QSUT-ja vatër e Covid-19 në Shqipëri? Përgjigjet ministrja Manastirliu

Tirana, Shkodra e Durrësi janë qytetet më të rrezikuara se të tjerat në lidhje me koronavirusin. Kështu u shpreh këtë të hënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan.

Ajo iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu në lidhje me QSUT-në që kohët e fundit është kthyer në vatrën kryesore të koronavirusit në vend.

Sipas ministres, edhe në spitale mund të ndodhin që të dalin raste me Covid-19 pasi edhe ky sektor si çdo sektor tjetër u rihap pas karantinës. Megjithatë sipas saj ky nuk është një fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri, pasi ka ndodhur  në Itali, Spanjë edhe Gjermani.

“Përgjegjësia kryesore e strukturave të shëndetësisë dhe e jona përgjatë epidemisë është sigurimi që mjekët dhe infermierët, pra personeli mjekësor të kenë materialet e mbrojtjes. Kur ne jemi të lirë, ekspozimi është më i madh. Edhe në sistemin shëndetësor ndodh e njëjta gjë. Ne e rihapëm edhe atë. Nuk ishim më si në karantinë, kur bëheshin ndërhyrjet e planifikuara. Spitale janë struktura ku nuk vijnë persona të shëndetshëm por persona të sëmurë me shumë patologji, ku mund të jenë edhe ata që kanë Covid dhe detyra e personelit është të mundësojë që nëpërmjet protokolleve të mundësojë këto raste pa hyrë në spital. Kjo ka ndodhur në Romë, ka ndodhur në Spanjë, në shumë vende, edhe në Gjermani madje. Janë fenomene që duhen shmangur, por janë edhe të pashmangshme”, tha Manastirliu.

Manastirliu: 550 shtretër në dispozicion për pacientët me Covid-19

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është shprehur përballë gazetarit Blendi Fevziu disa javë më parë se nëse në Spitalin Infektiv shtrohen 80 pacientë dhe 15 futen në terapi intensive atëherë do ndalohet në vend, por nuk do të ketë kthim mbrapa.

Mirëpo rastet e ditëve të fundit janë shtuar ndjeshëm dhe çfarë pritet të ndodhë?

Ministrja Manastirliu ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku tha se situata do të vlerësohet në mënyre dinamike. Ajo u shpreh se janë gati disa skenarë dhe sistemi shëndetësor është i gatshëm të përballojë situatën edhe nëse shtrohen 80 pacientë në Spitalin Infektiv.

Ministrja tha se në Shqipëri janë 550 shtretër që do të shërbejnë për të trajtuar pacientët me koronavirus.

“Kemi disa skenarë gati për t’i aplikuar. Kemi bërë gati që sistemi të përballojë raste mbi 80. Nëse i kalojmë mbi 80 Spitali Infektiv ka 120 shtretër kapacitetin, pastaj kemi bërë gati spital 2 që është ‘Shefqet Ndroqi’, Covid 3 që është ish-Kirurgjia dhe Covid-4 që është ish-Kristal. Në total janë 550 shtretër për të trajtuar pacientët me Covid-19”, tha Manastirliu. /tvklan.al