#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Merin Maci, Spartak Koka, Ferdinand Dervishi, Glidona Daci, Ervin Hodaj, Andi Duraj, Asllan Dogjani
Misteri i vrasjes së 52-vjeçarit në Tiranë, gazetari tregon dinamikën: U qëllua nga pas…
Eduart Reçi, 52 vjeç, humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri pak para mesnatës së të enjtes në Tiranë. Deri më tani motivet dhe autorët e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë mbeten mister. Emisioni “Opinion” u mundua këtë të enjte që të hedhë dritë mbi këtë rast. Gazetari Merin Maçi sqaroi para Blendi Fevziut të gjithë dinamikën e ekzekutimit.
“Ka qenë në këtë godinë pesëkatëshe së bashku me bashkëshorten e tij ku kanë disa ambiente që i japin me qira në formën e AirBnB. Po në këtë zonë kanë një banesë në këtë pallat, ndërsa është dhe një biznes po në pronësi të 52-vjeçarit të dhënë me qira. Rreth orës 22:44 ka qenë në ambientet e godinës pesëkatëshe së bashku me bashkëshorten duke kryer disa procese të mirëmbajtjes së kësaj godine. Në orën 22:44 është shquar nga kamerat teksa del vetëm. Në duar ka telefon teksa shihet duke shkruar”, tha Maçi.
Në të njëjtën minutë, Maçi thotë se dëshmitarët kanë dëgjuar një të shtënë të mbytur. Prandaj dyshimet e policisë janë që qitja është bërë me një armë sportive të shkurtër. Kjo pasi armët sportive nuk prodhojnë aq shumë zhurmë.
“Nuk është ajo zhurma karakteristike e armëve të zjarrit. Mund të ketë përdorur silenciator ose armë sportive. Të paktën ky është dyshimi i grupit hetimor që qitja është bërë me armë sportive të shkurtër”, tha Maçi.
Pasi është qëlluar 52-vjeçari ka rënë në tokë. Kanë qenë stafi i biznesit të lëshuar me qira prej tij që e kanë konstatuar të shtrirë. Ata janë afruar për t’i dhënë ndihmën e parë. Pasi janë afruar edhe klientë në lokal, por edhe të afërm të tij kanë bërë lajmërimin e policisë në orën 23:00, rreth 15 minuta pasi është qëlluar.
“Denoncimi është bërë për një person të gjakosur, ndoshta edhe për shkak të tronditjes që kanë pësuar nga skena që kanë parë”, tha gazetari.
Policia kur ka parë skenën e ngjarjes ka kuptuar që kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Nga analizat e bëra rezulton se Reçi kishte në trup një gëzhojë 7 milimetërshe.
“Në spital është parë që plumbi që ka marrë 52-vjeçari është në pjesën e djathtë të kokës, mbi vesh. Një plumb i vetëm. Për disa orë ka luftuar me jetën, por nuk ka arritur të mbijetojë”, tha gazetari.
Në kamerat e sheshpushimit nuk ka asnjë gjurmë të personit që mund të ketë gjuajtur. Nga eksperimentimet e kryera sot dyshimet janë se goditja mund të ketë ardhur nga një objekt pas krahëve të tij, në një distancë gati 20-30 metra.
“Nga grupi hetimor më thonë që nuk është pistoletë, një armë që ka precizion dhe në këtë kushte dyshimet janë për një armë sportive. Ajo që e bën më enigmë, është e kaluara e 52-vjeçarit”, tha Maçi.
Vetëm një predhë në vendngjarje! Drejtori i Krimeve: Reçi nuk është qëlluar me armë të zakonshme…
ipas Drejtorit të Krimeve të Rënda Ervin Hodaj, policia është angazhuar maksimalisht në zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi. Në studion e “Opinion” këtë të Enjte, Hodaj tha se në vendin e ngjarjes është gjetur vetëm një predhë e kalibrit të vogël. Ai theksoi se 52 vjeçari mund të jetë qëlluar nga një distancë 20-30 m, me një armë jo të zakonshme.
