Alibeaj ilegalë, nuk mund të përdorin më PD-në
“Gjykata vendosi, vulën e PD-së e ka Sali Berisha”, është kjo tema në të cilën është fokusuar mbrëmjen e sotme emisioni “Opinion” në Tv Klan. I ftuar në studio, nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi është shprehur se vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm dhe njeh Kuvendin e Jashtëzakonshëm të datës 11 Dhjetor 2021. Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi është shprheur se Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj nuk mund të përdorin më emrin e PD-së.
Oerd Bylykbashi: Vendimi i sotëm njeh Kuvendin e Jashtazakonshëm të PD-së të datë 11 Dhjetor 2021 me të gjitha vendimet e tij. Basha ka deklaruar se do të pranojë vendimin dhe nuk do të ketë ankimim. Unë uroj që për të mirën e demokratëve nuk e vazhdon këtë sagë, që ai është autor prej 2 vitesh e gjysëm.
Blendi Fevziu: Ju keni pasur një vendim të Shkallës së Parë që njihte Kuvendin e 11 Dhjetorit, por nuk regjistrohej në gjykatë. Tani çfarë garancish kemi që do të regjistrohet?
Oerd Bylykbashi: Ishte gjëja më normale që ai vendim të regjistrohej siç ka qenë praktika më herët, vendosën të mos e bënin këtë gjë. Ky është vendim i formës së prerë, është i ekzekutueshëm. Nga sot regjistrohet PD. Njihet Komisioni i Rithemelimit. Më pas ka akte të tjera, siç është zgjedhja e Sali Berishës dhe të gjitha këto regjistrohen në gjykatë. Të gjitha janë akte që depozitohen për t’u regjistruar. Përsa kohë që të gjithë pranojmë që PD është kjo, këto janë procese të thjeshta. Gjykata mblidhet pa palë dhe shqyrton, dhe regjistrohen me radhë të gjitha aktet që vijojnë.
Blendi Fevziu: Domethënë Basha me Alibeaj janë ilegalë tani? Ata nuk mund të përdorin më emrin PD-ja dhe as logot?
Oerd Bylykbashi: Ata nuk mund të përdorin më PD-në. PD me vulë dhe PD pa vulë nuk qëndron bashkë. Sot janë bashkë si simbolet, ashtu edhe organet. Lulzim Basha dhe pak vetë, këtë përpjekje për ta çarë e bënë dhe 2 vite e gjysëm ata janë autorët e kësaj situate që nga 11 Dhjetori. 3 vjet qëkur filloi një lëvizje politike e paprecedentë.
Vula i kaloi Berishës/ Preç Zogaj: Basha dhe njerëzit e tij nuk kanë qenë aktiv që ta meritonin
Vendimi i Gjykatës së Apelit që i kaloi vulën e Partisë Demokratike grupimit të Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha, analisti Preç Zogaj e konsideron deri diku të pritshëm.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Zogaj u shpreh se grupimi i Lulzim Bashës nuk ka qenë aktiv dhe nuk e merituar logon e PD-së.
Me vendimin e Apelit, sipas Preç Zogajt, Sali Berisha tashmë do të ketë përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të PD-së në vitin 2025.
“Ata ishin më aktivë, kishin më shumë njerëz. Kam konstatuar që Basha dhe njerëzit që ka përqark nuk është se e kanë shërbyer për ta merituar logon, nuk kanë qenë aktiv, kanë ndjekur strategjinë e asimetrisë. Asimetria që zgjodhi Basha ka mundësuar që protagonizmin ta ketë gjithmonë Berisha. Betejat duhen fituar aty ku zhvillohet, në terren, nuk vjen asgjë si peshqesh. Një lloj pritshmërie kam pasur që logoja mund t’i kalonte. Merr fund një odise e gjatë. Ky është një vendim që praktikisht publiku priste një gjykim me themel. Nuk ka arsye të këndosh ndonjë fitore të madhe se thjesht kanë penguar një palë që është pjesë e Partisë Demokratike. Ky vendim ja kalon Sali Berishës, e ligjëron një gjë që de facto kështu është, por i kalon përgjegjësinë e rezultatit të zgjedhjeve 2025. Deri tani mungesa e logos ka shërbyer si justifikim për 2-3 humbje që ka pësuar vetë Sali Berisha. Tani i kalon përgjegjësia”, u shpreh Preç Zogaj.
“Bie celulari, Basha kërkon sugjerim pas vendimit të Apelit”/ Zogaj i përgjigjet situatës hipotetike në “Opinion”
Një telefonatë nga Lulzim Basha për analistin Preç Zogaj, ka qenë kjo situata e krijuar hipotetikisht në studion e “Opinion” në Tv Klan lidhur me sugjerimin politik pas vendimit të Gjykatës së Apelit në lidhje me vulën e PD-së. I ftuar në emision, Preç Zogaj ka thënë se Lulzim Basha duhet të shqyrtojë të gjitha mundësitë dhe skenaret për bashkim.
Blendi Fevziu: Nëse Lulzim Basha do të telefononte dhe do të thoshte, Preç çfarë sugjerimi më jep pas këtij vendimi?
Preç Zogaj: Sugjerimi im në kushtet që janë krijuar është që ai duhet të shqyrtojë projektin e PD-së të bashkimit në federatë në diversitet që kanë ata. Ata nuk kanë strukturë politike për momentin. Ata duhet të shikojnë a e përmban teza e bashkimit në diversitet që kanë krijuar ndarjen. Ndarjen e kanë krijuar disa arsye dhe njëra nga arsyet është shpallja “non grata” e Sali Berishës. Vija tjetër ka qenë qëndrimi ndaj drejtësisë dhe ky është një grup që mbështet SPAK dhe drejtësinë e re, gjë që nuk ndodh në grupin tjetër dhe kjo është një çështje parimore. Unë nuk flas se çdokush bën zgjedhjen e vet. Duhet parë dhe studiuar. Detyrën dhe misionin e bashkimit e ka grupi i madh.
Blendi Fevziu: Të mori Luli dhe të tha se çfarë të bëj Preç?
Preç Zogaj: Duhen shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe skenaret për bashkim. Thënë këtë, se edhe bashkimi mekanik apo jo mekanik, vështirë se prodhon fitoren. Grupi më i madh i votuesve janë me asnjërën palë. Edhe sikur ata të bashkohen, prapë nuk jemi afër fitores.
Blendi Fevziu: Kush duhet ta marrë këtë, Basha apo Berisha?
Preç Zogaj: Objektivi, palët kundër qeverisë, them unë meqenëse e mori Rithmeelimi këtë kënaqësi, unë kam bindjen se PD e bashkuar mund të shkojë në pushtet nëse Berisha tërhiqet dhe krijon kandidatë për një frymë të re.
/tvklan.al