Ministrja shpjegon ku do të mbahet maska nga e enjtja: Kush bën vrap…
Nga e enjtja, qeveria ka marrë vendimin që maskat të përdoren edhe në ambiente të hapura në kuadër të parandalimit të koronavirusit. Ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se ISHP-ja do të nxjerrë nesër një udhëzues me specifika se ku duhet të mbahet maska dhe kur mund të ketë përjashtime.
Për shembull, Manastirliu tha se gjatë momentit që një person kryen aktivitet fizik nuk do të jetë i detyruar të mbajë maskë. Megjithatë ajo u shpreh se çdokush duhet që ta mbajë maskën me vete në çdo moment pasi del nga shtëpia.
“Instituti i Shëndetit Publik në kuadër të Aktit Normativ ka hartuar të gjithë udhëzuesin me specifika. Kudo jashtë shtëpisë, me përjashtimin kur je duke bërë aktivitet fizik, pra je duke vrapuar nuk do të mbash maskë, por ti duhet ta kesh maskën gjithmonë me vete. Maska duhet mbajtur me vete dhe duhet përdorur menjëherë nga momenti që del nga shtëpia në të gjithë ambientet ku shkon. Edhe në bare apo restorante mbajtja e maskës do të jetë deri në momentin kur ti ulesh dhe më pas kur ti çohesh për të vajtur për të bërë një shërbim e vendos. Kur ha e pi e heq maskën, në momentin që flet dhe ke interaktivitet duhet ta vendosësh maskën”, tha ministrja.
“Me kë jemi në luftë ne?”, Manastirliu i kthen përgjigje opozitës
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte e ftuar këtë të martë në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ajo foli rreth vendimit të fundit të qeverisë që maskat të mbahen edhe në ambientet e jashtme.
Ministrja i ktheu përgjigje edhe deklaratave të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila ka thënë se nuk do ta vendosë maskën pavarësisht gjobave. Manastirliu u shpreh se të gjithë drejtuesit politikë duhet të jenë bashkë në luftën kundër koronavirusit dhe jo të bëjnë thirrje kundër masave.
“Është një çështje shumë serioze kjo e pandemisë në Shqipëri. Të përballesh me epideminë që ndodh një herë në 100 vjet nuk është e lehtë dhe të përpiqesh që me gjithë kapacitetet dhe forcat e tua një vend si Shqipëria që ka vuajtur shumë në të shkuarën edhe sa i përket sistemit shëndetësor ku zotërinjtë dhe zonja në fjalë ka qeverisur, nëse do të ishin vite më parë do e trajtonim komplet ndryshe këtë diskutim. Sot jemi duke diskutuar nëse duhet të vendosim maska e cila është barrierë mbrojtëse prej tekstili për të mbrojtur familjet, veten dhe për të mbrojtur shëndetin. Si ka mundësi që mjeti më efektiv, i gjithëpranuar kudo në botë sot të vendosësh t’u bësh thirrje qytetarëve të tu, kjo do të thotë të mos duash shëndetin e qytetarëve të vendit tënd. Është shumë serioze kjo histori, flasim për shëndetin e njerëzve, për ata 244 qytetarë pacientë në spitalet Covid që janë duke vuajtur jo me maskë lecke, me maskë oksigjeni. Në qoftë se kushdo nga politikanët nuk e kupton se çfarë do të thotë të vendosësh një maskë lecke, ta refuzosh atë dhe në vend të kësaj të detyrohesh të vesh nga pakujdesia e atij tjetrit që nuk respekton rregullat dhe nesër të intubohesh dhe të arrish të thuash mos zbato rregullat? Po pse me kë jemi në luftë ne se s’po e kuptoj? Me kë jemi? Me njëri-tjetrin? Ne duhet të jemi bashkë të gjithë”, tha ministrja.
Cili është skenari i zi i parashikuar për pandeminë në Shqipëri
Skenari më i zi i parashikuar për pandeminë në Shqipëri parashikon hapjen e spitaleve rajonale.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tregoi gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të martë se në momentin që do të ezaurohen të gjithë shtretërit për spitalet e dedikuara për koronavirusin, ekspertët kanë parashikuar 3 skenarë të tjerë ku në lojë futen spitalet rajonale.
Në total numri i shtretërve pritet të arrijë deri në 1600.
“Kemi një strategji të përgjigjes së vjeshtë-dimrit të hartuar nga Komiteti i Ekspertëve dhe të konsultuar me OBSH-në. Skenari i tretë ku futet përfshirja që nga skenari i parë i spitaleve rajonale, përmbyllet kapaciteti 550 shtretërve në 4 spitalet Covid. Në momentin që përmbyllen 4 strukturat e dedikuara për Covid, atëherë kemi 3 skenarë të tjerë ku futen edhe spitalet rajonale sipas 3 fazave, 5 në skenarin e parë dhe 6 në dy skenarët e tjerë ku totali i shtretërve pra në të gjithë skenarët shkon në 1600 shtretër për njerëz që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor spitalor”, tha ministrja.
