Për më shumë se 50 vite, çdo Mars panairi ndërkombëtar i Berlinit vazhdon të jetë një rrjet i rëndësishëm i industrisë së turizmit në gjithë globin. Ky panair, vjen sot në një edicion me më shumë se 10 mijë pjesëmarrës. Ndërkohë që, në nisje të tij, në vitin 1966 numëronte vetëm 9 ekzibitorë, mes të cilëve edhe vetë Gjermania, Brazili apo Afganistani.
Oferta turistike të vitit 2024, vende dhe kultura të ndryshme, ku secili synon të marrë një pjesë të turistëve që lëvizin në glob, në një kohë ku sipas organizatorëve turizmi është duke shënuar një bum.
Më shumë se 5500 ekzibitorë shënuan panairin e vitit 2024, ku shtete e strukturat turistike edhe njëherë synuan të forcojnë ofertën e tyre në takimet ‘be to be’, me qëllim lidhjen e kontratave për sezonin e ardhshëm.
Shqipëria prezantoi këtë vit në një stendë të përbashkët me gjithë operatorët turistikë dhe me një seri aktivitetesh ku u përfshinë disa nga bashkitë kryesore të vendit. Për vendin për 2025, vendi ynë do të jetë i ftuari i nderit në këtë panair dhe është konsideruar nga organizatorët si një vend me potencial të madh në fushën e turizmit.
“Përtej entuziazmit që krijon kjo lloj pamje, më e madhe është përgjegjësia që ndjejmë. Është përgjegjësi sepse shikojmë që pritshmëritë për Shqipërinë janë gjithmonë e më të larta, por sidomos është përgjegjësia që ne kemi në raport me vitin që fillon nesër, që do të thotë 2024-2025 Shqipëria ndërton në program të plotë 1 vjeçar për vendin e nderit këtu në panairin më të madh në botë të turizmit. Shqipëria ishte në të gjitha fletëpalosjet, revistat edhe kanalet e komunikimit në çdo cep të Berlinit, në hotele, banaqe, apo në të gjitha pikat komerciale”, tha Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.