Të ftuar:

Ilir Meta – President i Repuplikës së Shqipërisë

Baton Haxhiu – Gazetar

Prenç Zogaj – Analist

Mustafa Nano – Gazetar

Berat Buzhala – Gazetar

Presidenti Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu komentoi për herë të parë propozimin e kryeministrit Rama për ta dekretuar në postin e Ministrit për Europën dhe Punët me Jashtë.

I pyetur nga Fevziu nëse do e dekretojë ose jo, Meta tha se i duhet një kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe për të dhënë një vlerësim të plotë”.

Kreu i shtetit foli edhe për zhvillimet e fundit politike.

Më poshtë, intervista e plotë për emisionin “Opinion”.

Gazetari (Blendi Fevziu): Zoti President, mirëmbrëma dhe faleminderit për këtë intervistë të shkurtër!

Presidenti Meta: Mirëserdhët! Kënaqësia ime.

Gazetari: Që prej tri-katër ditësh jeni në qendër të vëmendjes me kryeministrin e Shqipërisë, madje ditën e premte ai ka qenë agresiv me ju, duke ju konsideruar një lloj zgjatimi, po e quaj, apo çizmeje e opozitës shqiptare. Në fakt sot kryeministri ka deklaruar se do të marrë vetë përsipër postin e ministrit të Jashtëm. Ky është lajmi më i fundit. Çfarë qëndrimi keni?

Presidenti Meta: Është një lajm i freskët dhe mesa jam në dijeni, pak më parë ka mbërritur apo është protokolluar një propozim i tillë, për të cilin natyrisht që më duhet një kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe për të dhënë një vlerësim të plotë.

Gazetari: Ç’do të thotë një kohë e mjaftueshme, zoti President? Për çfarë do të këshilloheni ju për Edi Ramën?

Presidenti Meta: Besoj se kohë e mjaftueshme do të thotë që çdo veprim të bëhet me përgjegjshmëri, duke respektuar Kushtetutën dhe duke marrë në konsideratë çdo kërkesë të vetë Kushtetutës.

Gazetari: A do të përdoren kriteret që janë përdorur edhe në rastin e Cakajt për Ramën? Që do të thotë, a do të shihet edhe përmbajtja e deklaratave të tij lidhur me qëndrimin për shembull ndaj shkëmbimit të territoreve, idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimi i diplomacisë shqiptare në këtë drejtim?

Presidenti Meta: Jua thashë edhe një herë që një kërkesë e tillë sapo është depozituar dhe do të kërkojë kohën e saj. Dhe përgjigjja do të jetë tepër e përgjegjshme, por edhe transparente.

Së dyti, nuk mund të bëjmë një paralelizëm të rastit të kandidatit të mëparshëm me kandidatin e vetëpropozuar, për arsye se në rastin e dytë kemi të bëjmë me një figurë të njohur politike, ndërsa në rastin e parë kishim të bënim me një figurë tërësisht të panjohur deri më sot, të paktën për mua si President i Republikës, por kam përshtypjen edhe në tërësi për opinionin publik.

Gazetari: Që do të thotë zoti Meta, se ju do t’i përgjigjeni ‘po’, pra do ta dekretoni Ramën si ministër të Jashtëm?

Presidenti Meta: Që do të thotë se do të më duhet kohë për të dhënë një përgjigje të qartë, të plotë dhe shteruese.

Gazetari: A duhet që përpara se të dekretoni Ramën si ministër të Jashtëm, ju duhet të çdekretoni, pra të dekretoni shkarkimin e ministrit Bushati? Dhe pse nuk e keni bërë këtë gjë?

Presidenti Meta: Sepse nuk ka qenë domosdoshmëri për të shkarkuar apo për të bërë dekretin e shkarkimit të zotit Bushati për faktin se nuk kam qenë i bindur për të emëruar pasuesin e tij dhe Ministria e Jashtme nuk është si të gjitha ministritë e tjera…

Gazetari: Përse?

