Manastirliu: Të shtruar edhe të rinj me simptoma të rënda

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi këtë të enjte se në spitalin infektiv ka të shtruar edhe mosha të reja. Përveç kësaj ajo u shpreh se mes tyre ka edhe pacientë me simptoma të rënda  pavarësisht se nuk kanë asnjë sëmundje tjetër bashkëshoqëruese.

“Ajo çfarë po shihet tani është se ka prekur edhe mosha të reja. Mosha mesatare e të prekurve është rreth 45 vjeç.  Edhe të rinjtë janë të riskuar. Sipas raportimeve të shërbimit infektiv ka raste që pacientët nuk kanë patologji por kanë simptoma të rënda dhe janë të riskuar”, tha Manastirliu.

Ministrja  u shpreh se tashmë jemi në javën e 5 pas rihapjes. Edhe pse prisnin rritje të rasteve, ministrja u shpreh se infektimet e ditëve të fundit i kanë kapërcyer parashikimet e tyre.

“Sot jemi në javën e 5 pas rihapjes së madhe. Ne prisnim që do të kishte një shtim të rasteve. Ka kapërcyer pak pritshmërinë tonë. Mendonim që do të kishim shumë më shumë zbatim të rregullave të distancimit social”, tha Manastirliu.

Manastirliu: Hera e parë që shtrohet në spital një fëmijë i infektuar me Covid-19

Për herë të parë në Shqipëri është shtruar në spital një fëmijë i infektuar me koronavirusin Covid-19. Lajmi është konfirmuar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila tha në studion e “Opinion” në Tv Klan se bëhet fjalë për një fëmijë 2 muajsh.

Kemi një rast sot në fakt të një fëmije 2 muajsh që është shtruar në Spitalin Pediatrik në shërbimin e infektivit. Që i ka dhënë pasojë Covidi. Rasti i parë që kemi një fëmijë të shtruar në pediatrinë e QSUT që kërkon trajtim mjekësor së bashku me nënën e vetë”, u shpreh ministrja Manastarliu.

I pyetur nga Blendi Fevziu se çfarë rrezikon vendi ynë nëse situata nga pandemi përkeqësohet, Manastirliu tha se izolimi është përjashtuar si mundësi.

“Unë kam qenë në një mbledhje të gjatë të Komitetit Teknik të Ekspertëve ku kemi diskutuar të dhënat edhe se si do të shkojnë projeksionet në javët në vijim. Nuk vlerësohet që do të kemi, të paktën me projeksionet që ne vlerësojmë, të kthehemi në izolim apo në masa kufizuese. Por vlerësohet që do të jemi në të njëjtat trende të epidemisë”. 

Kryeministri i Kosovës: Dialogun me Serbinë do ta udhëheq unë

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka deklaruar se është i gatshëm të shkojë në dialog me Serbinë nëse do t’i vijë ftesa për ndërmjetësim nga SHBA.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Avdullah Hoti u shpreh se takimi i thirrur nga diplomati Grenell në SHBA javën e kaluar u anulua pas publikimit të akt-akuzave ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale.

Pas këtij momenti, Hoti theksoi se edhe ai anuloi udhëtimin pasi në SHBA po shkonin si delegacion i përbashkët i Kosovës së bashku me Presidentin Thaçi. Hoti theksoi se procesin e dialogut me Serbinë do ta udhëheqë ai si Kryeministër i Kosovës.

“Jemi përgatitur për të hyrë në fazën përfundimtare të marrëveshjes. Ka ndodhur një zhvillim i papritur. Ne ishim nisur si delegacion bashkë me presidentin për të filluar dialogun dhe ishte normale që pas atyre zhvilimeve ne të kthemi në Prishtinë. Unë kam pasur fetsë që të shkoj edhe pasi ndodhi ajo, edhe ka qenë insistim i ambasadorit që të shkoj aty, por u rakorduam që ky takim të spostohet. Delegacioni është i ndërtuar. Kemi ndërtuar mekanizma shtetërorë për të qenë të gatshëm në këtë proces. Në proces të dialogut Kushtetuta është e qartë që e përfaqëson Kryeministri”.

