Mëngjesin e kësaj të mërkure në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte e ftuar alergologia Julijana Asllani. Ajo foli sa u takon alergjive, pasi me fillimin e pranverës nis dhe sezoni i tyre për shkak të polenit.
Kohët e fundit është vënë re një rritje e numrit të personave me alergji, këtë e konfirmojnë dhe studimet. Madje Julijana Asllani shprehet se 40% e fëmijëve në popullatë botërore vuajnë nga alergjitë.
“Ka një rritje të prevalencës të sëmundjeve alergjike sidomos atyre respiratore. Mjafton të përmendësh që rreth 30% e të rriturve vuajnë nga rrufa alergjike si dhe 40% e fëmijëve në popullatën botërore. Janë shifra goxha të larta dhe shpesh herë thuhet në studime të ndryshme që po shkojmë drejt të tendence epidemie”, tha mjekja.
Duke përmendur simptomat apo dhe mënyrën se si të mbrohemi ndaj alergjenëve, mjekja iu përgjigj dhe pyetjes nëse alergjia zhduket me moshën. Sipas saj fëmijëve të cilëve u shfaqet alergjia që në moshë të vogël me anë të medikamenteve mund ta qetësojnë dhe ajo mund të zhduket, ose të shfaqet në një moshë adulte.
Megjithatë ajo shton se ka raste, edhe pse të rralla, ku alergjia shfaqet në moshë të madhe. Julijana Asllani shton se ende nuk ka mekanizma qartësues për të tilla raste.
“Ka trende të caktuara, ka individë që u fillon me moshë të vogël dhe mund të bëjnë qetësim të simptomave përgjatë adoleshencës dhe të rishfaqen në moshë adulte. Ka individë që e kanë ekzistente që ka mosha e vogël e deri në moshë adulte. Nuk ende mekanizma specifikë ende të qartë se përse mund të shfaqet në çfarëdolloj moshe, sepse një ditë bukur mund të ndodhë që të zgjohesh dhe të kesh simptoma të alergjisë. Megjithatë është e ditur që mund të ndodhë. Nuk është rasti më i shpeshtë, rasti më i shpeshtë është ai që ndodh që në moshë të vogël”, përfundoi Julijana Asllani./tvklan.al