Të ftuar:

Sandër Lleshi – Ministër i Brendshëm

Fatos Hakorja – Gazetar

Mirela Milori – Gazetare

Gjeneral Sandër Lleshi tha se propozimin për të marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm e kishte marrë nga Kryeministri Edi Rama 8 orë para se ai ta bënte publik vendimin.

Në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, Lleshi tha se ky propozim kishte qenë krejt i papritur, por shtoi se ishte i parefuzueshëm.

“Propozimi ishte absolutisht krejt i papritur, e kam marrë vesh besoj rreth 8 orë para jush. Nuk kam pasur kurrë ambicie politike, po të kisha pasur do t’i isha bashkuar ndonjë formacioni politik. Propozimi i kryeministrit Rama erdhi krejt i papritur, me të punoj prej 5 vitesh si këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Propozimi nuk mund të kundërshtohej për faktin se vinte nga Edi Rama dhe për faktin se jam ushtarak dhe jam mësuar që sfidave të mos u iki”, tha Lleshi në intervistën e tij të parë televizive pas propozimit për postin e rëndësishëm.

Në një lëvizje të papritur mëngjesin e së shtunës, Kryeministri Edi Rama njoftoi dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Me një koment në Twitter, kreu i qeverisë konfirmoi se e pranoi dorëheqjen e ministrit, të cilin e falenderon për kontributin e çmuar. Në vend të Xhafajt, Rama ka emëruar gjeneral Sandër Lleshin, emrin e të cilit ia ka dërguar menjëherë për dekretim Presidentit të Republikës.

Në intervistën e tij të parë televizive pas propozimit nga Kryeministri Edi Rama për postin e Ministrit të Brendshëm, gjeneral Sandër Lleshi u pyet edhe për paraardhësit e tij, Fatmir Xhafajn dhe Saimir Tahirin.

Lleshi tha se nuk ishte përgatitur për këtë pyetje, por shtoi se kishte mendime pozitive për të dy paraardhësit e tij.

“Nuk isha përgatitur që të më pyesnit se nuk e konsideroj shumë të përshtatshme që të shprehem, në përgjithësi për njerëzit nuk shprehem, sidomos në publik. Kam mendim pozitiv për të dy. Di që zoti Xhafaj e mori në një situatë të komplikuar dhe ka zhvilluar veprimtarinë e tij në kushte të ndërlikuara. Ka bërë maksimumin e tij, ka arritur rezultate. Kam konsideratë pozitive për të. Për zotin Tahiri e di që ka punuar me dinamizëm dhe aksion të madh. Kursej çdo koment tjetër vetëm për faktin që është në një çështje me gjyqësinë dhe nuk më shkon mua të jap opinione, as pozitive, negative s’kam, por gjithsesi”, tha Lleshi.

Ministri i ri i Brendshëm, Sandër Lleshi, tha mbrëmjen e të hënës në “Opinion” se Kryeministri Edi Rama i ka dhënë autoritet dhe besim të plotë për të kryer detyrën dhe në rast dështimi, ai do të jetë dështim i tiji personal, jo i kryeministrit.

“Shqipëria nuk do të mposhtet nga e keqja. E keqja nuk është aq e madhe sa të na mposhtë. Di që kryeministri i Shqipërisë është i angazhuar plotësisht. Nëse dështoj, dështimi do të jetë i imi, jo i kryeministrit.”

“Kryeministri më ka dhënë autoritet dhe besim të pakushtëzuar për të kryer detyrën. Nuk kam asnjë kufizim për ta bërë punën siç di dhe siç duhet. Nëse do të kem sukses, suksesi do të jetë i një ekipi të madh, nëse dështoj, dështimi do të jetë i imi”, tha Lleshi.

Ministri i ri i Brendshëm, Sandër Lleshi, tha se paraqitjet e tij publike do të jenë të pakta pasi të zyrtarizohet në postin e lartë shtetëror, ndërsa në krahun tjetër theksoi se vetë atë do të mund ta shikojmë në fytyrat e policëve.

“Policia do të duhet të luftojë kundër shkelësve, që janë pakica, ndërsa shumica duhet të jetë me policinë. Ndërsa sa i përket këtyre policëve që bashkëpunojnë me krimin, do ju them kaq, kur të mos më shikoni mua shpesh, do të më shikoni tek fytyra e policëve. Si të jenë ata jam unë. Në qoftë se do t’i shikoni policët me krimin, dijeni që jam unë me krimin, në qoftë se do t’i shikoni policët të dehur, dijeni që po pi unë. Në qoftë se i shikoni policët të pasjellshëm, ta dini që po sillem unë keq. Pra, ata do të jenë fytyra jonë. Ata do të dalin më shumë në TV, në media, dhe do të na përfaqësojnë ne. Polici ushtari, janë fytyra e kombit, janë fytyra e Republikës. Ata i veshin simbolet.”

Në vazhdim, ministri ende i padekretuar në detyrë, kërkoi nga të gjithë që fillimisht t’u japim policëve një bonos besimi.

“Duhet tu japim një bonos besimi edhe ne atyre, jo vetëm ti fusim në qoshe dhe t’i bombardojmë si djallin. Policia e ka sfidën për ta fituar besimin e qytetarëve.”

***********************************************

Vrasja qe acaroi Shqiperine dhe Greqine!

***********************************************

Kopshti zoologjik nga “ferri” ne Fier!