Të ftuar: Mark Marku, Blendi Salaj, Fatjona Medini, Elira Kokona dhe Musa Ulqini. Në lidhje direkte Iris Luarasi

“Anti-shpifja”, Mark Marku: Një media nuk mund të mbyllet për një pasaktësi

Analisti dhe pedagogu i Gazetarisë, Mark Marku kundërshton paketën “anti-shpifje” të qeverisë të hartuar për mediat online.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, duke iu referuar draftit të qeverisë, Marku thotë se një media nuk mbyllet për një pasaktësi, sikurse parashikohet në projektligj.

“Ka një taktikë të qeverisë, të Kryeministrit që thotë kam bërë ca ndryshime që askush nuk i di. I ka vënë të punojnë komisionet dhe kanë hyrë në konflikt me 35 organizata ndërkombëtare. Dhe tani na del në orën 22:00 të natës dhe thotë unë kam bërë ca ndryshime. Këtë e bën që nesër të mos ketë protestues. Në qoftë se, thotë aty, nëse portali nuk përgjigjet, bllokohet portali.

Në momentin që thuhet mbyllet media, mbyllet portali, ti për një shkrim mbyll një portal, për një pasaktësi. I takon që e njëjta të funksionojë për gjithë mediat. Për një pasaktësi në lajm në atë revistën televizive, mbyll kanalin televiziv. Pse do ta mbyllësh median? Media nuk mbyllet kurrë”, u shpreh pedagogu i Gazetarisë Mark Marku. 

Paketa anti-shpifje, Blendi Salaj tregon çfarë do të ndodhë nëse kritikon një ministër

Gazetari Blendi Salaj ka shpjeguar një rast se çfarë do të ndodhë, sipas tij, me gazetarët apo mediat që do të kritikojnë qeverinë bazuar në paketën anti-shpifje të qeverisë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Salaj u shpreh se nëse ai do të kritikojë një ministër të qeverisë, atëherë ministri në fjalë e konsideron shpifje dhe i lind e drejta të ankohet tek Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA).

“Ky ligj nuk lejon që ti të flasësh lirisht. Problemi që unë shoh qëndron në këtë aspekt. Nëse unë do tregohesha kritik me një ministër, ministrit i lind  e drejta ta quajë shpifje. Do të thotë që ai do të shkojë të kërkojë që unë të shkruaj diçka të kundërt dhe përndryshe do shkojë tek AMA që po ata e kanë zgjedhur dhe do bëjë ankesën, dhe AMA do thotë 20 milionë Lekë gjobë Blendi Salajt. Dhe mund të më ndalojë llogaritë bankare, ta paguajë unë atë dhe tani thotë shko në gjykatë. Në demokraci janë ndarjet e pushteteve. Prandaj ka qeveri, prandaj ka gjykata. Këto gjëra mbivendosen. I bie që qeveria vendos për gjithçka”, u shpreh gazetari Blendi Salaj.

Paketa anti-shpifje, Musa Ulqini: Duhet të identifikohen pronarët e portaleve, kush i financon…

Mbrëmjen e sotme në “Opinion” debati është ngritur për paketën anti-shpifje, e cila pritet që të shkojë për miratim në Kuvend ditën e enjte.

Deputeti Musa Ulqini, i cili është dhe një nga relatorët e këtij ligji, duke iu përgjigjur ankesave dhe reagimeve që ka pasur përgjatë këtyre ditëve, por edhe të ardhura nga ana tjetër e panelit, dha disa shpjegime.

Ai tha se ky ligj rregullon portalet, të cilat i quajti si dukuri e re në Shqipëri.

“Ky ligj nuk rregullon median e shkruar, as elektronike, por rregullon një dukuri të re që janë portale. Ky ligj është një ligj që rregullon një sektor të parregulluar me një ndikim të jashtëzakonshëm. Ai i detyron të identifikohen, regjistrimi tek AMA është vullnetar”.

Ulqini tha se të mos diturit se cili është pronari i “x” portali është një problem, pasi duhet të dihet se cili është personi pas tij dhe kush e financon.

“Ky është një problem shumë i madh se sot askush nuk di të thotë se kë kanë pronar, ku i kanë adresat, kush i financon, politika apo paratë e drogës… Ky ligj heq punën e zezë të gazetarëve tek portalet, lufton gjuhën e urrejtjes”.

Deklaratat e Ulqinit kanë hasur në replika të ftuarit në panel, të cilët thanë se marrja e atributeve të Gjykatës nga AMA është e papranueshme dhe cenon lirin e shprehjes.  

Iris Luarasi: Parlamenti nuk duhet të shpejtojë me paketën anti-shpifje

Duke diskutuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan për paketën anti-shpifje të qeverisë, pedagogia e Gazetarisë Iris Luarasi është e mendimit që media duhet të vetërregullohet.