Sa i përket pikave të negociatave me Serbinë, Kryeministri Hoti bëri të qartë se integriteti territorial i Kosovës nuk është në tryezën e diskutimit.

Nuk diskutojmë për çështje të territorit, nuk diskutohet integriteti territorial i shtetit të Kosovës. Dhe marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Këto janë si parime të dialogut. Ne shkojmë në këtë proces për njohje reciproke”.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit, Hoti: Nuk po gjykohet lufta e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi këtë të enjte gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se me aktakuzën e ngritur ndaj Presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit nuk po gjykohet lufta për pavarësi që ka kryer Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas Hotit, liria dhe pavarësia e Kosovës janë vulosur me vendimin që ka dhënë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ai u shpreh se qeveria e Kosovës beson te principi i drejtësisë në lidhje me prezumimin e pafajësisë, por njëkohësisht edhe institucionet kosovare duhet të respektojnë obligimet ndërkombëtare.

Sa i përket ngritjes së gjykatës Speciale në Kosovë, kreu i qeverisë tha se ka qenë një kërkesë ndërkombëtare e miratuar nga deputetët dhe nuk ishte e kushtëzuar.

“Reagimin e kemi dhënë ditën e parë. Besoj si klasë politike kemi kaluar nëpër procese të tilla edhe më herët dhe besoj që kemi treguar një maturi. Qëndrimi që e kemi ndërtuar ne që besoj është pranuar edhe nga qytetarët dhe nga ndërkombëtarët është që nuk po gjykohet lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi pasi ajo është vulosur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare që i ka dhënë popullit të Kosovës lirinë. Ne mbesim në qëndrimin që është principi bazik i drejtësisë që dikush është i pafajshëm derisa nuk ka një vendim të formës së prerë. Duhet të jemi të përgjegjshëm për të respektuar obligimet kushtetuese që kemi si shtet, si institucione dhe obligimet ndërkombëtare. Nuk e di se çfarë ndodh në organet e drejtësisë. Ato që di dhe ato që mbroj është që UÇK nuk është gjykuar dhe nuk do të gjykohet asnjëherë”, u shpreh Hoti.

Sa i përket dialogut me Kosovën, Hoti tha se pretendon që të përfshijë të gjitha palët në diskutime. Ai u shpreh se ka kërkuar një takim me Albin Kurtin, por kreu i LVV e ka refuzuar.

“I kam çuar ftesa zyrtare Albin Kurtit. Kam marrë një përgjigje publike nga VV që kanë refuzuar të vijnë në takim. Nga PDK nuk kemi përgjigje të prerë, por do të shohim në vijim”, tha Hoti.

Projekti ambicioz i Kryeministrit Hoti: Një pjesë e Portit të Durrësit të jetë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka mbërritur sonte në Tiranë për takimin zyrtar që do të zhvillojë nesër më krerët më të lartë të shtetit.

I ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hoti zbuloi edhe një nga propozimet që do t’i bëjë Kryeministrit Rama.

Bëhet fjalë për Portin e Durrësit, për të cilën është diskutuar vazhdimisht që do të shërbejë si pikë e përbashkët për të dyja këto vende.

Por Kryeministri Hoti ka tashmë një ide tjetër. Ai do të kërkojë që një pjesë e Portit të Durrësit të shërbejë si Port i Kosovës.

“Tani kemi disa ide të tjera dhe nesër unë do t’i propozoj Kryeministrit Rama për një format komplet të ri të kësaj pike. Do t’i propozoj, do t’i kërkoj që kjo pikë praktikisht një pjesë e portit të jetë port i Kosovës, port detar i Kosovës, ku mallrat të hyjnë dhe zhdoganohen në territor të Kosovës. Ajo që po them është që një pjesë e portit, do të kërkoj që të jetë port detar i Kosovës ku mallrat që vijnë nga deti hyjnë në Kosovë praktikisht, edhe më andej kalojnë tranzit për në Kosovë”, u shpreh Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti. /tvklan.al