#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Megi Pepaj, Lusi Braçe, Beni Pango, Meridiana Dodaj, Irena Steinova, Leon Axhemi, Katerina Petro, Erkand Lluka
“Dashuria më solli në Uruguaj”, Katerina tregon si vendosi të shëtiste botën dhe u martua në kroçerë
“Dashuria më solli në Uruguaj”, u shpreh Katerina Petro për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Rubrika “Shqiptarët në botë” sjell këtë mbrëmje disa prej rrëfimeve më interesante të diasporës ku i pari nis me Katerinën e lindur në Bilisht të Devollit që sot jeton në Amerikën Latine.
Pas përfundimit të studimeve në Bilisht, ajo shkoi në Shkup ku u diplomua për Gazetari, më pas punoi 4 vite në televizionin Alsat në Maqedoninë e Veriut dhe “vendosi të shëtiste botën”. Nga ky udhëtim do të gjente dashurinë në kroçerë, do të martohej dhe do të ndërtonte jetën në Uruguaj.
Katerina Petro: Në fakt ishte ideja e një shoqeje dhe ishte viti 2008, një moment krize në të gjithë botën dhe në atë moment më erdhi mudnësia nëse do të vazhdoja të jetoja në të njëjtin vend apo do të shfrytëzoja mundësinë që akoma isha e re për të parë diçka të re.
Blendi Fevziu: Edhe?
Katerina Petro: Aty dolën kroçerat, një shoqe më tha nëse do të udhëtosh dhe që udhëtimi mos të jetë i shtrenjtë, pse nuk punon në kroçera.
Blendi Fevziu: Kështu që ti e le Alsat-in dhe more kroçerën?
Katerina Petro: Po, nga dita në natë. Një ndryshim total.
Blendi Fevziu: Nga u nise me kroçerë?
Katerina Petro: Në Nju Xhersi.
Blendi Fevziu: Sa shtete shëtite me kroçerë?
Katerina Petro: Më ngeli vetëm kontinenti aziatik. Kam shkuar në Dubai, Egjipt, në tërë pjesën e Amerikës, Kanadasë, Ishujt e Karaibeve.
Blendi Fevziu: Dashurinë si e gjete?
Katerina Petro: Në kroçerë.
Blendi Fevziu: Ishte duke udhëtuar apo ishte…
Katerina Petro: Në kroçerë u martova.
Blendi Fevziu: Bashkëshorti është nga Uruguaj?
Katerina Petro: Po.
Blendi Fevziu: Prej sa vitesh jeton në uruguaj, prej sa kohësh le edhe kroçerën siç le Alsat-in dhe u vendose në Uruguaj?
Katerina Petro: Gati 11 vjet, në korrik mbush 11 vjet.
Katerina është drejtoreshë e një qendre për gjuhën angleze, ndër më të mëdhatë në vend. Carmelo, qytetin ku ajo jeton, e përshkruan si shumë të bukur e të qetë, me 150-200 mijë banorë dhe një ndër më turistikët e Uruguajit.
Jetoi në Itali 11 vite/ Lluka: Paragjykim jashtë mase, më vinte inat kur thoshin “shqiptar” me përbuzje
Shqiptari Erkand Lluka ka 10 vite që jeton në Australi, destinacion në të cilin ka shkuar nga Italia ku jetonte prej 11 vitesh. Ai ka treguar se ka qenë vetëm 21 vjeç kur ka nisur jetesën në Itali ku dhe u njoh me bashkëshorten dhe krijuan familje.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lluka ka treguar se në Itali është ndeshur me shumë paragjykime dhe është ndjerë i pavlerësuar, një ndryshim total me jetën e tij në Australi.
Erkand Lluka, Brisbane, Australi: 10 vjet kam që jetoj në Australi. Në fillim erdha në Melbourne. Nxorra një vizë që ju jepet të rinjve nën 31 vjeç. Në fillim punova mekanik në një zonë rurale të Australisë, në një fermë të madhe sallate që ishte për mirëmbajtjen e pajisjeve mekanike.
Blendi Fevziu: Si ishte momenti i parë i largimit nga Tirana në Australi?
Erkand Lluka: Pata një periudhë 11-vjeçare në Itali, në Bergamo. Atje isha i ri, 21 vjeç kur arrita atje, u njoha me bashkëshorten time, krijuam familjen. Jeta nuk kishte ndonjë kuptim shumë të madh atje. Gjithmonë me etiketa.
Blendi Fevziu: A kishte paragjykim të madh në Itali?
Erkand Lluka: Jashtë mase. Sado i zoti, sado i mirë të jesh, gjithmonë shqiptarë… unë shqiptar jam dhe me krenari e them atë emër, por kur ta thonë me përbuzje të vjen inat. Ndihesha i pavlerësuar. Në Australi larmishmëria e kombësive që jetojmë me njëri-tjetrin është e paparë.