Presidenti Meta: …është tepër e rëndësishme dhe delikate në këto momente. Qoftë edhe për një arsye të thjeshtë e të re: për faktin se Shqipëria tashmë është anëtare e Trojkës së OSBE-së dhe Shqipëria përgatitet të marrë drejtimin e OSBE-së. Dhe në çdo moment, qoftë për shkak të zhillimeve në rajonin tonë, qoftë për shkak të zhvillimeve në rajone të tjera që mbulon OSBE-ja, mund të bjerë një zile në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë nga kolegët e tij të Trojkës për të bërë një konsultë, për të mbajtur një qëndrim në emër të OSBE-së, sigurisht që aty duhet të ketë një njeri, që ka përgjegjësi të plota kushtetuese për të ndarë me ta qëndrimin e Shqipërisë.

Gazetari: Zoti President, kjo do të thotë që çdekretimi i Bushatit do të lidhet me kandidaturën pasuese të tij?

Presidenti Meta: Po, normal.

Gazetari: Pra nuk është se ju jeni i vendosur për të mos shkarkuar Bushatin?

Presidenti Meta: Nëse do të flisnim në planin e një raporti personal, ndoshta nga propozimet e kryeministrit Rama, kandidatura e zotit Bushati do të ishte e para që mund të kisha firmosur për ta liruar nga kjo detyrë, por unë nuk nisem nga vlerësimet personale apo nga raportet ndonjëherë të vështira që mund të kem pasur me ministra të caktuar. Unë nisem nga përgjegjësia shtetërore në veprimet e mia, dhe për shkak se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është institucion shumë i rëndësishëm për sigurinë kombëtare gjithashtu, por edhe i përfaqësimit ndërkombëtar të vendit tonë, nuk ma lejon të bëj veprime të nxituara.

Gazetari: Cili është neni kushtetues që iu referuat zoti President, sepse kryeministri Rama pak më parë është shprehur se: “Presidenti nuk e ka çdekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues, shkelja e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën Kushtetuese? Deri atë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol, sepse nuk kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit? Ndërsa pak ditë më parë është shprehur: Mos prisni të merrem me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizmen rezervë të Doktoreshës së Shkencave. Gjykata e re Kushtetuese do t’i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do të jetë e gjitha te njerëzit dhe zero te çizmet.” Që do të thotë se ju konsideron shkelës të Kushtetutës dhe tejkalues të kompetencave tuaja.

Presidenti Meta: Është argëtim për mua të dëgjoj komente të tilla, por të jeni të sigurt se Partia Socialiste është një parti serioze, e cila gjithashtu ka ndihmuar edhe jurisprudencën kushtetuese me aktet që ka bërë dhe me kërkimin nga Gjykata Kushtetuese në të kaluarën për të sqaruar rolin dhe pozitën e Presidentit në politikën e jashtme. Dhe këtu i referohem në mënyrë të veçantë vendimit nr. 15, datë 15. 04. 2010 të Gjykatës Kushtetuese.

Gazetari: Që thotë?

Presidenti Meta: Që bën shumë të qartë se cili është roli i kryetarit të shtetit në fushën e politikës së jashtme, në lidhjen e traktateve ndërkombëtare, të marrëveshjeve politike, pra të marrëveshjeve më të rëndësishme në emër të shtetit dhe gjithçkaje tjetër.

Gazetari: Jo për dekretimin e ministrit?

Presidenti Meta: Do më falni! Dhe përsa i takon çështjes së dekretimit, dua të sqaroj se lidhur me afatet ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese në të kaluarën, në rastin kur Kuvendi nuk ka respektuar afatin e 10 ditëve për t’u shprehur për dekretetet e Presidentit me propozim të kryeministrit, e ka bërë të qartë se kur nuk ka pasoja nga tejkalimi i afatit, nuk ka problem.

Dhe unë kam një pyetje për ju: A ka ndonjë pasojë nga mosdekretimi i shkarkimit të zotit Bushati? Jo! Pasojë mund të kishte në rast se unë do ta kisha shkarkuar zotin Bushati dhe në krye të MEPJ-së për momentin do të kishim një situatë kur do të kishim një zëvendësministër, i cili nuk do të kishte përgjegjësi të plota kushtetuese për këtë institucion aq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare gjithashtu.

