#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Iris Luarasi, Baton Haxhiu, Armand Shkullaku, Belind Këlliçi, Ilva Gjuzi, Mark Marku
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë hedhur skuadrat e tyre të zgjedhjeve 2025. Kemi hyrë në vitin zgjedhor. Zgjedhjet pritet të jenë diku rreth muajit maj dhe Partia Demokratike e Partia Socialiste kanë përgatitur ekipet që do t’i drejtojnë në 12 qarqe. Rama dhe Berisha kanë ndërtuar jo vetëm ekipet e tyre, por me gjasë do të fillojnë edhe ndërtimin e një strategjie elektorale. Brenda kësaj strategjie elektorale ka një sërë të panjohurash. Ditën e djeshme ka pasur një deklarim nga SPAK, një njohje me vendimin për të marrë të pandehur kryetarin e PD,i cili vijon të jetë në arrest shtëpie, në kufizim lirie. Si do të jenë zgjedhjet e 2025? Cilat janë dy ekipet që kanë nxjerrë dy drejtuesit kryesorë politikë? Nuk është beteja e parë mes Ramës dhe Berishës, ata janë përballur në vitin 2019, 2013. Kjo është përballja e parë pas 12 vitesh të tjera. Do të analizojmë të dyja ekipet për secilin qark të vendit dhe një sërë pikëpyetjesh që lindin. Si do ta drejtojë Sali Berisha fushatën duke qenë në arrest shtëpie nëse masa e sigurisë ndaj tij nuk do të ndryshojë? A është ky një disavantazh në raport me Ramën, i cili duke qenë edhe kryeministër dhe i lirshëm, duke mos pasur asnjë ngarkesë nga drejtësia deri më tani, ka një avantazh tjetër?
Drejtuesit e PS, Baton Haxhiu: Dobësitë e listës janë Veliaj, Pandeli Majko dhe Mirela Kumbaro
Analisti Baton Haxhiu e konsideron listën më të mirë të mundshme atë të Partisë Socialiste për drejtuesit e qarqeve që do të udhëheqin betejën në terren për zgjedhjet parlamentare 2025.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Baxhiu theksoi se emrat e përzgjedhur nuk kanë akuzat politike.
“Mendoj që është më e mira e mundshme përveç Pandeli Majkos i cili i takon strukturës së vjetër. S’ka asnjë rrezik në listë, asnjë rrezik të atakimit të figurave që kanë ndonjë lidhje të vogël me korrupsion. Është listë e pastër”.
Por Baton Haxhiu evidenton disa problematika të listës së PS.
“Problematikat? Erion Veliaj për faktin që stafi i tij ka pasur.. ai dhe stafi i tij kanë qenë personazhe të SPAK. Pandeli Majko që është në Kukës për shkak se i takon gardës së vjetër dhe nuk ka ndonjë peshë politike, nuk i takon kësaj gjenerate që do i sjellë risi. Nuk ka sjellë asnjë gjë në PS. Dobësi gjithashtu është edhe Mirela Kumbaro që për mua nuk e ka pasur vendin në këtë listë edhe pse në Gjirokastër është e adhuruar, por nuk i plotëson. Mirela Kumbaro në Gjirokastër qëndron mirë. Ajo që ka pengesa është mënyra se si ajo qeveris brenda Ministrisë së saj”, u shpreh Baton Haxhiu.
Ndarja e Tiranës në ‘3 pjesë’, Luarasi: Nuk ka luftë mes Ramës dhe Veliajt
Analistja Iris Luarasi tha se ndarja e Tiranës në 3 drejtues të fushatës për këtë qark është sipas saj një përgatitje serioze për zgjedhjet e 2025-ës.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Luarasi u shpreh se Rama e shikon Tiranës si bastionin më të rëndësishëm ndaj ka marrë dhe këtë vendim, teksa ka shtuar se nuk e shikon si luftë mes Kryeministrit dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj.
Iris Luarasi: Rama e shikon Tiranën si bastionin më të rëndësishëm, ka rreth 40 deputetë. Është bastioni më i madh, e shoh si një përgatitje serioze të fushatës me 3 njerëz që janë të rëndësishëm. Nuk ka luftë mes Ramës dhe Veliajt, është pragmatike. Ti vë 3 njerëz organizatorë për të kryer menaxhimin e fushatës.
Nuk mendoj se do të ketë një njeri që do të marrë më shumë apo më pak nga kjo. Nga zonat që do i kenë të ndara, do të ketë numër deputetësh që do të dalin. Surprizë për mua ishte Pandeli Majko. Kombinimi me njerëzit që kanë eksperiencë me njerëzit e rinj, një gjë e natyrshme në parti politike.