Manastirliu u shpreh se aktualisht në dy spitalet Covid janë 25% e kapaciteteve të lira. Duhet që të ezaurohen këto spitale që të hapet spitali Covid 3, tha ministrja.
Manastirliu u pyet edhe për skenarin që është menduar për viktimat që mund të shkaktojë pandemia, por vendosi të mos fliste për këtë gjë.
“Nëse duam të shmangim fatalitetet duhet që të respektojmë rregullat”, tha ministrja.
Gazetarja: Prita për 5 ditë rezultatin e tamponit. Si përgjigjet Manastirliu
Ministrja Ogerta Manastirliu u pyet këtë të martë në emisionin “Opinion” nga gazetarët se pse vonohet përgjigja e tamponit. Më konkretisht, gazetarja e Tv Klan, Rashela Shehu, tregoi se kishte pritur për 5 ditë për të marrë një përgjigje pasi kishte kryer testin.
Ministrja u shpreh se janë epidemiologët ata që vendosin për prioritetet e rasteve. Manastirliu u shpreh se rastet në spital, mësuesit dhe të gjithë personat që kanë simptoma të rënda testohen dhe përgjigja vjen brenda ditës.
Rashela Shehu: Përpara dy javësh isha e dyshuar si pjesë e riskut për shkak të kontaktit me një person që dyshohej se ishte i prekur nga Covid-19. Tamponin edhe pse asimptomatike, ky është një kalvar më vete për persona brenda familjes ndiejnë dhe kanë vështirësi për ta realizuar një tampon të tillë, edhe pse familjari i tyre mund të jetë me Covid. Bëj tamponin ditën e shtunë në mëngjes dhe kam pritur nga e shtuna e fundjavës për përgjigjen të cilën e kam marrë ditën e mërkurë në drekë. Nuk e kam përdorur statusin e gazetares në këtë rast, por thjesht si një qytetare kam pritur pak më shumë se pesë ditë. Por njëkohësisht unë jam edhe shtetase e Maqedonisë së Veriut. Jam e bindur që nëse këtë test ashtu siç edhe kolegët tanë nga Maqedonia e Veriut raportojnë, i njëjti test që aplikohet tek ne, kohëzgjatja për të marrë përgjigjen e këtij tamponi do ishte shumë herë më e shpejt. E njëjta gjë ndodh edhe me kolegët tanë në Kosovë. Pyetja ime e parë për ministren është: Përse për të njëjtin tampon kohëzgjatja për marrjen e përgjigjes është e ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duke i shtuar kësaj po ashtu edhe numrin e testimeve? Numri i testimeve krahasuar me Maqedoninë e Veriut, referuar raporteve është të paktën 50% më pak.
Ogerta Manastirliu: Jam e kënaqur që pas problematikës që ti ke pasur, dyshimit në raport me Covid-19 gëzon shëndet të plotë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Patjetër që çështja e testimeve është një çështje e shumë debatuar në këto kohë, jo vetëm në Shqipëri. Duke qenë se ti do një përgjigje direkte në raport me afatet, kohët, ajo çfarë është e vërteta është që nga muaji Qershor deri në Shtator ne kemi trefishuar numrin e testimeve. Do të vijojmë me rritjen e kapaciteteve testuese përgjatë gjithë periudhës vjeshtë-dimër, sepse kjo do të ketë edhe një bartje të një risku më të lartë të infeksionit. Përgjigjet e rasteve të testuara ka një protokoll të caktuar, ndjekje të caktuar nga epidemiologët dhe mua më vjen mirë që gjurmimi, hetimi ka funksionuar në rastin tënd. Sepse testimi nuk është vetëm një qëllim në vetvete. Mund të testosh shumë, por nëse nuk ke kapacitete gjurmuese atëherë testimi mbetet thjesht një përgjigje për individin dhe jo një përgjigje për vatrën që mund të jetë krijuar në infektim. Kjo na çon në shpërthime epidemike që nuk mund të kontrollohen. Për rastin tuaj më duhet ta verifikoj me Institutin e Shëndetit Publik, patjetër që e besoj atë që thoni ju dhe nuk e vë në diskutim. Patjetër që do ketë edhe një arsye. Përpjekja e jashtëzakonshme që ne bëjmë për të testuar në një kohë të shpejtë, gjurmuar, për të bërë hetimin epidemiologjik dhe për të izoluar ka një indikator. Indikatori është që rastet të cilat ne testojmë dhe gjurmojmë izolohen brenda 48 orësh në masën 80% të tyre. Prioriteti i rasteve të dyshuara vendoset nga epidemiologët. Rastet e spitaleve testohen brenda ditës, mësuesit, personat e riskut që kanë simptoma të rënda brenda përkufizimit që përcaktojnë ekspertët shkojnë në një korridor të shpejtë për t’u testuar në mënyrë që përgjigjet të vijnë sa më shpejt. Ka shumë vend për të përmirësuar, nuk jemi këtu dhe kemi arritur perfeksionin, por jemi në përpjekje të jashtëzakonshme për të rritur kapacitetet testuese dhe mbi të gjitha për të vijuar hetimin epidemiologjik./tvklan.al