Altin Dumani u shpreh këtë të mërkurë se Prokuroria e Posaçme ka treguar se është në gjendje që të kryejë në pavarësi të plotë dhe në respektim të Kushtetutës hetime të guximshme edhe ndaj zyrtarëve të lartë. Kjo sipas tij tregon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet.

“SPAK ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe Kushtetutës të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Hetimet tona kanë goditur edhe grupe kriminale të përfshira në trafiqe ndërkombëtare të drogës, pastrim parash, trafikun e qenieve njerëzore”, tha Dumani.

Dumani u shpreh se goditja ndaj fuqisë ekonomike së krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka bërë progres. Sipas tij vetëm në vitin 2024 janë sekuestruar dhe konfiskuar asete me vlerë 59 milionë Euro.

“Vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara në total në vitin 2024 ka arritur në vlerën 59 milionë Euro. Përfshihen edhe kriptovalutat që po gjejnë gjithmonë e më shumë përdorim nga organizatat kriminale duke i përdorur masivisht si për veprime financiare për të blerë sasira të konsiderueshme kokaine, po ashtu edhe për pastrimin e parave”, tha Dumani.

Sipas kreut të SPAK, lufta ndaj pastrimit të parave synon të japë mesazhin e qartë që krimi nuk do të blejë apo të shpërblejë. Sa i përket luftës kundër korrupsionit Dumani tha se ngelet sërish sfidë për institucionin tonë.

“Tashmë jemi në fazën e konsolidimit të institucionit. Periudha 5-vjeçare ka shërbyer për maturimin e institucionit, tani bie dakord që jemi në fazë të re që i takon konsolidimit të institucionit”, tha Dumani.

Ai u shpreh se qytetarët duhet të kenë besim te prokurorët e SPAK dhe garantoi se çdo lloj ndikimi i jashtëm nuk do të dobësojë forcën e tyre hetimore në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.

“Besimi te reforma në drejtësi po rritet dhe qytetarët janë të vetdijshëm që të gjithë vijnë pas ligjit. Sërish ka sfida, por SPAK do të vazhdojë ta kryejë detyrën me integritet duke  u bazuar në Kushtetutë dhe në ligj. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon bashkëpunim të ngushtë mes prokurorëve, policive, agjencive të inteligjencës, autoriteteve financiare dhe institucioneve të tjera. Duhet të keni besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, te përkushtimi i tyre për hetimet komplekse dhe procese që respektojnë të gjitha palët. Garantojmë se çdo lloj ndikimi i jashtëm nuk do cënojë as dobësojë forcën tonë hetimore në përmbushjen e detyrimeve tona kushtetuese, ligjore si dhe misionin përballë shoqërisë”, tha Dumani./tvklan.al