Nga ana tjetër, pothuajse kaq të vjetër janë edhe Kumbaro, Manja edhe Çuçi. Unë mendoj se ka njerëz të tjerë në PS që do e bënin po kaq mirë këtë punë. E shoh si listë të konsoliduar.
Lista e drejtuesve të PS, Shkullaku: Nuk kanë rëndësi emrat, aty nuk ka asnjë surprizë
Gazetari Armand Shkullaku i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ka komentuar lidhur me drejtuesit e qarqeve të Partisë Socialiste që do të udhëheqin betejën në terren për zgjedhjet parlamentare 2025.
Shkullaku ndër të tjera shprehet se nuk ka asnjë surprizë në listën e Partisë Socialiste.
Armand Shkullaku: Jo sepse kuptohet as ata vetë se kanë ditur, e kanë marrë vesh në moment të fundit. Aty nuk ka surprizë. Këto nuk ka rëndësi. Për mua nuk kanë rëndësi emrat.
Blendi Fevziu: Pra për ty nuk ka asnjë surprizë në listë?
Armand Shkullaku: S’ka asnjë surprizë se thashë nuk kanë rëndësi emrat që ka vendos Edi Rama.
Blendi Fevziu: Ka një kufizim të fuqisë së Veliajt në Tiranë?
Armand Shkullaku: Jo ajo është kot. Ne e dimë shumë mirë që Edi Rama është i ndjeshëm ndaj opinionit publik dhe aferat në bashkinë e Tiranës janë skandaloze dhe ne jemi qytet i vogël dhe e dimë shumë mirë se si financohen media të caktuara, ku shkojnë ca lekë…
Dhe gjithë kjo ndershëmri për shkak se dhe dy veprat që me siguri do të hyjnë në Guinness, janë 170 milion për inceneratorin e Tiranës dhe nuk ka Incenerator. Dhe e dyta që është në rekordet botërore të korrupsionit është që fondet 100% të tenderimit i merr përsëri i njëjti që dhe jep lekt dhe ka kompaninë që është rasti i 5D.
Dhe duke qenë i ndjeshëm Edi Rama ka luajtur me imazh që psh kujt i shkon për shtat, po ja tkur fuqinë Erion Veliajt, por gjëja normale është që po ta shkarkonte nga drejtues qarku do të ishte një mesazh politik për votuesit. Është ajo loja që këtu kanë qejf ta besojnë vetëm budallenjt që ka një konflikt mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Ajo është një lojë që Edi Rama herë pas here
Baton Haxhiu për listat PS-PD: Përballje në Fier Balluku dhe Bardhi/ Këlliçi e Bylykbashi, më të konsoliduarit
Në analizën e tij në emisionin “Opinion” në Tv Klan për listat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për zgjedhjet 2025, Baton Haxhiu u ndal fillimisht te Tirana. Ai tha se ky mund të jetë rasti i fundit që Erion Veliaj mund të ketë sepse pas dy vitesh do të ketë zgjedhje të tjera.
Sipas Batonit, kryetari i bashkisë duhet të mbyllë karrierën politike ose të vazhdojë i vetëm. Në opinionin e tij, Batoni shton se vendosja e Spiropalit dhe Manastirliut në krah do ta tkurrë pozitën e Erion Veliajt duke e vështirësuar betejën për Tiranën.
Pjesa tjetër e analizës së Haxhiut u fokusua fillimisht te Fieri. Ai tha se ka një përballje mes Belinda Ballukut dhe Gazment Bardhit si dy figura të kundërta, por dominuese. Duke iu rikthyer Tiranës, ai vlerësoi dy prej figurave të Partisë Demokratike si më të konsoliduarat, Oerd Bylykbashin dhe Belind Këlliçin, i cili është gjithashtu i pranishëm në studion e “Opinion”.
Baton Haxhiu: Një gjë është karakteristike te Fieri: kemi një garë. Belinda Balluku dhe Gazment Bardhi. Është interesante se janë dy figura që e dominojnë jetën politike në një mënyrë apo tjetrën, majtas dhe djathtas. Gaz Bardhi i cili realisht është një figurë e ndjeshme, me fjalor të ashpër kurse Belinda Balluku është një figurë femërore por me karakteristika mashkullore, udhëheqëse, zëvendëskryeministre. Nuk po ofendoj meshkujt me këtë, por po them cila është karakteristika. Ajo që është interesante gjithashtu te Tirana, e ke Belind Këlliçin që është sot këtu, po mos të ishte do të kisha thënë diçka tjetër.
Blendi Fevziu: Thuaje, thuaje tani që e ke këtu, por thuaj të drejtën Baton, mos e ndërro!