Gazetari: Por keni refuzuar kandidatin Gent Cakaj, i cili përbën një precedent krejtësisht të ri në marrëdhëniet midis presidentit dhe kryeministrit. Deri më sot, mbi njëzet vite nga Kushtetuta e 28 nëntorit të vitit 1998, presidentët kanë vetëm kundërfirmosur kërkesat e kryeministrave. Përse ju keni vendosur të zbatoni një standard të ri? Natyrisht kuptohet në mungesë të Gjykatës Kushtetuese që do të shprehej për këtë çështje. Nga cili argumentim niseni?

Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese nuk shprehet dot për kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Gazetari: Si nuk shprehet dot? Jeni i bindur për këtë zoti President?

Presidenti Meta: Së pari, neni 98 pika 1, ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda shtatë ditëve. Dy, dekretet, pra dekreti i Presidentit shqyrtohet brenda dhjetë ditëve nga Kuvendi.

Gazetari: Po në se i drejtohen Gjykatës Kushtetutës dhe ta pyesin se çfarë ndodh kur Presidenti…? …nuk e dekreton?

Presidenti Meta: Më falni! Të vësh në pikëpyetje këtë kompetencë kushtetuese që Kushtetuta ia ka dhënë Presidentit, është njësoj sikur Presidenti të çojë në Gjykatë Kushtetuese kompetencën që Kushtetuta i jep kryeministrit për të propozuar. Dhe të çojë në Gjykatë Kushtetuese këtë propozim si antikushtetues për arsye se personi në fjalë ka një, dy apo tri probleme, nga ato të cilat janë bërë publike edhe nga ana e Presidentit të Republikës.

Gazetari: Por si veprohet në rastet kur…? …ju nuk e firmosni zoti Meta?

Presidenti Meta: Pra kjo është tërësisht absurde dhe tregon qartë që kemi për fat të keq politikanë, të cilët duhet të tregonin përgjegjësi të larta shtetërore, madje edhe kombëtare, sepse bëhet fjalë për një post jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe që e shikojnë edhe Gjykatën Kushtetuese si një komision të garancive statutore në një parti të caktuar.

Atëherë ajo që mund t’ju them me pak fjalë është kjo, që duhet ta kuptojnë të gjithë: Kushtetuta e Shqipërisë për këtë rast, nuk është si Kushtetuta e Greqisë, ku roli i Presidentit është një rol ceremonial, pra në fund fare ku bëhet betimi…

Gazetari: Kundërfirmues.

Presidenti Meta: … Kushtetuta e Shqipërisë në këtë rast është si Kushtetuta e Republikës së Italisë ku Presidenti ka një rol substancial, që shprehet përmes vullnetit të tij, përmes dekretit për emërimin apo për shkarkimin, dhe ka njëkohësisht në fund, pasi shprehet parlamenti, ka edhe një rol ceremonial.

Kështu që çdo përpjekje…

Gazetari: Po ju po bëni pjesën e kryeministrit…? A mund t’i diktoni atij zgjedhjen e ministrave?

Presidenti Meta: Unë nuk i diktoj kryeministrit zgjedhjen e ministrave, por Kushtetuta i ka dhënë këtë kompetencë Presidentit, për arsye se Presidenti duhet të shërbejë në një rast të tillë si një filtër kushtetues për integritetin dhe besueshmërinë…

Gazetari: Mbi bazën e opinioneve personale të Presidentit?

Presidenti Meta: Jo! Jo! Më falni! Mbi bazën e atyre shpjegimeve që Presidenti është i detyruar t’ia japë kryeministrit edhe në mënyrë informale apo formale, por edhe publikisht në rast se kjo gjë është e domosdoshme. Kështu që…

Gazetari: Ju po thoni që sot e tutje, përsa kohë ju do të jeni President i Republikës, do ta ushtroni këtë kompetencë kështu siç e lexoni sot? Pra që keni të drejtë të ktheni një kandidat që propozon kryeministri nëqoftëse keni arsyetimet tuaja?

