Beni Pango, një pastor shqiptar i besimit baptist që jeton prej vitesh në SHBA, është i angazhuar me përkthimin e Biblës në Gjuhën Shqipe.
Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Beni Pango thotë se për përkthimin e Biblës po përdorin një filozofi tjetër, atë që ai e quan fjalë për fjalë.
E për këtë arsye, vjen shpesh në Shqipëri kohët e fundit pasi po punon me kishën baptiste në Tiranë.
Gjatë emisionit, ai zbuloi edhe një surprizë, që në rreshtat e Biblës përmendej edhe Shqipëria, më saktë me emrin Iliria siç njihej dikur.
“Unë vij çdo 2 vjet, por tani vij çdo vit për shkak të procesit që kam që përkthej Biblën. Ka shumë përkthime të Biblës, ka shumë përkthime të pjesshme dhe të plota në shqip dhe të gjitha janë të vlefshme dhe kanë vlerën e tyre për kohën që janë bërë. Unë po bëj një përkthim me një filozofi komplet ndryshe nga shumica e tyre. Filozofia që përkthejmë ne zakonisht edhe ti kur përkthen ose të përkthejnë ty, të dëgjojnë, ti flet, edhe kuptojnë çfarë po thua ti dhe me fjalët e tyre thonë çfarë the ti, një filozofi përkthimi që quhet mendim pas mendimi. Domethënë, ti dëgjon, kupton dhe e përkthen me fjalët e tua. Filozofia e Biblës pro nuk është mendim pas mendimi, është fjalë për fjalë, ky është ndryshimi që sjell projekti i ri i përkthimit Bibla pro. Është fjalë për fjalë nga origjinale dhe do të jetë edhe origjinali i bashkangjitur aty.
Ky është vargu ku përmendet Shqipëria. Fjalë për fjalë do të thotë: “Në fuqi shenjash dhe çudirash, në fuqi të frymës së Perëndisë, kështu që nga Jeruzalemi përreth e deri në Iliri kam pas përmbushur Ungjillin e Krishtit”.
Pra në Bibël, në tekstin origjinal është fjala Iliri. Iliria siç njihej e gjitha atëherë. Janë të parët tanë”, u shpreh Beni Pango.
/tvklan.al