Baton Haxhiu: Belind Këlliçi realisht është i vetmi në listë bashkë me Oerd Bylykbashin që kanë bërë beteja opozitare gjatë këtyre dy viteve. Belindi për Tiranën, edhe pse e ka humbur Tiranën ai ka bërë betejë për të vërtetën dhe korrupsionin, kurse Oerd Bylykbashi ka bërë betejën e tij politike deri në fund për ta fituar atë që Partia Demokratike sot e gëzon.
Blendi Fevziu: Po mos të ishte Belindi çfarë do të thoshe?
Baton Haxhiu: Unë mendoj që është figura më e konsoliduar në këtë listë, bashkë me Oerdin
Drejtuesit e PS në qarqe/ Mark Marku: Në Tiranë, 3 persona dublojnë Belind Këlliçin
Pedagogu i gazetarisë dhe analisti politik Mark Marku nuk konsideron asnjë emër surprizë në listën e PS për drejtuesit e qarqeve.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Marku komentoi listën e PS për Tiranë, ku Edi Rama ka caktuar 3 drejtues politikë; Erion Veliajn, Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun.
Për këtë përzgjedhje të Ramës, Mark Marku u shpreh se 3 politikanë do të dublojnë një rival të vetëm për Tiranën nga e lista e PD-së, që është Belind Këlliçi.
“Nuk shoh ndonjë surprizë sepse po ramë në këtë kurth që t’i gjykojmë si pjepërat, dalim përtej një akti politike. Ndryshimi i Tiranës, në thelb nuk ka ndryshim thelbësor, por kini parasysh në krahun aty te Belind Këlliçin i cili ka bërë që te ajo listë të jenë 3 persona për të dubluar 1 sepse ka bërë një betejë për një problem shumë të madh që është çështja e inceneratorëve që në njëfarë mënyre kemi përballë ata që kanë rezistuar në procesin e gjatë të opozitës për të gjetur ekuilibrat e brendshëm që i kanë gjetur. Kjo listë është tregues i një ekuilbri që PD nuk e ka pasur dhe që i ka shkaktuar shumë kosto”, u shpreh Mark Marku
“U diplomova në Kembrixh dhe iu bashkova PS për vizionin”, Këllici i nxjerr “sekretin” zyrtares së PS
Ilva Gjuzi është nënkryetare e Asamblesë së Partisë Socialiste, e zgjedhur në këtë detyrë së fundmi 1 vit pas anëtarësimit dhe angazhimit të saj me këtë parti.
Ajo ka qenë e ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ku ka treguar se ka përfunduar studimet për arkitekturë në Universitetin e Kembrixh dhe është kthyer në Shqipëri, ku dhe u angazhua në politikë përmes Partisë Socialiste.
Ajo thotë se zgjodhi socialistët për shkak të vizionit që kanë treguar si forcë politike.
Por të ftuarit e tjerë në studio shfaqën skepticizëm rreth arsyeve përse u anëtarësua në PS, për sa kohë nuk përmendi bindje politike apo trashëgimi familjare politike.
Në diskutim u përfshi dhe Belind Këlliçi, drejtuesi politik i PD-së në Tiranë, i cili zbuloi se babai i saj, që vjen nga fusha e sipërmarrjes, ka qenë kreu i njësisë administrative të Golemit me Partinë Socialiste.
Ilva Gjuzi: Unë jam nënën e 3 fëmijëve, para 10 vitesh u ktheva në Shqipëri pasi u diplomova në Universitetin e Kembrixh, kam studiuar për arkitekturë. Jam kthyer në Shqipëri sepse besoj që Shqipëria është vendi më i mirë në botë me gjithë të metat dhe të këqijat që mund të ketë. Besoj te puna, te orët e punës, te kilometrat. Unë jam këtu sepse besoj që kam kapacitetin për të dhënë kontribut për vendin tim. Është detyra morale e kujtdo që ka kapacitet të kontribuojë për vendin.
Blendi Fevziu: Ju jeni nënkryetare e Asamblesë Socialiste e zgjedhur. Brenda 1 viti ky katapultim nga anëtarësim brenda 1 viti nënkryetare e Asamblesë është i zakonshëm?
Ilva Gjuzi: Nuk është katapultim. Unë vij nga sektori privat, vij nga sipërmarrja, jam një njeri që e njoh terrenin, i njoh orët e punës dhe që di po nuk punove nuk arrin askund. Kur u hap Akademia e PS thashë po shkoj të aplikoj.
Blendi Fevziu: Pse nuk shkove te PD-ja për shembull të mësoje?
Ilva Gjuzi: Këtë duhet të pyesim partinë tjetër pse nuk më ka tërhequr.
Blendi Fevziu: Ti ishte e hapur për të dyja?