“Ditën e djeshme rreth orës 23:00 është marrë telefonata e parë për një person të shtrirë në ambientet para pallatit, i gjakosur në kokë. Aty policia ka gjetur bashkëshorten e tij dhe banorët e pallatit. Rreth orës 04:00 të mëngjesit ai ka ndërruar jetë. Është vlerësuar maksimalisht zbardhja e ngjarjes, nuk ka pasur shumë dëshmitarë, për shkak dhe të kohës. Kemi punuar me kamerat e vendit të ngjarjes. Sot kemi punuar përsëri ku është gjetur një predhë e kalibrit të vogël, pra nuk është armë e tipit të zakonshëm. Mund të jetë e një modeli tjetër, 5.56 mm dhe dëmtimi nuk ishte shumë i madh…Nëse do e merrte në trup mund të mos kishte pasoja. Është një distancë rreth 20-30 m, janë bërë disa eksperimente hetimore. Predha është gjetur, gëzhoja jo. Këto lloj armësh nuk e nxjerrin gëzhojën, kështu që do jetë e vështirë për ta gjetur.”
Hodaj shtoi se viktima nuk ka asnjë rekord kriminal.
“Nuk ka ndonjë të kaluar kriminale. Jemi në orët e para të zbardhjes së ngjarjes. Po trajtohen të gjitha pistat, nuk përjashtojmë asnjë! S’ka asnjë rekord kriminal në arkivat tona”, tha ai.
Vrasja me 13 Nëntor, rastësi? Koka zbulon çfarë i ndodhi 13 vite më parë 52-vjeçarit Eduart Reçi
Vrasja e Eduart Reçit mbrëmjen e së enjtes në Tiranë ka tronditur opinionin publik. Deri më tani motivet dhe autorët e kësaj ngjarje mbeten mister.
Gazetari Spartak Koka zbuloi gjatë emisionit “Opinion” një detaj në lidhje me viktimën 52-vjeçare. Ai u shpreh se 13 vite më parë, ekzaktësisht më 13 Nëntor (data që u vra), Reçi është dhunuar nga 6 persona, 3 prej të cilëve janë identifikuar.
Nga kjo ngjarje, e cila ka ndodhur ekzaktësisht 13 vite para vrasjes së tij, Reçi ka pësuar dëmtime të rënda. Shkak i kësaj ngjarjeje dyshohej konfliktet e pronësisë. Prandaj sipas gazetarit Koka, kjo pistë duhet marrë në konsideratë nga policia.
Spartak Koka: Rastësi ose jo 13 vjet më parë, në të njëjtën datë, 13 Nëntor, në drekë, Eduart Reçi ka denoncuar se në vendin e quajtur Rruga e Elbasanit, brenda një banese private, 3 shtetas, 6 në total, por 3 të identifikuar, shtetasi me iniciale N.P, X.B, S.A dhe tre persona të tjerë e kanë goditur me grushta, me shkelm, me mjete të forta, të zotin e shtëpisë Eduart Reçi dhe nipin e tij, E.M.
Blendi Fevziu: 13 vjet më parë?
Spartak Koka: Ekzaktësisht 13 vjet më parë, më 13 Nëntor. Më 13 Nëntor është vrarë dhe ai ditën e djeshme.
Blendi Fevziu: I di policia këto?
Spartak Koka: I di sepse nga policia e kam marrë unë këtë informacion.
Blendi Fevziu: 13 vjet më parë në të njëjtën datë?
Spartak Koka: Është bërë denoncim në komisariatin numër 1. Dëmtimet kanë qenë të shumta. Dëmtimet trupore tek Eduart Reçi kanë qenë të shumta dhe tek nipi i tij. Dyshohej në atë kohë për një problem në raport me pronësinë, pasi Eduart Reçi i ka vënë në dispozicion policisë edhe dokumentacionin përkatës me njërin prej personave me të cilin ka pasur problematikë. Është bërë kallëzim, është bërë aktekspertimi mjekoligjor. Unë e kam të paqartë sot, policia mund ta konfirmojë më mirë, se çfarë ka ndodhur me këtë ankesë? A është zgjidhur ky konflikt pronësie? Të vetmin problem që është zgjidhur ka pasur një goditje të një punonjësi të Kadastrës në vitin 2014, në mos gaboj. Një nga elementët që është kryesor në këtë konflikt janë çështjet e pronësisë. A mund të jenë çështje si kjo e 2011, a mund të jenë çështje të tjera, një nga pistat që duhet marrë në konsideratë është çështja e pronësis.
/tvklan.al