Të ftuar: Besnik Jakaj, Arian Mezini, Diola Dosti, Albert Dervishaj dhe Ola Bruko.
Fevziu sërish apel qytetarëve: Limitoni socializimin
Gazetari Blendi Fevziu ka lëshuar një tjetër apel ndaj qytetarëve në lidhje me situatën e koronavirusit.
Ai u bëri thirrje njerëzve që të limitojnë atë që quhet socializim. Sipas moderatorit të emisionit “Opinion” vetëm izolimi ka treguar rezultat përballë koronavirusit.
“Edhe njëherë një apel, e di që duket i bezdishëm. Vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria, jemi në këtë pikë ku jemi, ku vende me fuqi më të madhe, janë duke u kolapsuar nga një virus i cili për momentin është i panjohur për mjekësinë. Në këto kushte E vetmja zgjidhje është të qëndroni distantë nga njëri-tjetri, të mundohuni të rrini sa më larg njëri-tjetrit. Limitoni maksimalisht atë që quhet socializimin. Vetëm me izolim mund të arrihet ndonjë lloj rezultati”, tha Fevziu.
Këtë të mërkurë u shënua viktima e parë e koronavirusit në vendin tonë. Ajo është një e moshuar 73-vjeçare, e cila humbi jetën në spitalin e Durrësit.
Drejtori i urgjencës tregon pse nuk u përgjigjen të gjitha telefonatave
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, gjatë një lidhje live në studion “Opinion” tregoi se janë bërë mbi 10 mijë telefonata këtë të mërkurë drejt urgjencës, por që u janë përgjigjur vetëm 3456 rasteve të tilla.
Brataj tregoi si funksionon sistemi dhe u bëri thirrje qytetarëve që marrin në telefon të qëndrojnë në linjë nëse numri del i zënë. Ai u shpreh se telefoni do të hapet me disa sekonda ose minuta vonesë për shkak të fluksit.
“Dje ishin 3600 telefona sot deri në orën 21:00 janë 3456, nga të cilat 1732 janë vetëm për koronavirus. Më lejoni të shpjegoj një gjë. Po t’i shohësh si telefonata sot janë deri në orën 21:00, 10 mijë, i jemi përgjigjur 3456.
Nuk arrijmë për një arsye se jo për çdo gjë të marrin 127 duke e mbajtur 5-10 minuta hapur telefonatën. Qytetari që merr në telefon dhe del i zënë është i lutur të mos e mbyllë dhe të rimarrë, sepse është një zinxhir njerëzish që mbyllin e rimarrin duke krijuar këtë zinxhir të pafundmë. Sistemi ka teknikën e vet siç pret në linjë dhe të vjen radha nga disa sekonda edhe disa minuta për shkak të këtij fluksi kaq të madh”, tha Brataj.
Brataj bëri të ditur se pacientja që humbi jetën nga koronavirusi në Durrës nuk u transferua në Tiranë pasi në momentin e fundit shfaqi përkeqësim të kushteve.
“Atëherë nuk është marrë me ambulancë, nuk është nisur fare nga spitali. Shkoi ambulanca tek urgjenca e Durrësit. Pacientja u zbrit nga kati i katër deri tek urgjenca, hyri në ambulancë dhe kur hyri stafi pa përkeqësimin e kushteve të pacientit dhe vendosën të mos e transferonin dhe e kthyen prapë. Shkaku ishte një paciente pluripatologjike. Kishte paraqitur sëmundje pulmonare. Kishte një seri patologjish të tjera dhe infeksioni nga koronavirusi i dha goditjen e fundit që shkaktoi vdekjen e saj”, tha ai.
Albert Dervishaj: Më shumë se 100 persona kanë ardhur nga Italia 2 javët e fundit
Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj ka deklaruar se nga kontrollet e policisë në terren në kuadër të masave të përforcuara për koronavirusin, janë identifikuar më shumë se 100 persona që janë kthyer nga Italia në vendin tonë në harkun kohor të 2 javëve.
I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Dervishaj konfirmoi se këta qytetarë janë evidentuar nga kontrollet në terren të policisë që prej orës 17:00 të së mërkurës.
“Deri në këto momente, nga ora 17:00 dhe deri tani janë identifikuar mjaft persona që kanë ardhur nga Italia në periudhën 2-javore. Në Durrës, në Tiranë, në Fier, në Shkodër janë identifikuar persona nga këto kontrolle. Dhe është një numër që i kalon 100 persona. Durrësi, Tirana, Fieri, Shkodra dhe po t’i mbledhësh të gjitha janë 100 persona që kanë hyrë 2 javët e fundit nga Italia”, deklaroi Albert Dervishaj.
Forcat policore, së bashku me ato të ushtrisë, kanë dalë me kontrolle nëpër rrugë për të bërë të mundur reduktimin e lëvizjes së qytetarëve.
Alarmi për qendrat e estetikës: Nuk përdorin sterilizimin e pajisjeve
Në klimën e masave të ashpra që janë marrë për mbylljen e lokaleve dhe restoranteve për shkak të koronavirusit, një shqetësim i shtuar janë edhe qendrat e estetikës në vend.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, estetistja Orjona Perjaku, ngre alarmin që qendrat e estetikës nuk kanë aparaturën autoklav, që bën të mundur sterilizimin e veglave të punës.
Ajo thotë se të gjitha këto qendra duhet të mbyllen pasi janë burim i mundshëm infeksioni, sidomos në kushtet aktuale të koronavirusit.
“Këto SPA-të ku ka grumbullim njerëzish normalisht që duhen mbyllur. Aktualisht nuk ka asnjë ligj që t’i mbylli. Unë personalisht qendrën time e kam të mbyllur. Përsa i përket sterilizimit, duhet të bëhet me këtë aparaturën që quhet autoklav. Higjiena këtu tek ne lë shumë për të dëshiruar. Veglat duhet të jenë në këtë qese e sterilizuar në autoklav në 120 gradë. Sterilizimi tek qendrat tona nuk kryhet. Janë shumë të pakta qendrat që posedojnë një autoklavë të tillë. Bëhet që këto qendra duhet të mbyllen”, u shpreh ajo.
Opinion pjesa III-Doktori shqiptar në Itali!
/tvklan.al