Ilva Gjuzi: Absolutisht. Unë jam një person që nuk më intereson kush është partia ku aderoj. Unë shikoj punët e bëra, shikoj vizionin, shikoj sistemin dhe them këtu. Unë nuk kam nevojë të jem në politikë. E kam ndërtuar jetën time pa qenë në politikë fare. Nuk kam trokitur në derën e PS sepse kam nevojë për një punë.
Armand Shkullaku: A ke një bindje politike?
Ilva Gjuzi: Politikën e kam ndjekur nga jashtë.
Blendi Fevziu: Po vetë keni pasur emocione politike?
Ndërhyn Armand Shkullaku: Keni pasur traditë familjare?
Ilva Gjuzi: Unë pëlqej njerëzit që i qëndrojnë të vërtetë vetvetes, pavarësisht nuk mund të ndaj me të gjithë të njëjtat opinione. Ajo çka PS ka ofruar në gjithë këto vite, pra ka pasur një vizion, një program, dhe unë besoj që Shqipëria sot është një vend më i mirë se çfarë ishte 11 vite më përpara. Madje më është ofruar dhe PD kur sapo kam ardhur në Shqipëri. I thashë, faleminderit por nuk bëj për ju.
Belind Këlliçi: Nuk ka asgjë të keqe të kesh dhe traditë familjare, duhet të jeni transparente dhe të thoni që babai juaj ka qenë kreu i njësisë administrative të Golemit me Partinë Socialiste.
Ilva Gjuzi: Po, para 8 muajsh, e vërtetë kjo.
Belind Këlliçi: Atëherë a ka qenë funksionar i PS? S’ka asgjë të keqe, unë nuk e mohoj.
Ilva Gjuzi: Unë jam demokrate socialiste. Babai im është një person që nga viti ’90 ka qenë sipërmarrës dhe atë pozicionin që ka pasur e ka pasur për kontribut. Unë jam një demokrate socialiste. Në perceptimin tim, ky është modeli i demokratëve të Amerikës ose i liberalëve të Anglisë.
“Grup kriminal”, Këlliçi akuza për drejtuesit e qarqeve të PS, përjashton njërin: Më pak i fajshëm
Belind Këlliçi ka akuzuar të gjithë drejtuesit e qarqeve për fushatën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 2025-ës. Me foto dhe me akuza krahas imazheve, Këlliçi i ka quajtur “bandë dhe grup të strukturuar kriminal që drejton fushatën e PS-në”. Megjithatë mes tyre, Këlliçi shprehet se është njëri më pak i fajshëm – Pandeli Majko (drejtuesi politik për Kukësin).
Belind Këlliçi: Në Tiranë vijon të jetë Erion Veliaj, i njohur si pronari faktik i inceneratorit të Tiranës, shtabin elektoral gjysmën e ka në burg, gjysma pret të bashkohet për shkak të dosjes 5 D dhe 2 afera të tjera, shembja e teatrit kombëtar dhe humbja e jetës së Ardit Gjoklajt janë arsyeja pse individi në fjalë ka edhe 2 zonja të tjera.
Elisa Spiropali, lidhje e drejtpërdrejtë e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit. Bashkëshorti i saj gjatë kohës që ishte drejtor i ujësjellësit të Fierit ka marrë në punë këshilltarë të jashtëm të Klodian Zotos dhe i ka dhënë kompanisë së Zotos 4 miliardë Lekë tender. Kokë e këmbë e lidhur me Mirel Mërtirin.
Ogerta Manastirliu në 19 Shkurt të këtij viti ka qenë për 2 orë në SPAK dhe është pyetur për çështjen e sterilizimit, një nga çështjet më të diskutuara se a do ta mbajë Beqaj apo Manastirliu këtë faj. Arbjan Mazniku në 22 Korrik u thirr 2 orë në SPAK për dosjen 5 D, në vetë zbardhjen e vendimit të Apelit të Posaçëm rezulton se titullari i autoritetit kontraktor në gjysmën e tenderave të 5 D është zotëria në fjalë.
Belinda Balluku është thirrur 3 orë në SPAK për rolin e saj si titullar i autoritetit kontraktor në inceneratorin e Tiranës, ka dhënë sqarimet e saj. Dhe unë kam dhënë sqarime për disa shkresa që zonja në fjalë ka bërë publike. Mos harroni 2 skandalet e mëdha, tuneli i Llogarasë, me tek goditje janë vjedhur 50 mln Euro dhe mos harroni problemin e madh Thumanë-Kasharin dhe mos harroni anijet Tigri 1 dhe Tigri 2 në Vlorë.
Taulant Ballën nuk ka njeri që nuk e njeh që është i përfshirë në dosjen Toyota Yaris, është i përfshirë dhe në dosjen e prokurorit të Vlorës dhe e dini pse është ndaluar publikimi i dosjes, përfshihet emri i tij dhe i gjyqtarëve. Shumë shpejt do ja dëgjoni bëmat, njeriu më i lidhur mbase me bandat në Shqipëri prej 2 dekadash.
