#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Një tjetër çështje që u trajtuar këtë të hënë në “Opinion” lidhet me çështjen e TIMS. Një çështje për të cilën është ngritur edhe një komision parlamentar, e bërë publike fillimisht me një deklaratë të SHBA në Tiranë, e që për një kohë të gjatë u përgënjeshtrua, u deklaruar që nuk ekzistonte. Më pas u pa që diçka kishte ndodhur. Ka ndodhur kopjimi i një sasie të madhe të të dhënave të sistemit TIMS, në të cilën mendohet që janë marrë të gjithë të dhënat e dokumenteve biometrik të shqiptarëve që kanë hyrë e kanë dalë jashtë. Kopjimi është bërë nga një drejtues i Policisë së Shtetit, por është denoncuar nga vetë kjo e fundit. Prokuroria e ka gjetur fajtor dhe e ka çuar çështjen në gjykatë. Çfarë ka ndodhur realisht? Përse janë kopjuar këto të dhëna?

“Gati sa nuk janë nxjerrë pistoletat për t’u vrarë”, Dervishi zbulon çfarë ndodhi me vjedhjen në TIMS

Vjedhja e të dhënave në sistemin TIMS ishte një nga çështjet që u diskutua në emisionin “Opinion” këtë të hënë. Aktualisht askush nuk di të thotë çfarë të dhënash janë kopjuar dhe ku kanë shkuar ato.

Një nga gazetarët e parë që ka denoncuar këtë rast ka qenë Ferdinand Dervishi.

Ai zbuloi një detaj të rëndë në studion e emisionit ku tha se gati sa nuk janë nxjerrë pistoletat mes atyre që donin të mbronin të dhënat e shqiptarëve dhe atyre që tentonin t’i merrnin ato.

Dervishi u shpreh se për të realizuar këtë skenar janë marrë njerëz të jashtëm pasi vetë punonjësit e policisë kanë refuzuar që të bashkëpunonin.

“Kam bërë një postim në Facebook në datën 4 Gusht 2023. Ngjarja ka ndodhur në datat 2 dhe 3 Gusht. I vënë sigurisht me ato lidhjet në polici më thanë që ka ndodhur një gjë shumë e madhe. Ka filluar diku në orët e para të pasdites të datës 2 dhe ka vazhduar deri në orën 10 të datës tjetër që bëhen 20 orë. Pati reagim zyrtar që thanë që nuk është e vërtetë. E vërteta ishte aty. Për 20 orë në Policinë e Shtetit është bërë një ndërhyrje në sistemin TIMS, aty gati sa nuk kanë nxjerrë pistoleta për t’u vrarë me njëri-tjetrin njerëzit që donin të mbronin pasurinë e shqiptarëve dhe të dhënat e shqiptarëve dhe njerëzit që po tentonin për t’i marrë ata. Janë marrë njerëz nga jashtë sepse vetë punonjësit e policisë refuzuan të bashkëpunonin. Janë marrë njerëz civilë nga jashtë dhe një nga këta që është marrë është me të shkuar penale shumë të rëndë në Itali dhe është realizuar ajo që tani është nën hetim. Ne nuk dimë konkretisht çfarë është vjedhur, por dimë që ka pasur një tentativë sipas dokumenteve që kanë dalë tashmë për të kopjuar me përzgjedhje në sistemin TIMS, që rrëzon idenë e backup-it…”, u shpreh Dervishi.

Sistemi TIMS është sistemi ku shënohen të dhënat e të gjithë personave që hyjnë dhe dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë.

/tvklan.al