#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Erion Veliaj, Përparim Rama, Hekuran Duka, Marko Kepi, Arbër Pajaziti, Genc Nimanbegu, Visar Ganiu, Rosario Peta, Ferit Idrizi, Guiseppe Rizo
Emisioni i sotëm është fokusuar te festimet për 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Është festa që unifikon të gjithë shqiptarët sepse më 28 Nëntor të vitit 1912, në orët e para të paradites pasi u krijua një kuorum prej më shumë se gjysmës së delegatëve, përfaqësuesish të trojeve shqiptare që reflektonin 60 mijë km2 që qeveria e Ismail Qemalit i kërkoi fuqive të mëdha për krijimin e shtetit shqiptar. U vendos me unanimitet Pavarësia e Shqipërisë dhe krijimi i shtetit. Me rastin e këtij 112 vjetori, Opinion u zhvendos në qendër të Tiranës, me të ftuar 10 kryetarë bashkish shqiptarë në të gjithë botën.
Bashkëpunimi mes bashkive shqipfolëse, Veliaj: Më përpara e shihnim njëri-tjetrin nga televizori, sot…
Emisioni “Opinion” mbrëmjen e sotme ishte krejt i veçantë. Me rastin e Ditës së Pavarësisë, gazetari Blendi Fevziu mblodhi në qendër të Tiranës qytetet shqiptare.
Mes tyre ishte edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai sqaroi se Unioni i Bashkive Shqipfolëse përbëhet nga 77 bashki nga i gjithë Ballkani Perëndimor, ndërsa 47 komuna arbëreshe janë me status vëzhguesi.
Por për Veliajn, i rëndësishëm mes punës së bashkive shqipfolëse është edhe pjesa teknike. Ai tha se kryetarët ndajnë eksperiencat e tyre në mënyrë që të marrin praktikat më të mira.
Kjo është edhe ajo që ka bërë ky union sipas Veliajt, që e ka çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin mes bashkive.
“Jemi munduar që shumë prej praktikave që kemi pasur të mira në bashkitë tona, t’i ndajmë. Ajo që ka ndodhur është që më përpara e shikonim njëri-tjetrin përmes televizorit. Sot këto takime që bëhen të përvitshme dhe pastaj në nivel teknik të përmuajshëm na kanë çuar në një nivel tjetër bashkëpunimi dhe kemi shkuar përtej folklorizmit në bashkëpunim teknik që besoj se është mënyra më e mirë si i shërbejmë qytetarëve tanë”, tha Veliaj.
112 vjet pavarësi, “Opinion” bën emisionin e veçantë. Mblidhen bashkë qytetet shqiptare
112-vjetori i Pavarësisë erdhi ndryshe në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Gazetari Blendi Fevziu kishte vendosur që të mblidhte në qendër të Tiranës 10 kryetarë bashkish shqipfolëse.
Mes tyre ishte mikpritësi, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i komunës së Dibrës së Madhe Hekuran Duka, kryetari i Komunës së Bujanovcit Arbër Pajaziti, kryetari i Komunës së Ulqinit Genc Nimanbegu, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, kryetari i Komunës së Piana degli Albanesi në Itali Rosario Peta, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi, kryetar i Komunës së Cerzeto-s në Itali Guiseppe Rizo dhe Presidenti i shoqatës “Albanian Roots” që është edhe organizator i paradës që zhvillohet në Tiranë dhe New York Marko Kepi.
Ata janë pjesë e Unionit të Bashkive Shqipfolëse që përbëhet nga 77 bashki nga i gjithë Ballkani Perëndimor, ndërsa 47 komuna arbëreshe janë me status vëzhguesi.
Ditën e sotme ata ndoqën Paradën e Shqiptarëve, që u bë për të dytin vit në Tiranë. Sot, përfaqësues nga të gjithë trojet shqiptare, rreth 300 shoqata me 10 mijë vetë kanë parakaluan duke sjellë ngjyrat, folklorin dhe rrënjët e tyre shqiptare.
“800 mijë hyrje në ditë”, Rama flet për transformimin e Prishtinës: Ka vetëm një problem…
“Opinion” erdhi këtë mbrëmje krejt ndryshe nga herët e tjera, m’u në qendrën e Tiranës me një panel të veçantë. Shqiptarë që drejtojnë komuna e bashki në shtete të tjera treguan më shumë për punën e tyre dhe ruajtjen e kulturës e traditave tona.
Prishtina është padyshim qyteti i dytë më i madh i shqiptarëve, pas Tiranës. Kreu i kësaj bashkie Përparim Rama foli për fluksin e popullsisë atje dhe të gjithë planin e transformimit urbanistik.
“Në bazë të Censusit kemi 227 mijë banorë, mirëpo kemi një numër të madh të atyre që jetojnë të paregjistruar në Prishtinë. Në bazë të matjeve të tjera duhet të jenë diku te 400, 450 mijë. Nga ato që vijnë çdo ditë. Kemi një fluks të madh nga të gjitha pjesët e Kosovës, në Prishtinë. Një rritje të vrullshme dhe kemi një numër të madh të atyre që jetojnë e punojnë në Prishtinë. Statistikat thonë se kemi hyrje, jo persona, diku te 800 mijë hyrje në ditë.
Ka pasur fluks të investimeve private, por sa i përket investimeve publike ato kanë munguar. Nuk ka pasur një planifikim të mirëfilltë, tani e kemi një vizion dhe po e transformojmë kryeqytetin. Po bëhen realitet të gjitha ato që i kanë munguar Prishtinës.”
Rama paralajmëroi projekte të mëdha në infrastrukturë, megjithatë moderatori Blendi Fevziu i dha një sugjerim…
Blendi Fevziu: Vetëm pallatet mos i bëni si në Tiranë!
Përparim Rama: Tirana ka ngritur një urbanizëm të mirë, gjë që ka tërhequr shumë turistët.
Kryebashkiaku shtoi se Prishtina ka pasur 30% turistë më shumë se vitin e shkuar.
I vetmi problem që veçoi ishte trafiku.
“Kjo tregon që ka interes në qytetet tona. Është gjë pozitive, por duhet të punojmë për zgjidhjen e tij”, përfundoi ai.
Firmat e kryebashkiakëve shqiptarë në 1 flamur, gjesti i veçantë në “Opinion”
Gazetari Blendi Fevziu kishte ftuar në emisionin “Opinion” këtë 28 Nëntor, 112-vjetor të Pavarësisë 10 përfaqësues të bashkive shqiptare kudo në botë. Fundi i emisionit shënoi edhe një gjest të veçantë ku u vendosën në flamur firmat e secilit prej tyre.
“Një prej kujtimeve më të bukura që kam pasur”, tha Fevziu.
E teksa Fevziu po uronte gjithë shqiptarët, kjo festë u bë më e bukur me një vajzë të vogël që u fut në mes të kryebashkiakëve, e veshur me motive kombëtare.
“Vjen dhe një vajzë e veshur me veshje kombëtare. Hajde në mes. Unë Ju uroj gëzuar 28 Nëntorin gjithë shqiptarëve kudo që janë, festën ndoshta më të madhe që bashkon gjithë shqiptarët”, tha Fevziu në mbyllje të emisionit.
/tvklan.al