Emirjana Sako e ka falimentuar buxhetin e Durrësit. Benet Beci që i takon ta ketë Benet Bajrit. 184 më lart, Ulsi në Lezhë dhe përballë Ulsiut ke Gjekmarkajn. Ky dhe Gjekmarkaj.
Nuk e di pse ju vunë Pandeliut të shkretë, po nëse ka njeri aty që ka më pak akuza, por edhe ky e ka një problem me SPAK-un, përgjimin në Bashkinë e Kukësit në vitin e kaluar në dosjen e shërbimit informativ. Edhe unë habitem pse u mor Batoni me Pandeliun sepse Pandeliu mes tyre është më pak i fajshëm.
Edhe Peleshi është thirrur në SPAK për afera. Mirela Kumbaro ka rreth 23 dosje që janë të depozituara në SPAK dhe po hetohen si çështje. Blendi Çucin e ke për skandalin e Kombinatit të Poliçanit, dhe ky është thirrur në SPAK. Kjo është banda dhe grupi i strukturuar kriminal që drejton fushatën e PS-së.
Drejtuesit e PD, Baton Haxhiu: Pika më e fortë Lezha, beteja e Bardhit në Fier gati e pamundur
“Pika më e fortë do të jetë Lezha”, shprehet analisti Baton Haxhiu sa i takon listët së Partisë Demokratike për drejtuesit e qarqeve që do të udhëheqin betejën për zgjedhjet parlamentare 2025.
I ftuar në studion e “Opinion” në Tv Klan, Haxhiu teksa listoi pikat e forta dhe të dobëta të listës, ndër të tjera u shpreh se beteja e deputetit Gazmend Bardhi në Fier përballë Belinda Ballukut është gati e pamundur.
Analisti theksoi se në listë ka figura të forta të cilat do të bëjnë betejë të fortë.
Baton Haxhiu: Pikat e forta Belind Këllici, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi. Edhe pse në pamje të parë duket Gazmend Bardhi betejën që ka në Fier e ka gati të pamundur. Ervin Salianji është. Pika më e fortë realisht do të jetë Lezha edhe pse Agron Gjekmarkaj nuk është njeri që njihet apo ekspozohet dhe e njeh terenin mirë sepse i takon grupacionit intelektual, megjithatë ndoshta do të jetë figura që do të jetë shumë e fortë në këtë grup. Kurse pikat e dobëta me gjithë Dritan Shehu i pari, Bujar Leskaj i dyti. Nuk e di mbi çfarë arsye PD ka vendosur këto kritere.
Pika shumë përkedhelëse që është shumë i edukuar dhe ka një staturë intelektuale është Ivi Kaso por ka një forcë e cila mund ta fuqizojë në pozicion në Korçë sepse Korça është një betejë e fortë mes PS dhe PD, jam dëshmitar i 20 viteve.
Për mendimin tim ka figura të forta këtu që konsideroj që do të bëjnë betejë të fortë. Nëse po flasim për numra beteja e këtij grupacioni është si ta sjell atë numrin nga 22 se disa gjëra dihen se sa do të jenë mandatet, nga 22 në 19 apo 18 të Partisë Socialiste. Janë disa pika që ky ekip…por mendoj që Gaz Bardhi në Fier do ta ketë shumë të vështirë. Është një figurë që duket arrogante por kemi nga ana tjetër një figurë që është ë pamëshirshme
Shkullaku: Sikur PD të vendosë Harrisin në Shkodër e Macronin në Gjirokastër, prapë nuk fiton dot
Listën e drejtuesve të Partisë Demokratike në qarqe, gazetari dhe analisti Armand Shkullaku thotë se opozita duhet të kishte një grup rezistence për t’i bërë ballë mazhorancës. E kjo sipas tij, për shkak se nuk ka zgjedhje të lira.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Shkullaku u shpreh se figurat më të mira të PD-së nuk do ta kenë të mundur fitoren përballë asaj që analisti e konsideron si garë të pandershme.
“Çfarë të them unë kur këtu nuk ka zgjedhje dhe kriteri i parë.. Edhe të vinte Kamala Harris në Shkodër, nuk fitonte dot. PD duhet të kishte sqaruar 2 elementë: duhet t’i flasi hapur elektoratit të vetë. Nuk ka shqiptarë që beson sot që mund të mundësh një regjim me vota. Tentoi Fredi Beleri të fitojë, e futën në burg. Ne nuk po bëjmë opozitë për të fituar, por po bëjmë rezistencë. Kriter i listës duhet të kishte qenë nervi dhe fibra e rezistencës, jo figura kështu. Sepse Tritan Shehu ka një moshë madhore, po të çosh Macronin në Gjirokastër, ka çfarë u bën autobusëve të votuesve që i ndalon Rama? Çfarë të bëjë Tritani aty? Vendos kë të duash. Nuk nisesh dot në kushte të një regjimi që të kesh përfaqësim dinjitoz. Këtu është çështje rezistence”, tha ndër të tjera Armand Shkullaku.