Në një lidhje direkte me emisionin, Luarasi theksoi se Parlamenti nuk duhet të nxitohet me këtë projektligj dhe duhet të diskutohet më me kujdes.

Ndërsa për AMA-n (Autoriteti i Mediave Audiovizive), Iris Luarasi shprehet se është skeptike nëse ky organ nuk ka influencë politike, sikurse duhet të jetë.   

“Problemin e shikoj tek pjesa e dhënies së këtyre kompetencave një organi që de juro apolitik, por ne në Shqipëri e dimë që përfundon në mënyrë politike. Fakti që anëtarët e AMA zgjidhen nga pozita dhe opozita, për mua nuk e bën të balancuar. Në të tëra rastet, edhe nëse do jetë 7 siç propozohet në versionin e ri, unë do thoja që është shumë i madh për këllqet që ka vetë AMA. Sa ka qenë prezente në jetën dhe rregullimin e radio-televizioneve? Parlamenti nuk duhet të shpejtojë. Kemi kakofoni edhe të institucioneve ndërkombëtare. Nuk arrij ta kuptoj pse duhet gjithë ky nxitim. Mendoj që ka kohë për ta diskutuar ligjin. Mendoj që ka dhe një mënyrë tjetër për ta rregulluar këtë gjë. Në fakt është vetërregullimi i gazetarisë. Është ajo që njihet dhe mënyra më e mirë për ta rregulluar median”, u shpreh Iris Luarasi.

Sherr në ‘Opinion’, Marku – zyrtares së Qeverisë: Je vartëse që i lëpin këmbët e Ramës

Diskutimi për paketën anti-shpifje që Qeveria ka hartuar për mediat, ka shkaktuar debate në emisionin “Opinion” në Tv Klan mes Mark Markut dhe zv/Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Ministrave.

Znj. Elira Kokona u shpreh gjatë emisionit se është avokate me profesion, ndërsa Mark Marku ndërhyri duke thënë se përfaqëson Kryeministrin dhe është “vartëse që i lëpin këmbët Ramës”.

Nga ana tjetër, znj.Kokona u kundërpërgjigj duke thënë se është nëpunëse civile dhe ka një karrierë si avokate.

Blendi Salaj: Kam përshtypjen që publiku mund të krijojë përshtypjen që ju do të silleni kështu edhe pas ligjit që nuk do të lejoni njeri që të flasë përveç jush.

Elira Kokona: Unë jam avokate në profesion, kështu që e kam për profesion të flas.

Mark Marku: A je këshilltare e Kryeministrit?

Elira Kokona: Jo zotëri, nuk jam këshilltare e askujt. Unë jam zv/Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave, jam nëpunëse civile.

Mark Marku: Je vartëse që i lëpin këmbët Ramës dhe për këtë ke ardhur këtu.

Elira Kokona: Lëpirjen e këmbës e keni zakon ju zotëri, për atë arsye shkoni vazhdoni tregojani kujtdo që e meriton. Kam një karrierë që s’kam nevojë t’jua tregoj juve.

Mark Marku: Ç’a karriere ke…

Elira Kokona: Kam një karrierë që s’kam nevojë të merrem me ju.

Mark Marku: Na dalke dhe avokate, je me një funksion publik.

Deputeti i PS: Vërtetë mendoni se 5 veta nga KA do zgjidhin problemin e 800 portaleve?!

Deputeti i PS, Musa Ulqini, duke folur për paketën anti-shpifje, tha se qëllimi i këtij ligji është që të rregullojë veprimtarinë e mediave online, portaleve.

Por ai shtoi se nuk pretendohet që Këshilli i Ankesave të zgjidhin problemin e të gjitha portaleve, por kjo synon që të ndërgjegjësojë dhe të vendosë rregulla në këtë fushë mediatike online.

“Vërtetë e besoni ju që 5 veta që do ketë Këshilli i Ankesave do të zgjidhë problemin e 800 portaleve? 5 veta, askush nga këtu as jashtëm nuk dua ta mendojë që do zgjidhë problemet e portaleve. Thelbi i projekt ligjit synon që përmes këtyre rregullimeve të vendosë rregulla në këtë fushë të parregulluar”.

Ndërkohë pedagogu i gazetarisë Mark Mark dhe gazetarja Fatjona Medini shprehet se ky ligj tenton të intimidojë gazetarët.

Pyetja e Blendi Fevziut që nuk mori përgjigje nga deputeti socialist

rejtuesi i emisionit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu i drejtoi një pyetje deputetit socialist Musa Ulqini për paratë e financimit të televizioneve, duke marrë shkas nga paketa “anti-shpifje” që qeveria ka hartuar për portalet.