Presidenti Meta: Duhet të shpjegoj momentin: Kushtetuta imponon bashkëpunim midis Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit. Dhe ne kemi pasur raste – ju e dini shumë mirë! – që Kuvendi, edhe pse Presidenti ka dërguar dekrete për emërim apo shkarkim, me propozimin e Kryeministrit, i ka rrëzuar dhe nuk i ka votuar. Nuk ka qenë i detyruar t’i votojë. Ka shprehur vullnetin e tij. Këtë gjë mund ta bëjë edhe Presidenti, natyrisht me ato argumente që ai duhet t’i bëjë. Unë personalisht jam përpjekur të tregoj vullnetin maksimal të bashkëpunimit me Kryeministrin për këtë çështje.

Gazetari: Ku është ky vullnet, sepse nuk po ju kuptoj?

Presidenti Meta: Ky vullnet ka qenë i qartë edhe në takimin ku unë e kam ftuar të bëjmë për të diskutuar edhe rastin në fjalë përpara se të shpallja dekretimin e katër ministrave të tjerë, të cilët u shpallën.

Gazetari: Ia keni dhënë ju vërejtjet tuaja zotit Rama? Si ka reaguar?

Presidenti Meta: Po, ia kam thënë. Ia kam bërë të qarta arsyet se përse këtë person të propozuar prej tij, për të cilin ai kishte vlerësim shumë të lartë, nuk mundem t’ia besoja detyrën e ministrit të Jashtëm.

Gazetari: Përse? A mund ta thoni sot?

Presidenti Meta: Për të gjitha ato arsye që janë publike dhe të cilat janë tërësisht të mjaftueshme.

Gazetari: Përse janë të mjaftueshme, zoti Meta?

Presidenti Meta: Për një njeri që shkel ligjin: gjashtë muaj zëvendësministër, nuk merr çertifikatat e sigurisë, nuk mund ta kuptoj dot se si mund të promovohet! Mirë që nuk shkarkohet… E ka pasur detyrim ai këtë gjë dhe e ka detyrë çdo zëvendësministër i Jashtëm që të pajiset me këto çertifikata të sigurisë. E ka pasur edhe pjesë të punës së tij, sepse e ka pasur pjesë të punës së tij me Bashkimin Europian. Kështu që kjo nuk ka asnjë justifikim. Kush përpiqet të justifikojë këtë ndjenjë të mungesës së përgjegjësisë në zbatimin e ligjeve dhe të detyrimeve të një zyrtari të lartë, pastaj…

Gazetari: Ndërkohë zoti Meta, po brenda vendimit tuaj, ju keni dhënë një qëndrim që ai ka mbajtur në një emision të Baton Haxhiut në Kosovë, ku në fakt ai nuk rezulton ekzaktësisht ashtu, sepse pak më poshtë, ai flet në mënyrë të prerë dhe të saktë që ai ka qenë kundër ndarjes së kufijve. Pra në njëfarë mënyre ai thotë komunat nuk janë etnikisht shqiptare, pra nuk mund të ketë ndarje mbi bazë etnike të kufijve. Me këtë kriter, është zoti Rama që duket më entuziast për shkëmbimin e territoreve se sa zoti Cakaj?

Presidenti Meta: Zoti Fevziu, kriteri i parë që unë i thashë apo shqetësimi i parë që unë kam shprehur…

Gazetari: DSIK-ja…?

Presidenti Meta: Që nuk është pak. Dhe nuk është pak zotëri që jo vetëm për gjashtë muaj në atë detyrë nuk pajisesh me këto çertifikata, por edhe pse je shpallur si ministër që më 28 dhjetor, edhe pse kryeministri për ty ka firmosur propozimin për dekretin e Presidentit më 31 dhjetor, ti e plotëson vetëm në datën 3 janar, dhe merren çertifikata mjaft të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë e informacioneve edhe të NATO-s, edhe Bashkimit Europian, jo vetëm të Shqipërisë, brenda 24 orëve.

Gazetari: Kjo është çështje që duhet t’i takojë DSIK-së, jo kandidatit? Ju zoti President a keni kërkuar informacione, burime alternative përtej Shqipërisë për zotin Cakaj?

