I ftuar këtë të Hënë në “Opinion” në Tv Klan, gazetari Fatos Hakorja foli për shkallën e korrupsionit në vend dhe se sa po e lufton drejtësia e re këtë fenomen. Ai u shpreh se ndryshe nga vite më parë, drejtësia po pastron vetveten.


“Listë e gjatë është realiteti i ri. Ajo që dijmë ne, e kemi patur në 33 vite post-komunizëm pyllin e korrupsionit te dera, në administratë dhe kemi patur një armatë prokurorësh të cilët e kanë luftuar korrupsionin. Sot e kemi pyllin e korrupsionit po njësoj, ose në përmasa më të mëdha ose të vogla, ngelet për ta diskutuar. Por kemi një armatë gjuetarësh të stërvitur, të trajnuar, të pavarur, të mbrojtur, jo të sulmuar politikisht të cilët në këtë pyll po gjuajnë lirshëm për derra. Nëse më parë kemi pasur një armatë që ishte vetë e korruptuar, për këtë arsye u bë reforma në drejtësi…Sot kemi një drejtësi e cila po e pastron vetveten dhe kjo drejtësi do e luftojë korrupsionin kur e sheh në oborrin e shtëpisë së saj apo në pyllin përballë shtëpisë së vet. Pra ky është realiteti i ri që po shohim.”

Hakorja theksoi se qeveria është distancuar nga personat e kapur e nga ana tjetër SPAK po “hyn zyrë më zyrë”.

Ai preku dhe një pikë të rëndësishme sa i takon bashkëpunimit të munguar nga institucionet për Strukturën Anti-Korrupsion.

“Në asnjë nga këto raste nuk është denoncuar nga administrata, as nga mekanizmat që funksionojnë në administratën shtetërore, nga Zyra e AntiKorrupsionit. KLSH është i vetmi institucion që vijon referon. SPAK nuk ka asnjë denoncim nga doganat, nga tatimet për korrupsion dhe kjo është e frikshme.”

Sipas gazetarit, një risi që ka sjellë SPAK është përgjimi i zyrtarëve të lartë apo zbërthimi i skemave të korrupsionit./tvklan.al