Koronavirusi, Basha në “Opinion”: Çfarë ndryshon me shpalljen e fatkeqësisë natyrore
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi gjatë ditës së sotme se qeveria duhet të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyre për situatën e krijuar nga koronavirusi.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Basha shpjegoi se çfarë ndryshon me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Kreu i demokratëve tha se shpallja e fatkeqësisë natyrore ndihmon vetë shtetin në radhë të parë, bizneset por dhe qytetarët.
“Shpallja e fatkeqësisë natyrore është instrumenti me anë të të cilit qeveria mund të disponoje mjetet financiare, mund të autorizojë veprimet që në raste të tjera janë të pa autorizueshme. Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligjet e Shqipërisë janë shumë të qarta. Ajo që kam kërkuar sot është shpallja e fatkeqësisë së emergjencës natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kjo është një masë që ndihmon shtetin, ndihmon qeverinë por ndihmon dhe individët. Në kushtet e një emergjencë të shpallur nga shteti, edhe bizneset që janë në marrëdhënie kontraktuale me biznese të tjera jashtë vendit, mund të kenë kontratat e tyre klauzola që i ndihmojnë dhe i shpëtojnë nga detyrimet.
Gjithçka është detyrim ligjor që shteti të marrë ato masa që ka deklaruar dhe që ne i kemi kërkuar prej shumë kohësh për të kufizuar, izoluar dhe krijuar kushtet e izolimit social. Kjo gdhend edhe detyrime nga ana e shtetit. Detyrimet nuk janë vetëm për qytetarët. Gdhend edhe të drejtat për qytetarë, të minimumit jetik”, u shpreh Lulzim Basha.
Arban Domi: Vaksina nuk është për tani, njerëzit të mos e mendojnë për 1 vit
Drejtori i zhvillimit të vaksinave në kompaninë GeoVax, Arban Domi, ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara me emisionin “Opinion” këtë të hënë.
Domi u shpreh, se kryefjala e momentit për njerëzit dhe mediat është vaksina. Mirëpo sipas Domit, vaksina nuk mund të bëhet tani dhe njerëzit nuk duhet ta mendojnë për të paktën 1 vit.
Ajo që duhet bërë, u shpreh Domi, është përqendrimi tek medikamentet ekzistuese dhe ato të reja që mund të luftojnë këtë sëmundje.
“Vaksina është fjala e parë që njerëzit dhe mediat përmendin, por siç e diskutuam dhe herës tjetër në emisionin tuaj vaksina nuk është për tani, vaksinën njerëzit nuk duhet ta mendojnë për 1 vit apo 1 vit e gjysmë. Gjithçka duhet të përqendrohet te medikamentet ekzistuese dhe medikamentet e reja që do të kërkojnë kohë”, tha Domi.
Drejtori i zhvillimit të vaksinave në kompaninë GeoVax u shpreh se po ecet me hapa galopantë për krijimin e një vaksine, por përsëriti se nuk mund të bëhet para 1 viti.
Sa garanci ushqimore ka Shqipëria në kohën e koronavirusit?
Ministri i Shtetit Arben Ahmetaj, i cili është caktuar si koordinator për situatën ekonomike për COVID-19, në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka sqaruar nëse subjektet ushqimore kanë rezerva të produkteve.
Ministri Ahmetaj theksoi se dyqanet ushqimore dhe furnizuesit janë në gjendje të përballojnë një situatë të tillë për periudha të gjata.
“Në bisedat tona me furnizuesit e produkteve ushqimore, japin garanci të plotë për periudha të gjata përtej normales, periudha që parashikojnë gati 2 muaj, 3 muaj.
Kanë dhe përtej këtyre muajve, që kanë porosi të cilat vijnë çdo ditë. Megjithëse është situatë lufte, furnizmi me ushqime është në normalitet të plotë. Nuk kemi asnjë kufizim importi as nga Italia, as nga Greqia, as nga Turqia, nga asnjë vend”, u shpreh ministri Ahmetaj duke siguruar qytetarët se nuk ka asnjë emergjencë për garancinë ushqimore në vend. /tvklan.al