Presidenti Meta: Kam një pyetje për ju. Një kandidat për ministër, i cili pranon të dekretohet apo të firmoset pa pasur një dokument të tillë, nuk e kuptoj a mund të kem besim unë si President i Republikës, që kam përgjegjësi të jashtëzakonshme të përcaktuara qartë nga Kushtetuta dhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rolin e Presidentit në marrëveshjet ndërkombëtare që t’i delegoj këtij njeriu, t’i jap besim, t’i jap plotfuqi për marrëveshje të rëndësishme? E kam të pamundur.

Gazetari: Po nga verifikimet që ju si President i Republikës, si kreu i shtetit nga institucione, po e quaj, të cilat janë marrë me hetimin e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë, rezultoi që të kishte ndonjë problem për zotin Cakaj?

Presidenti Meta: Zoti Fevziu, si mund të bëhet një hetim në 24 orë për një njeri që ka dy shtetësi dhe që ka jetuar në dy vende të huaja?

Gazetari: Por ju i keni kërkuar besoj organeve konkrete shqiptare, Shërbimit Sekret apo atyre që merren me këtë çështje. Ju ka ardhur ndonjë informacion problematik për këtë kandidat?

Presidenti Meta: Nuk besoj se institucionet e tjera nuk kanë qenë në të njëjtin presion si DSIK për të bërë letrat sa më shpejt. Ndërkohë që kanë pasur kohë për të bërë një proces të besueshëm me kohë.

Dhe nuk do të kisha dëshirë që të jepja këto shpjegime publike dhe për standardet se si ka funksionuar DSIK-ja, por isha i detyruar për shkak se Kryeministri nuk e pranoi sugjerimin tim në lidhje me këtë çështje.

Gazetari: Ndërkohë, Kryeministri si ka reaguar kur i keni thënë çështjen e DSIK-së?

Presidenti Meta: Nuk dua të hyj në këtë çështje. Unë i kam thënë këtë gjë Kryeministrit: ky person për këto arsye, për shkak të kësaj çështjeje kaq delikate, për shkak të faktit që ne kemi marrë kryesimin e OSBE-së e që është tepër e rëndësishme. Për shkak të çështjes me Bashkimin Europian që është tepër e rëndësishme, për shkak edhe të kësaj deklaratës që nuk është ashtu siç thoni ju.

Besoj se koncepti i tij është shprehur shumë qartë: “që ka evoluime në suazat e korrigjimeve të përgjithshme territoriale në Ballkanin Perëndimor”. Nuk e di se ku në BE janë shfaqur këto koncepte për korrigjime të përgjithshme territoriale. Nuk e di ku.

Gazetari: Në koncept nuk duhet të dekretoni Ramën atëherë. Është shprehur zoti Rama për korrigjimin e kufijve më hapur në favor se sa të tjerët…

Presidenti Meta: Kjo është çështje tjetër, ka kohën e vet për t’u shprehur. Për rastin në fjalë, unë e kam ndjekur me shumë vëmendje. Nuk kam pasur asnjë paragjykim….

Gazetari: ….Asnjë paragjykim personal për zotin Cakaj?

Presidenti Meta: Asnjë paragjykim, por sigurisht që kur vë re se ky Zëvendësministër për 6 muaj refuzon të plotësojë një detyrim ligjor, nuk më duket normale, nuk më duket një ndjenjë e lartë përgjegjshmërie.

Gazetari: A ka një paragjykim ngaqë ai vjen nga Kosova?

Presidenti Meta: Zero – por unë nuk kam refuzuar Veton Surroin, nuk kam refuzuar as Hasan Prishtinën, më vjen keq – dhe jo vetëm kaq, por unë i kam thënë Kryeministrit në takimin paraprak, se kam dashur ta shmang këtë debat. I kam thënë se nëse ke një vlerësim kaq të lartë, sepse ai kishte vlerësim shumë të lartë për të, bëje Ministër i Kulturës, bëje një ministër tjetër…

Gazetari: ….Dhe ishit gati ta dekretonit në një post tjetër?

