Të ftuar në Opinion: Taulant Balla, Baton Haxhiu, Armand Shkullaku,Agim Nesho dhe Ismail Tasholli. Në lidhje direkte: Ilir Meta-President i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ish-Kryeministër i Shqipërisë, Pandeli Majko-Ministër i Shtetit për Diasporën, Artan Grubi-Zv/Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Rudina Jasini-Avokate e të Drejtës Ndërkombëtare, Angli, Blerta Dalloshi Berisha, gazetare e Tv Klan në Prishtinë.
“Kam shkuar në Shtëpinë e Verdhë, s’kishte prova për transplante organesh”
Zëvendës Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka treguar detajet nga hetimet kundër krimeve të pretenduara të UÇK-së .
Grubi, i cili ka qenë dhe hetues me Tribulanin e Hagës, u shpreh se ka qenë dhe në Shtëpinë e Verdhë në Burrel në fshatin Gurrë, por nuk është gjetur asnjë provë për transplante organesh.
Akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK, Pandeli Majko: Metodë për të ndryshuar elitën politike
Ish-Kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko e konsideron të turpshme atë që po ndodh me akuzat për krime lufte të ngritura ndaj ish-drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së.
Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Majko tha se akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, po bëhen për të ndërruar elitën politike të Kosovës.
Berisha: Në Kosovë nuk janë kryer kurrë transplante organesh nga shqiptarët
Ish-kryeministri Sali Berisha në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan ka komentuar aktakuzat kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Berisha në deklaratën e tij, tha se të gjitha akuzat janë bërë nga Beogradi, duke kujtuar një fakt që ish-kryeprokurori i Beogradit ka furnizuar me dokumente kundër qytetarëve të Kosovës. Më tej ish-kreu i qeverisë tha me bindje se në Kosovë nuk janë kryer kurrë transpalnte organesh, duke shtuar se nëse do ndodhte një gjë e tillë do ishte përdorur nga serbët kundër kosovarëve.
Akuzat ndaj Thaçit, Presidenti Meta: Janë me prapavijë politike të sponsorizuara nga Serbia
Presidenti Ilir Meta i ka konsideruar politike akuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit për krimet e pretenduara të luftës.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Meta tha se akuzat janë të sponsorizuara nga Serbia.