Nga kanë ardhur vaksinat? Silva Bino: Nuk e di, brenda kutisë ka pasur një spiun

Shqipëria nisi ditën e djeshme vaksinimin kundër koronavirusit. Mirëpo mënyra se si është siguruar vaksina ka krijuar debat në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama nuk e ka bërë publik se cili vend na e ka dhuruar sasinë e vaksinave.

Nbrëmjen e kësaj të marte në emisionin “Opinion”, shefja e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, sqaroi se vaksinat nuk kanë ardhur kontrabandë dhe dorazi.

Mirëpo Bino tha se as ajo nuk e di vendin se nga kanë ardhur vaksinat.

“Vaksinat janë me sistem, nuk janë kontrabandë se Pfizer nuk mund të bëjë kontrabandë. Vaksinat kanë ardhur në kushtet e duhura, siç i dërgon Pfizeri. Nuk janë dorazi. Kjo është çmenduri. Vaksinat kanë mbërritur në kushtet e caktuara. Vaksinat kanë temperaturën e caktuara. Vendin nga kanë ardhur nuk e di”, tha Bino.

Sipas Binos, numri i dozave ka qenë i vogël, ndërkohë që dha detaje nga kutia që është sjellë në Shqipëri.

“Numri i dozave të vaksinës është i vogël. Është një kuti e vogël. Nuk ka ardhur dorazi. Nuk mund të vijë dorazi. Vaksina brenda ka një spiun, kanë edhe një fletë të përcaktuar, spiuni tregon temperaturën e vaksinës që është brenda kutisë që ka atë akullin e ftohtë. Kjo është arsyeja dhe ne nëpërmjet atij spiuni shikojmë temperaturën dhe temperatura ka qenë adekuate”, tha Bino.

Pse duhet bërë vaksina edhe nëse e keni kaluar Covid-in

Ndonëse e ka kaluar Covid-in, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino thotë se do ta bëjë vaksinën. Në një lidhje me emisionin Opinion, ekspertja shpjegoi se shumë persona që e kanë kaluar Covid-in nuk kanë nivel të konsiderueshëm antikorpesh dhe nga ana tjetër, nuk dihet sesa mbrojtës janë këto antitrupa.

Kjo ishte pyetja më e zakonshme që vjen nga publiku, nëse e kam kaluar Covid-in qoftë edhe së fundmi, apo edhe më parë, duhet ta bëj apo jo vaksinën?

Vaksina bëhet edhe kur e ke kaluar Covid-in.

Pavarësisht sa i ke antitrupat?

Nuk ka asnjë lloj problemi.

Nuk do na dendin me antitrupa?

Jo nuk dendesh me antitrupa, është koncept i gabuar. Vaksina përkundrazi nuk shkakton asnjë lloj problemi, tek personat që e kanë kaluar Covid-in. Shumë persona që kanë kaluar Covid-in nuk kanë nivel të konsiderueshëm antikorpesh. Nga ana tjetër, ne nuk e dimë sesa mbrojtës janë këto antitrupa që ne i masim, sa mbrojtës janë realisht për individin, që ne i masim gjatë testimeve serologjike. Shumë njerëz bëjnë testime serologjike për të parë se ku e kanë nivelin e mbrojtjes.

Disa nga mjekët më të njohur në botë janë ndarë zonja Bino. Disa thonë duhet të vaksinohemi, disa thonë nuk ka nevojë, pasi jeni të mbrojtur të paktën për një periudhë 7 mujore.

Kjo qëndron për vetë faktin siç ua thashë që sot ne nuk e dimë sesa mbrojtës janë këto kundërtrupa që kemi. Të vetmet rezultate që kemi është që nuk kemi riinfektim brenda 3 muajve që kemi kaluar Covid-in. Kjo është një distancë në të cilën është parë që nuk kemi pasur riinfiktim.

Bino: Kemi kapacitete të vaksinojmë të gjithë popullsinë deri Janarin e ardhshëm

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, deklaroi mbrëmjen e kësaj marte në emisionin “Opinion” se vendi ynë ka kapacitetet  e mjaftueshme që të vaksinojë të gjithë popullsinë deri në Janarin e vitit të ardhshëm.