Presidenti Meta: Po, patjetër, sepse për mua një post tjetër nuk është i një rrezikshmërie të tillë siç mund të jetë në postin e Ministrit të Jashtëm, sepse një Ministër i Jashtëm mund të hedhë një firmë dhe një shtet mund të përfundojë për dekada të tëra në gjykata zotëri. Dhe pastaj Presidenti do t’ia linin fajin, do thoshin ai e dekretoi, nuk kemi ne përgjegjësi. Presidentit do t’ia linin përgjegjësinë prapë.

Gazetari: Zoti President, a ndani ju dhe Kryeministri i Shqipërisë qëndrime të ndryshme për çështjen e shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë? Dhe nuk besoj se ju dhe Kryeministri të mos keni folur të paktën ballë për ballë për këtë çështje kaq të rëndësishme, siç e quani ju.

Presidenti Meta: Unë dua t’ju them dy gjëra për këtë çështje. E para, raporti im si President i Shqipërisë me të gjithë aktorët në Kosovë, aktorët institucionalë dhe drejtuesit kryesorë të opozitës, zotin Isa Mustafa dhe zotin Albin Kurti.

Qëndrimi im ka qenë dhe do të mbetet: të bëhet çdo përpjekje për një marrëveshje me Serbinë.

Së dyti, unitet, sepse çdo përçarje e defaktorizon Kosovën në raport me Serbinë dhe që ne do të përkrahim çdo gjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Dhe tjetra, asnjë hap përpara pa koordinim të ngushtë në mënyrë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Natyrisht edhe me faktorë të tjerë. Pse? Sepse kanë qenë nga vendet kryesore të përkushtuara për çlirimin e Kosovës dhe për të gjithë arritjet e Kosovës deri tani. Ky ka qenë qëndrimi im.

Tani të kalojmë te Shqipëria, si President i Shqipërisë. Nëse ka një vend nga 115 vende pak a shumë, që e kanë njohur Republikën e Kosovës, vendi i fundit në botë që mund të pranojë një vënie sadopak në diskutim të pavarësisë së Kosovës, të integritetit territorial të Kosovës dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që përmendet shumë pak, është Shqipëria.

Çdo shtet tjetër, përfshirë edhe aleatët tanë më të fortë dhe më të dashur, përveç Kosovës kanë edhe shumë çështje të tjera më të rëndësishme apo shumë më të rëndësishme. Ndërsa Shqipëria, çështjen më të rëndësishme ka Kosovën dhe stabilitetin në rajon.

Gazetari: Por këtu bëhet fjalë për konsolidim të pavarësisë së Kosovës dhe jo për vënien në diskutim të saj. Pse mendoni që ky proces e vë në diskutim?

Presidenti Meta: Unë nuk thashë diçka që kishit ju në mendje, por bëra të qartë këtë qëndrim timin si President i Shqipërisë.

Gazetari: Zoti President, ju keni shpërndarë një deklaratë ditën e premte ku thoni: “Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”

Ku ka guxuar zoti Rama të kërcënojë Presidentin e Republikës?

Presidenti Meta: Më duket se kam qenë shumë i qartë në të gjitha këto çështje dhe besoj se deri në fund në këtë institucion interesi kombëtar është i pari, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e para dhe Shqipëria është e para.

Gazetari: A po i jepni ju një dorë opozitës në një moment goxha të vështirë për Kryeministrin, të cilit nga një anë i dalin studentë në proteste, nga një anë tendera falsë, nga një anë tjetër ka probleme me të vetët. Pra, a po i jepni edhe ju një krah opozitës për t’i dhënë goditje të fortë, ose nuk po e quaj të fundit, Kryeministrit? A po hyni në lojën politike?

Presidenti Meta: Mendoj se duhet të bëhemi më të përgjegjshëm për shtetin tonë. Arroganca për fat të keq e Kryeministrit është shkaku i kësaj situate të gjithanshme konfliktuale në vend dhe për këtë na mjafton rasti i marrëdhënieve të institucionet të Presidentit me Kryeministrin për të kuptuar më thjeshtë se çfarë ndodh midis Kryeministrit dhe të gjithë institucioneve të tjera apo Kryeministrit dhe opozitës.

Gazetari: Ju mendoni që ka arrogancë institucioni i Kryeministrit ndaj jush?

