#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Artan Hoxha, Silvi Bardhi, Mark Marku, Redi Shehu, Ornela Çuçi
Mbrëmjen e kësaj të hëne në studion e emisionit “Opinion” në televizionin Klan diskutohet protesta e cila u mbajt nga opozita dhe bllokoi 5 kryqëzimet kryesore te kryeqytetit. Protesta u mbajt të paktën për 3 orë, ku nuk munguan përplasjet e protestueseve dhe forcave të policisë. Por, përveç kësaj ngjarja që u vendos më në qendër të vëmendjes është ajo që ndodhi me nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, i cili humbi ndjenjat gjatë protestës dhe u transportua për në spitalin e Tiranës.
Mark Marku për Gjekmarkajn: Unë e kam shumë mik, s’i ka rënë të fikët në 30 vjet!
Nënkryetari i Parlamentit Agron Gjekmarkaj doli në protestë këtë të Hënë, por përfundoi në spital pas një problemi shëndetësor. Si ai dhe kolegët e tij demokratë pretendojnë për dhunë nga ana e Policisë së Shtetit, ndërkohë që kjo e fundit e ka mohuar këtë gjë. Analisti Mark Marku foli sonte në studion e “Opinion” si një mik i Gjekmarkajt, duke theksuar se “atij s’i ka rënë të fikët në më shumë se 30 vjet që e njeh”.
“Të vërtetën e shpjegon vetë Gjekmarkaj. Unë e kam shumë mik dhe e njoh personalisht me të gjitha shqetësimet, siç njeh ai shqetësimet e mia. Nuk ka probleme me zemrën, nuk i ka rënë ndonjëherë të fikët mesa mbaj mend unë, ka mbi 30 vjet. Nuk mund t’i binte të fikët vetvetiu në rrugë. Patjetër, nëse ai e thotë që ka pasur dhunë policie, unë jam totalisht i bindur që ka pasur dhunë policie. Pse duhet t’i binte të fikët një njeriu në gjendje normale, që në këto 30 vjet unë nuk i njoh asnjë situatë të tillë?! Në një protestë ku ushtrohet dhunë ndaj të tjerëve, gjasat më të mëdha janë që ai të ketë pësuar një goditje aty. Nuk është i dobët, nuk është plak”, tha Marku.
Policë me shkopinj gome në Xhaminë e Namazgjasë, Fevziu: E patolerueshme…
Protesta e Partisë Demokratike ishte fokusi i diskutimeve në emisionin “Opinion” këtë të hënë.
E ftuar në studio ishte edhe koordinatorja për departamentet, Silvi Bardhi, e cila bëri publike një video nga tubimi sot.
Ajo tha se deputeti Dashnor Sula i dërgoi pamjet ku duken policët të futur brenda Xhamisë së Namazgjasë me shkopinj gome.
Sipas gazetarit dhe drejtuesit të emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, kjo gjë është e patolerueshme.
“Një sekond tashi se xhamia është e besimtarëve myslimanë. Kjo është e patolerueshme”, tha Fevziu.
Ndërkohë Bardhi u shpreh: Këta nuk kanë më as shtet, as fe, as besim, asgjë. Sipas saj në momentin e filmimit nuk ka pasur shi.
Por nga ana tjetër, analisti Redi Shehu u shpreh se nuk është etike të hapet një diskutim për këtë çështje, pasi pjesa ku janë filmuar policët, është e hapur për të kaluar njerëzit.