“Shqipëria ka kapacitetet e veta për të vaksinuar deri në fund të vitit të gjitha grupet e popullatës… deri në Janarin e vitit tjetër”, tha Bino.  

Bino deklaroi se plani i ekspertëve është që ata që do të marrin vaksinën Pfizer të vaksinohen me dy doza. Gjithashtu sipas saj, teorikisht janë siguruar dyfishi i dozave për grupet e riskut. Vetëm në Tiranë mund të vaksinohen 600 persona në ditë, sipas Binos.

“Plani është teorik dhe është bërë fillimisht për grupet e riskut. Fillimisht kemi kapacitet që të vaksinojmë 600 veta në ditë vetëm në Tiranë. Po ngremë kapacitete dhe në pikat e tjera”, tha Bino.

Eksperti: Kush e ka kaluar Covid, i mbrojtur mbi 8 muaj. Nuk e ka të nevojshme vaksinën

Eksperti Arban Domi mendon ndryshe nga Silva Bino, kur vjen puna tek pyetja nëse dikush që e ka kaluar Covid duhet ta bëjë ose jo vaksinën. Në një lidhje me “Opinion”, Domi shprehet se një person që e ka kaluar virusin ka imunitet edhe pas 8 muajsh, për këtë arsye ai thotë se nuk është e nevojshme bërja e vaksinës. Madje ai shprehet se në kushtet kur numrat e vaksinës janë të kufizuara, nuk është etike dhe as morale që dikush ta bëjë atë.  

Herën e fundit që ju kam pyetur keni thënë se ata që e kanë kaluar Covid-in është mirë që të mos e bëjnë vaksinën. I qëndroni kësaj ideje?

“Le ta sqarojmë me saktësi për publikun. Ai që e ka kaluar Covidin nuk është e nevojshme ta bëjë. Herën e fundit që kemi biseduar, nuk kishim shumë të dhëna dhe mendoja se do ishte 3 deri në 6 muaj minimumi, pasi e ka kaluar. Ka kaluar disa kohë nga biseda e fundit që kemi pasur dhe të dhënat e fundit, të jo më shumë se 1 apo 2 javë me parë, kanë treguar që edhe pas 8 muajsh sistemi i imunitar mbrojtës është i nivelit teorikisht të mjaftueshëm”.

Sipas mjekut, “prova më e madhe, që është shumë domethënëse, është që të infektuar në botë janë rreth 10 milion. Riinfektimet janë me gishtat e dorë dhe ky është testi klinik më i mirë për të thënë që ata që janë infektuar nuk riinfektohen. Por nuk ka asnjë gjë të keqe për ta ribërë”.

Domi thotë që nuk ka komplikacion nëse dikush që e ka kaluar Covid e bën vaksinën, por sipas tij ajo nuk është e nevojshme.

“Në kushtet aktuale kur numrat janë shumë të kufizuar, për mua është një humbje e dozës që ta bëjë dikush që e ka kaluar. Edhe nga ana etike dhe nga ana morale nuk është e nevojshme…”

Domi, ndryshe nga Bino: Shqipëria vaksinon të gjithë popullsinë mesin e 2022-shit

Tashmë që në shumicën e vendeve të botës ka nisur vaksinimi, pyetja që shtrohet është se kur do të mund të realizohet për të gjithë popullsinë. Eksperti shqiptar, Arban Domi, i cili është drejtor i Zhvillimit të vaksinave në Kompaninë GeoVax, tha se mendon se në Shqipëri kjo gjë mund të realizohet mesin e vitit 2022.

“Mendimi im është të paktën në Amerikë të jetë shpresoj nga Shtatori-Tetori, kurse në Shqipëri, shpresoj të jemi gabim të gjithë, por mendoj se do të jetë nga mesi i vitit tjetër”, tha ai gjatë një lidhjeje live në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Ndërkohë më herët, shefja e Departamentit për Sëmundjet Infektive në ISHP, Silva Bino, tha se Shqipëria ka kapacitetet që popullsia të vaksinohet deri Janarin e vitit të ardhshëm./tvklan.al