Presidenti Meta: Në rast se unë do të kisha dashur të merresha me politikë dhe për hatrin tuaj po merrem pak me politikë, por me politikë në mbrojtje të Kushtetutës dhe të interesit publik do të isha marrë dhjetë herë më shumë, 100 herë më shumë edhe se opozita e sotme në mënyrë që edhe ajo të jetë në lartësinë e detyrës, pikërisht me një ligj tjetër përveçse shumë çështjeve të tjera për të cilat sjellja ime ka qenë tepër institucionale. Ligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin mbi tatimin mbi të ardhurat, që ka të bëjë me shpërndarjen e dividentit, të cilin unë e ktheva ku neni 155 i Kushtetutës bën të qartë se: “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”.

Çuditërisht ligjit iu dha fuqi prapavepruese dhe pa afat, duke shkelur rëndë, jo vetëm këtë shprehje shumë të qartë të Kushtetutës, por edhe barazinë e subjekteve që do të thotë që këtu ka shumë punë për të bërë, parlamenti dhe opozita. Jo vetëm kaq, por gjithçka është bërë në mungesë të plotë të transparencës, pasi nuk është njoftuar Institucioni i Presidentit për dekretin që Presidenti ka kthyer në Parlament për rishqyrtim, duke e bërë të qartë se ku qëndron shkelja kushtetuese dhe ku qëndron dëmi i interesit publik, sepse dëmtohet të ardhurat e shtetit përveçse shkelet barazia e subjekteve para ligjit.

Ndërkohë, kjo ka ndodhur në një ditë kur opozita ka qenë në Parlament. Pra, po të donte Presidenti të bënte politikë mund të merrej me këtë çështje ditë e natë, sepse shkelja e Kushtetutës këtu është tepër e qartë. Dëmi i interesit publik është tepër serioz, por Presidenti nuk është marrë me këtë gjë, por ka bërë detyrën e tij dhe Presidenti duhet të bëjë detyrën e tij, opozita duhet të bëjë detyrën e saj, qeveria duhet të bëjë detyrën e vet, po nuk duhet ta detyrojnë Presidentin të bëjë edhe detyrat e të tjerëve.

Gazetari: Zoti President, a ka një raport të tensionuar mes jush dhe zotit Rama?

Presidenti Meta: Asnjë tension midis meje dhe zotit Rama.

Gazetari: Vazhdoni të jeni të qetë kur takoheni? Të qeshni, të flisni normalisht?

Presidenti Meta: Për mua nuk ekziston asnjë problem personal. Problemi është që zoti Rama nuk i respekton dot institucionet. Për të, çdo gjë që i pëlqen është kushtetuese dhe e ligjshme. Çdo gjë që nuk i pëlqen është anti-kushtetuese dhe e paligjshme.

Gazetari: Por kur e keni mësuar këtë gjë te zoti Rama? Është diçka e re apo kështu e ka pasur gjatë gjithë karrierës së tij politike?

Presidenti Meta: Prisnim të përmirësohej.

Gazetari: Dhe në diagnostikimin tuaj, është përkeqësuar apo është përmirësuar?

Presidenti Meta: Tani, rastet e fundit flasin për përkeqësim për fat të keq.

Gazetari: Keni marrë një mesazh që më pas u bë publik nga gazetari Baton Haxhiu. Si jeni ndjerë pasi morët atë mesazh? Apo nuk e keni lexuar?

Presidenti Meta: Kam njohur dikur një person me këtë emër, por nuk figuron që ekziston më ai që kam njohur unë.

Gazetari: Si nuk të figuron më?

Presidenti Meta: Kam njohur dikur një Baton, por nuk më figuron më që ai person më siç e kam njohur unë.

Gazetari: Zoti President, kur mund të kemi një përgjigje për propozimin e Kryeministrit për t’u bërë vetë Ministër i Jashtëm?

Presidenti Meta: Më duhet pak kohë, por në çdo rast më pak se 7 ditë.

Gazetari: Faleminderit!

Presidenti Meta: Faleminderit edhe juve!

*********************************

Cfare nxoren pergjimet e VOA?