“Zotin ta çojnë atje, nuk e lënë të marrë votat”, Shkullaku revoltohet ndaj Haxhiut: Rama ka shkruar…
“Ti e di që jo Jorida Tabakun, por Zotin ta çojnë atje, PD-në nuk e lënë të marrë votat”, kështu i është kthyer gazetari Armand Shkullaku analistit Baton Haxhiu pasi ky i fundit kritikoi opozitën që nuk ka vendosur figura femërore në listën për drejtuesit e qarqeve.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku thotë se në PD duhet të ketë kriter rezistence pasi shton se regjimi nuk mundet dot me votë.
Baton Haxhiu: Gratë më të efektshme në betejën me bandat, janë të mbrojtura se janë gra, ka ndjeshmëri ndaj tyre nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga ambienti. Është shansi i vetëm që PD ta fitojë betejën me qytetarinë. Problemi kryesor nuk është tek votat e meshkujve, problemin e keni tek votat e femrave dhe nuk e di a keni vepruar mirë dhe duhet ta përmirësoni listën e deputetëve. Ta vendosni Tritan Shehun, Bujar Leskajn para Jorida Tabakut është shkarje e madhe serioze.
Armand Shkullaku: Kjo nuk ka logjikë. Ti e di që ai e ka shkruajtur rezultatin e zgjedheve përpara, thotë do të merrni mandate sa në 97-ën. Ti e di që jo Jorida Tabakun, por Zotin ta çojnë atje, nuk e lënë të marrin votat. Dhe në një vend ku nuk ka zgjedhje të lira, nuk komandohet procesi i barabartë.
Iris Luarasi: Kjo është skuadra e humbësve atëherë.
Armand Shkullaku: Në një vend ku nuk funksionon demokracia përfaqësuese, nuk ka demokraci. Të flasësh për përfaqësim është absurd. Duhet të kishte kriter për mua PD-ja një grup rezistence. As këta për mua nuk janë grup rezistence sepse PD-ja duke ndjekur gjithë këtë debatin, ka kaluar dhe ajo në skizofreni. Mendon se duke pasur Agronin, Belindin, do të marrë vota. Nuk ka zgjedhje, vër kë të duash. Në një vend policia, pushteti, parlamenti, qeveria, 60 bashki i ke të gjithë në këmbë për të grabitur votën e njerëzve, në një vend ku guxon të fitojë opozita, e plasin në burg kryetarin e bashkisë. Nëse doni t’i jepni PD-së nga këto dhe t’i thoni që po nuk patët nga këto, po nuk patët gra në karrierë nuk fitoni dot, kjo është skizofrenia më e madhe. Të vënë kë të duan, këta nuk fitojnë dot me Ramën. Nuk mundet regjimi me votë.
“Do jetë fushatë jashtëzakonisht e vështirë”, Mark Marku: Lista e PD, reflektim për bashkimin e elektoratit
“Duhet kuptuar që do të jetë një fushatë jashtëzakonisht e vështirë, pothuajse në kufijtë e të pamundurës”, kështu është shprehur analisti Mark Marku lidhur me fushatën për zgjedhjet parlamentare 2025.
I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Marku u shpreh se fushatat vitete e fundit janë vështirësuar sepse janë negativizuar në nivelin maksimal.
Ndër të tjera analisti u shpreh se lista e drejtuesve e Partisë Demokratike është e mirë ku nuk kurseu komentet pozitive për disa prej anëtarëve të listës.
Mark Marku: Kjo listë është produkt i një vetëdije politike dhe një procesi politik që ka kaluar PD. Ka pasur një konflikt të brendshëm shumë të madh dhe një nga shqetësimet ka qenë që gjithë aktorët e brendshëm t’i bashkojë dhe të sjellë gjithë elektoratin e mundshëm dhe kjo listë është reflektim i kësaj vetëdije që duhet të bashkojmë elektoratin e PD. Mendoj që kjo e realizon këtë dhe varet shumë nga puna.