Prej 23 vitesh në Kanada, avokatja shqiptare zgjedh Korçën për të bërë dasmën e saj
Avokatja shqiptare, Lusi Brace e cila jeton prej 23 vitesh në Toronto të Kanadasë ka zgjedhur Korçën që të realizojë dasmën e saj.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ajo tregon historinë e saj se si në moshën 14 vjeçare u largua nga Durrësi drejt Kanadasë me familjen e saj. Ajo tashmë punon si avokate në Toronto ku ka hapur dy zyrat e saj të avokatisë.
Blendi Fevziu: Me se merresh në Toronto?
Lusi Brace: Jam një avkokate. Kam dy zyrat e mia dhe përfaqësojmë gjithë provincën.
Blendi Fevziu: A ka komunitet shqiptarë dhe a frekuentohesh me shqiptarët në Toronto?
Lusi Brace: Po po patjetër. Edhe im shoq është shqiptarë. Fëmijët e mi të dy vajzat që kam përpiqem që… Komuniteti shqiptarë është shumë i madh dhe normalisht edhe klientë kam shumë shqiptarë.
Blendi Fevziu: 28 Nëntorin e festoni?
Lusi Brace: Patjetër shoqëria shqiptare këtu i feston festat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe kështu që jemi gjithmonë pjesë e atyre festave.
Blendi Fevziu: A vjen shpesh në Shqipëri?
Lusi Brace: Vij, do vij edhe këtë vit. Vij sepse më mungon deti. Më pëlqen Shqipëria, më ka pëlqyer gjithmonë dhe kam familjen në Shqipëri. Martesën e bëra në Korçë, kështu që…
Blendi Fevziu: Ku e bëre martesën, në Korçë?
Lusi Brace: Në Korçë.
Blendi Fevziu: Po e ke bashkëshortin nga Korça pra. Morre kanadez me vete në martesë?
Lusi Brace: Morra, kishim po.
Blendi Fevziu: Dhe çfarë thanë kanadezët për dasmën, se ata s’kanë dasma si tonat?
Lusi Brace: Jo nuk kanë. I ka pëlqyer jashtëmase. Shkuam edhe në jug dhe ishin të mahnitur me plazhet. Patën një eksperiencë shumë të bukur.
Ndërsa sa i takon kthimit në Shqipëri Lusi u shpreh se e mendon kthimin, por e vetmja gjë që e mban më tepër në Kanada është siguria dhe shkollimi i fëmijëve të saj.
Po zgjat mjekrën që t’i ngjajë Skënderbeut, Beni Pango nga SHBA: Ne bëjmë jetë shqiptarësh
Ky është Beni Pango që jeton në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte një nga të ftuarit në emisionin Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, për rubrikën “shqiptarë në botë”.
Beni Pango, nga Zagoria e Gjirokastrës, por që jeton prej shumë vitesh në SHBA, zbuloi se po zgjat mjekrën për t’i ngjasuar Skënderbeut për paradën e ardhshme të shqiptarëve në Amerikë.
Ai ka bërë gati edhe përkrenaren e Skënderbeut, teksa surprizon Blendi Fevziun edhe me bririn që i bie.
I pyetur nga Blendi Fevziu se si është jetesa në Nju Xhersi, ai u shpreh se e ruajnë mënyrën e jetesës së shqiptarëve.
“Ne jetë shqiptarësh bëjmë gjithmonë. Nuk ndryshon. Jeta e shqiptarëve është do hash atë që gatuan gruaja jote, do marrësh fëmijët, do shkosh të takosh shqiptarë të tjerë, komuniteti jonë është shqiptar, hedhim valle dhe do qeshin amerikanët me ne çfarë po bëhet kështu. Shikojmë Opinionin, biem dakord me ju, nuk biem dakord ndonjëherë”, tha ai ndër të tjera.
Nga Dubai për qebapët e Shkodrës, Megi tregon ushqimet që pëlqeu bashkëshorti arab në Shqipëri
Megi Pepaj, shkodranja që ka zgjedhur të jetojë në Dubai ka zhvilluar një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku ka rrëfyer si e ka marrë vendimin për t’u larguar nga Shqipëria.
Megi Pepaj: Kam 3 vite që jetoj në Dubai. 5 vite kam jetuar në Turqi, më pas kam punuar në kroçerë por vetëm për 6 muaj. Kisha projekte të tjera. Kam vizituar shumë vende të botës. Nga Karaibet përfundova në Turqi e më pas në Dubai. Kam shumë vite që jetoj jashtë Shqipërie, ka qenë me shkëputje. Në Shqipëri kam familjen, vij çdo vit.
Gjatë rrëfimit të saj, Megi Pepaj ka treguar se bashkëshorti i saj, i cili është me origjinë arabe ka vizituar Shqipërinë, ku dhe ka shijuar ushqimet e mira dhe natyrën e bukur.
Megi Pepaj: Në Dubai jam e martuar dhe jam influencer. Bashkëshorti arab nga Iraku, por ka jetuar në Tunizi, e njoha në Turqi. Kam një vajzë të vogël. Bashkëshortin e kam sjellë në Shqipëri, i ka pëlqyer shumë ushqimi edhe natyra dhe ai është shumë optimist për Shqipërinë. I kam dhënë “laknur”, preferon qebapët e Shkodrës, mishin e thatë dhe “laknurin”. U knaq në Shkodër. Shkodra është një mrekulli.