Pyetja e Blendi Fevziut nëse Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka gjetur raste të dyshimta të financimit të televizioneve, nuk mori një përgjigje të drejtpërdrejtë nga deputeti Ulqini.

Blendi Fevziu: Z.Ulqini, a i keni bërë ndonjëherë pyetje vetes meqë ky ligj, po e bëj pyetje pa përgjigje, meqë ju thoni që do i japë fund financimeve të panjohura, problematike në portale etj, a i ka penguar deri sot AMA financimet e televizioneve? E dini sa televizione ju funksionojnë me humbje edhe me para të dyshimta që shumë shqiptarë s’e dinë nga vijnë? Lere tani se s’ka nevojë të përgjigjesh se dhe vetë je në siklet për këtë pjesë.

Deputeti Musa Ulqini: Jo nuk jam fare në siklet. Unë di vetëm një gjë të them. Kur filloi të funksiononte AMA dhe kur ne e bëmë ligjin për mediat elektronike, reaksioni nga pronarët ka qenë i hatashëm. Më i madh se tani. Sepse nuk pranonin vetërregullimin.

Blendi Fevziu: Të bëra pyetje tjetër. Të thashë, a ka gjetur AMA burimet e financimit problematike në ndonjë televizion në Shqipëri?

Deputeti Musa Ulqini: Sot çdo media elektronike, radio, edhe ky televizioni juaj, deri në fund të Marsit depoziton pranë AMA një dokument për mënyrën nga vijnë paratë, si i shpenzon etj. Kjo është një gjë që ka vendosur rregull. Por a ka gjëra që nuk shkojnë? Padiskutim që ka gjëra që nuk shkojnë.

Sherri në “Opinion”, Marku: Mos ha m.., më lër të flas ose të godita me shishe. Ulqini: Nuk mund të lejosh që të më fyej kështu

Gjatë debatit që po zhvillohet në studion e “Opinion” për paketën anti-shpifje të propozuar nga qeveria, i ashpër ka qenë debati mes deputetit të PS Musa Ulqinit dhe pedagogut Mark Marku.

Musa iu drejtua Markut duke i thënë se nuk do të donte që fëmijët e tij të kishin një diplomë me firmën e këtij të fundit.

Po debati ka dehgraduar kur Marku është nervozuar pasi nuk po e linin të fliste, duke iu drejtuar Ulqinit se do t’i gjuante me shishen e ujit, si dhe duke i thënë “mos ha m*t”.

Marku: Musa të dëgjova 20 minuta dhe më duket sikur po dëgjoj  Radio Tirana para nja 50 vjetëve… emisioni i lajmeve, parti apo bën ketë, po bën atë.

Ulqini: Marku, dëgjo, ke ardhur në Komision dhe ke përdorur terma..

Marku: I përdor si të dua se nuk kam ndërmend të kem frikë nga ju.

Ulqini: Respekto se je profesor.

Marku: Po pra se jam profesor po them mos thuaj…

Ulqini: Unë jam njeri i votuar dhe flas në emër të atyre qytetarëve që ti me shokët e tu i nxore në mes të natës.

Marku: A ke urdhër të mos më lesh të flasë?!

Ulqini: Di vetëm një gjë, po të garantoj, që unë fëmijën tim nuk do desha kurrë që të kishte në diplomën e tij firmën tënd, sepse nuk flitet siç flet ti, nuk fyet siç fyen ti dhe nuk bëhet politikë siç bën ti.

Marku: Po sigurisht se ti do ta çosh tek shkolla e partisë…

Ulqini: Fëmijët e mi janë të shkëlqyer. Fyerja nuk është argument.

Marku: Nuk po të fyej, ju se keni për fyerje…

Ulqini: Si mund të pohosh gjëra të tillë ti, nuk arrij ta kuptoj.

Marku: Po më lër more të flas tani…O Blend të lutem më lë të flas …po si do mbaroj po s’më latë të flas si do mbaroj.

Fevziu: Mark thuaja atë që ke për të thënë.

Marku: Më lini pra të flas.

Fevziu: Dakord po thuaje.

Marku: Po si të them kur më ndërhyn ai mua.

Fevziu: Sepse ti merresh me politikë merru me atë që ke për të thënë.

Marku: Me këtë po merrem po s’të lë ai …a ka mundësi të më lini të flas apo ta lëmë këtë gjë.

Fevziu: Këtë po të them fol.

Marku: Dhe mos më ndërprisni më se do ju shaj po më ndërhytë.

Ulqini: Na ke sha boll.

Marku: Dhe do të masakroj…do të hedh këtë shishen në kokë…boll. Boll se do ta mbyll gojën me forcë …Do ta mbyll gojën me forcë po them.

Elira Kokona: Kjo është vepër penale.

Marku: Mos ha m*t më po të them… Kaq po ju them mos hani m*t më mos ndërhyni kaq po them…

/tvklan.al