Duhet pasur parasysh diçka që kjo fushatë do të jetë shumë e vështirë dhe jam dakord me atë që thot Mandi se çfarë do të kërkojmë ne nga ai grup politik që do të marrë përsipër fushatën politke. Unë kam provuar vetë dy fushata dhe e di sa e vështirë është dhe them kur del në fund të fushatës thua “o zot ku jetoj, çfarë bëj?”. Fushatat janë përkeqësuar në mënyrë të llahtarshme, por fushatat janë vështirësuar sepse janë negativizuar në nivelin maksimal. Jo vetëm prej kësaj liste, por prej gjithë trupës elektorale opozitare duhet kuptuar që do të jetë një fushatë jashtëzakonisht e vështirë, pothuajse në kufijtë e të pamundurës.
Blendi Fevziu: Prandaj është lista në këto nivele!?
Mark Marku: Lista unë mendoj nuk është e keqe. Lista është shumë e mirë. Çdo qarku dhe çdo qyteti do t’i bënte nder Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Belindi, Flamur Hoxha përshembull mua më bën përshtypje disa zgjedhje. Ka qenë deputet i Kukësit dhe unë e kam njohur rastësisht dhe është në sipermarrës shumë i suksesshëm dhe një njeri i shkëlqyer dhe po them që më ka bërë përshtypje shumë të mirë që PD ka shkuar në këto momente.
Normalisht është mungesa e grave. Unë jam dakord që gratë edhe në betejë elektorale janë me të vërtetën, më pak të pritura për t’u korrupatura, luftojnë për votën, por nga sondazhet dhe po shoh sondazhet e Trump dhe e dini që Trump e votojnë më shumë gratë sesa Kamala Harris. Pra nuk ëstë e thënë që po pate gratë do marrësh votat e grave
“Edhe unë do të mundja po të isha përballë teje”, Ilva Gjuzi sfidon Belind Këlliçin dhe habit studion
Ilva Gjuzi është një nga anëtarësimet e reja në PS që së fundmi është zgjedhur zv/kryetare e Asamblesë Socialiste.
Në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, ajo është përfshirë në debat me drejtuesin politik të PD-së në Tiranë, Belind Këlliçin.
Teksa ky i fundit diskutonte për mungesën e programit elektoral të PS-së, Ilva Gjuzi e ka sulmuar duke i thënë se është humbës në zgjedhje, e se edhe vetë ajo do ta mundte nëse do garonte përballë tij.
Belind Këlliçi: Që të pretendosh se PD-ja nuk votohet në këtë vend se nuk ka program…
Ilva Gjuzi: Ky nuk është pretendim, ky është fakt Belind.
Belind Këlliçi: Përballë “të hënksha zemrën” këngës tallava të Edi Ramës, ne kishim programin më të detajuar..
Ilva Gjuzi: O Belind ti je i pari që ke humbur, nëse flasim midis meje dhe teje, ti ke humbur, ti vjen me beteja të humbura.
Belind Këlliçi: Patjetër, kam humbur me shtabin elektoral të 5D që janë gjysma në burg dhe gjysma tjetër po shkojnë në burg, pa merak, këtu do jemi.
Ilva Gjuzi: Belind, jo Erion Veliaj por dhe unë po të isha përballë teje do të mundja.
Belind Këlliçi: Patjetër, as diskutohet. Bravo.
Blendi Fevziu: Do e mundje Belindin?
Ilva Gjuzi: Patjetër!
Armand Shkullaku: Patjetër se i cakton votat vetë…Do fitonte znj.Gjuzi mendon ti? Znj.Gjuzi nuk e dinte që do bëhej nënkryetare e Asamblesë.
“Mungesa e grave në listën e PD, mangësi”, Shkullaku përplaset me Luarasin: S’ka ç’u bën grupeve kriminale!
Sipas pedagoges Iris Luarasi, lista e PD për drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet 2025 ka si mangësi kryesore mungesën e përfshirjes së grave. Luarasi përmendi në “Opinion” në Tv Klan disa emra të grave në radhët e PD që ajo vlerëson si Jorida Tabaku apo Jozefina Topalli që mendon se do të menaxhonin shumë mirë dhe do të motivonin edhe votueset.
Kjo solli një replikë nga gazetari Armand Shkullaku i cili tha se në realitet, pjesëmarrja e grave nuk do të bënte dot asgjë përballë grupeve kriminale dhe vjedhjes së votave.
Iris Luarasi: Mangësia e parë është gratë, edhe kjo ka lidhje drejtpërsëdrejti me motivimin e grave votuese se një nga arsyet që i vendos gratë, jo vetëm që janë menaxhere shumë të mira sesa burrat, por edhe nga pikëpamja që ti motivon pjesën e votuesve. Me këtë listë ti nuk motivon asnjë grua që të vijë të votojë se thonë çë’është kjo listë nga fillimi deri në fund vetëm me burra, pse u sosën gratë e PD…
Armand Shkullaku: Kur kemi gratë e Ramës pse të votojmë burrat e PD?