Çekosllovakja u dashurua me dibranin, historia e pabesueshme e prindërve të Irenës që jeton në Izrael
Historia e Irena Steinovës e rrëfyer në emisionin “Opinion” në Tv Klan tingëllon e pabesueshme. Për rubrikën “Shqiptarët në botë” ajo tregon se është lindur në Tiranë, babai ishte nga Dibra ndërsa nëna një çekosllovake hebreje. Irena jeton prej 33 vitesh në Be’er Sheva në Izrael pas një morie ngjarjesh të forta që kanë shenjuar familjen e saj.
Irena Steinova: Babai ishte student në universitet në Pragë dhe aty njohu nënën. Erdhën në mars të vitit 1939.
Blendi Fevziu: Dhe erdhi, mori edhe nënën çekosllovake me vete në Shqipëri?
Irena Steinova: U mor me politikë dhe me pushtimin italian e internuan si antifashist në Itali, pastaj kur u kthye nga Italia ishte deputet në qeveri dhe komunistët më 25 tetor 1944 e futën në burg. Mamaja ngeli vetëm me dy fëmijë dhe familja fisnike tiranase Çaslli e mbajti si vajzën e vet. Dy vjet nëna ishte në depresion sepse familja hebreje në Çekosllovaki iu asgjësua në kampet e Aushvicit. Ngeli me ata, edhe sot si një familje, nëna na ka rritur me dashuri për ta. Babai ishte intelektual dhe kishte shumë miq, por kur u fut në burg, u larguan miqtë.
Blendi Fevziu: Si me të gjithë.
Irena Steinova: Familja e inxhinierit ia mbajti derën të hapur gjithmonë, me ata vazhdoi miqësinë, jemi rritur me dashuri të mahde.
Blendi Fevziu: Kur u transferove në Izrael?
Irena Steinova: Në 1991 na u dha mundësia që të riatdhesohemi meqë nënën e kisha hebreje dhe kishim dokumente.
Blendi Fevziu: Nëna ishte gjallë akoma?
Irena Steinova: Nëna ka ndërruar jetë në 1985 por kishim dokumentin e lindjes, kishim dokumentin e martesës që u bë në Çeki dhe na u dha leja. Kemi 33 vjet.
Kreu studimet për mjekësi në Itali dhe më pas u integrua atje, Meridiana tregon jetën e saj në shtetin fqinj
Meridiana Dodaj një mjeke me origjinë shqiptare e cila jeton në Perugia të Italisë në një lidhje live në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tregon jetën e saj në shtetin fqinj që nga viti 2004 kur u largua nga Shqipëria për të studiuar atje.
Dodaj pas studimeve në Itali ka zgjedhur që jetën e saj ta kalojë aty, ku është integruar plotësisht në komunitet. Ajo tregon se si gjatë viteve të studimit, por edhe tani që punon në fushën e mjekësisë nuk ka hasur në paragjykim për faktin që vjen nga Shqipëria.
Meridiana Dodaj: Kam ardhur këtu në vitin 2004, në universitetin e Mjekësisë në Perugia. Në vitin 2011 kam ikur në Romë kam bërë specializimin për mushkëri dhe në 2016 jam kthyer në Perugia ku punoj aktualisht në spitalin univeristar si mjeke specialiste në Pneumologji. Jam përgjegjëse e bronkoskopive, një procedurë që bëjmë këtu sa i përket tumoreve.
Blendi Fevziu: A vjen shpesh në Shqipëri?
Meridiana Dodaj: Po vij shpesh. Njëherë në vit ose dy herë në vit.
Blendi Fevziu: Ka komunitet shumë të madh në Perugia?
Meridiana Dodaj: Po ka goxha. Ka shumë shqiptarë që vijnë edhe në spital. Ka edhe shqiptarë që vijnë nga Shqipëria për të bërë diagnoza të ndryshme këtu. Jemi goxha.
Blendi Fevziu: Si është jeta aty në krahasim me jetën në Shqipëri?
Meridiana Dodaj: Jeta këtu është pak a shumë si në Shqipëri. Kemi një jetë më të qetë, por ka ndryshime dhe aq më tepër mjekësia është ndryshe. Kam provuar që të vij dhe atje, por përsëri këtu jam komplet e integruar. Kam edhe bashkëshortin që është mjek, është italian.
Blendi Fevziu: A e mendon ndonjëherë kthimin në Shqipëri?
Meridiana Dodaj: Kthimin në shqipëri, varet. Të vij me periudha mbase.
Ndërkohë sa i përket faktit të fluksit të italianëve në Shqipëri Dodaj shprehet se kjo është sepse bregdeti i Shqipërisë është shumë i bukur si dhe çmimet janë të favorshme.
“Ngaqë plazhet janë shumë të bukura, plus që është afër dhe çmimet janë më të arsyeshme”, shprehet Meridiana Dodaj.
/tvklan.al