Iris Luarasi: Tani për hir të së vërtetës gratë që janë në Partinë Socialiste dhe ato që ishin aty, super menaxhere.
Armand Shkullaku: Kjo bën diferencën.
Iris Luarasi: Ne po flasim për menaxhere në politikë. Ti nuk njeh asnjë grua në PD që do të ishte e aftë për ta bërë këtë gjë?
Armand Shkullaku: Unë njoh shumë gra, por ndryshe nga ty unë njoh realitetin dhe e di që thashë Kamala Harrisin të çosh në Shkodër nuk ka ç’u bën Pëllumb Gjokave e Bajrave. Të flasësh për pjesëmarrjen e grave në një vend ku vidhen votat e masakrohen, është të flasësh për seksin e engjëjve. Këtu po vidhen votat. S’ka grup kriminal që nuk vjedh votat. Garanto zgjedhjet e lira që të dalin dhe gratë.
Iris Luarasi: Gratë dhe burrat janë njësoj në shoqëri.
Armand Shkullaku: Me të vërtetë? Jo, jo s’ma merr mendja.
Iris Luarasi: Kjo nuk do të thotë që ti duke çuar aty vetëm burra, ke garantuar ekipin e fitores.
Armand Shkullaku: Seriozisht janë njësoj?
Iris Luarasi: Patjetër që janë njësoj.
Armand Shkullaku: S’e dija. Nard Ndoka e ka thënë këtë Fevzi.
Iris Luarasi: Bajrat kanë qenë Në Shkodër, nuk e di se kush janë. Në Shkodër historikisht ka fituar PD, po flasim për 30 vjetët e fundit në demokraci. Në 2023 për herë të parë fiton PS. Po të ishte historia që u shesim njerëzve humbjet e ardhshme duke përmendur emra që nuk e di se çfarë përfaqësojnë, por duke thënë Bajrat, tani nuk mendoj që Bajrat kanë shkuar në Shkodër në 2023, mendoj që këta Bajrat kanë qenë në Shkodër gjithmonë. Këta Bajrat kanë qenë në Shkodër atje dhe ka fituar sistematikisht PD. Nuk erdhën në 2023 këta Bajrat dhe fitoi PS.
Armand Shkullaku: Relativizimi i krimit është gjëja më e tmerrshme.
Pa vijuar replikën, Luarasi vijoi mendimin e saj lidhur me situatën duke shprehur paqartësi për lëvizjen e Luçiano Boçit nga Elbasani në Shkodër, vlerësoi Ivi Kason e Enno Bozdon dhe tha se Gazment Bardhi do ta ketë të vështirë në Fier.
Belind Këlliçi sqaroi se sa i përket mungesës së grave në listë, ka qenë një debat që është bërë edhe brenda partisë, por përgjigjja ishte se:
“Nuk mund të përdorim zonjat tona për fasadë, çka do të thotë nëse ti ke përballë një makineri elektorale që është elektorale krimi, nëse ke banda patjetër që do të çosh njerëz që do të përballen dhëmbë për dhëmbë me banda, krimin e organizuar dhe grupet kriminale”, përfundoi ai duke rënë dakord edhe me mendimin e Shkullakut
Luarasi i kujton Këlliçit artikujt për “shamikuqen”: Mziu i akuzuar për afera seksuale
Pyetjes së Belind Këlliçit se a mundet të thotë dikush nga paneli i të ftuarve në “Opinion” ndonjë akuzë për drejtuesit e qaqeve për fushatën e zgjedhjeve të 2025-ës të PD-së, i është përgjigjur Iris Luarasi.
Analistja i ka kujtuar artikujt kur Mziu ishte kryetar i Bashkisë së Kamzës, për të cilin ka thënë se është i akuzuar për shpërdorimin e postit për afera seksuale
Belind Këlliçi: A mundet dikush të më thotë një akuzë të vetme për korrupsion për 1 nga këto 12 emra?
Iris Luarasi: Ta sjell unë tani. I ke lexuar artikujt për “shamikuqen” kur Xhelal Mziu ishte kryetar i Bashkisë së Kamzës? Apo nuk ke lexuar gjë ti se nuk ke qenë në Shqipëri në atë kohë? Nëse i ke lexuar, është një person i akuzuar për shpërdorimin e postit për afera seksuale. Ky është lajm i të gjitha gazetave.
Belind Këlliçi: E vetmja kritikë për listën ishte një artikull për Mziun, për fat e pashë telefonin dhe ma rikthyen në kujtesë, është vërtetuar që artikulli ka qenë i sponsorizuar dhe i paguar nga rivali i Mziut, Rakip Suli.
Iris Luarasi: Prandaj ajo zonja mori azil politik dhe u zhduk nga Shqipëria.
/tvklan.al