#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Denisa Kele, Glidona Daci, Besnik Muçi, Fatjon Kadillari,Tomi Kallanxhi, Ferdinand Dervishi

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan këtë të enjte paneli i të ftuarve diskuton sa i takon kriptomonedhave. Kriptomonedhat janë një term mjaft i dëgjuar, por shumë të paktë janë personat të cilët kanë njohuri të sakta rreth kësaj fushe. Çfarë janë bitcoin-in apo monedhat e tjera që po qarkullojnë? Pse Trump emetoi një kriptomonedhë të vetën e cila menjëherë hyri të tregun e kriptomendhave? Të gjitha këto pikëpyetje marrin përgjigje mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion”.

Krimi investon në lingota ari, ish-prokurori: Do jetë si koshere bletësh, do gërmojnë njerëzit se ku është

Vëllezërve Çopja iu sekuestruan së fundmi 10 milionë Dollarë kriptovaluta. Por jo vetëm kaq. Ata dyshohet se kanë edhe lingota ari të cilat nuk janë sekuestruar ende nga SPAK.

Ish-prokurori Besnik Muçi thotë se këto janë dy format, më e vjetra dhe më e reja ku investon krimi.

“Janë dy format, është forma më e vjetër në botë dhe forma më e re. Lingotat e arit [më e vjetra] kanë disa vjet që qytetërimi ruan pasurinë në lingota ari, në ar. Forma e re është kriptovaluta. Të dyja këto janë forma mjet shkëmbimi”, tha Muçi.

Ai u shpreh se nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë, që krimi investonte në 40 kilogramë lingota ari.

“Do jetë si koshere bletësh, do vijnë njerëzit të gërmojnë tani ku është ari. 40 kile ar i pastër”, tha ai.

Sa i përket kriptovalutave, Muçi tha se krimi tërhiqet nga kjo formë pasi është e vështirë të identifikohet nga agjencitë ligjzbatuese.

“Ata e dinë mirë që agjencitë ligjzbatuese sidomos në Shqipëri, une di që s’jemi ende të përgatitur të bëjmë hetime të kësaj natyre. Edhe në rang global është shumë e vështirë për t’u zbuluar pasuria në kriptovalutë nga agjencitë ligjzbatuese. Jam i sigurt. Kapjet që bëjnë agjencitë ligjzbatuese duhet të jenë shumë minore, minimale në raport me vlerën që qarkullon”, tha Muçi.

Duket si USB, eksperti sjell në studio ‘portofol bitcoini’. Fevziu: Sa milion ke aty?

Teksa vlera e tyre sa vjen e rritet, pak dimë për kriptomonedhat. Pikërisht për këtë u diskutua mbrëmjen e sotme në “Opinion”. Së pari çfarë janë, si transferohen e deri te krijimi i një portofoli me to. Ky i fundit mund të mbajë nga 1 milion deri në 1 miliard $. E sa për ta demonstruar, eksperti Fatjon Kadillari e solli një të tillë në studio.

Besnik Muçi: Kush është kjo shoqëri exchange-i që bën këto ndërmjetësimet? Si mundet prokurori t’ja depozitojë, t’ja lërë në përdorim ose në ruajtje një portofol monedhash prej 10 milion euro një exchange të caktuar?! Si ja jep një exchange aty te rruga apo lagjia?!

Blendi Fevziu: Po se kuptojmë ne…Mirë e bllokoi këtë portofolin shteti, kush i merr këto 10 milionët?

Besnik MuçiPo s’u kthyen, do bëjë pazar shteti..

Blendi FevziuShihe, shihe ky është!

Fatjon Kadillari sjell portofolin e tij në studio

Blendi Fevziu: Sa million ke këtu?

Fatjon Kadillari: Ky është thjesht për demonstrim.

Blendi FevziuKy është portfoli yt ë?

Fatjon Kadillari: Në momentin që bëhen kontrollet nga pikat e policisë, atëherë të gjithë kontrollojnë për lekë cash dhe askush nuk kontrollon për këto.

Paratë e krimit, Dervishi: Ervis Martinaj kishte sasi të madhe kriptomonedhash kur u kap. Politikanët blejnë bizhuteri

Gazetari Ferdinand Dervishi u shpreh se Ervis Martinaj në momentin që është kapur i është hapur edhe celulari ku ka pasur një sasi shumë të madhe parash të fshehura në kriptomonedha.

“Një detaj tjetër, por kjo është në bazë të informacioneve që më vijnë mua. Ervis Martinaj në momentin që është kapur i është hapur celulari dhe ka pasur një sasi shumë të madhe të hollash të fshehura në kriptomonedhë. Me një fjalë pëshpëritet që ia kanë përvetësuar edhe këtë shumë të madhe. Nëse në Bitcoin do ishte 100 milionë euro para dy vjetësh tani është bërë 400 milionë euro”, tha Dervishi.

Gazetari tregoi se krimi në Shqipëri një sasi të parave e ruan në kriptomonedha, por operojnë me para në cash. Sa i përket politikanëve, ai tha se investojnë në bizhuteri sapo u bien në dorë para.

“Në dijeninë time të shkëputura andej këndej, krimi e cilëson Shqipërinë, ata banda të vjetra, kryetarë bandash që kanë bërë lekë në Shqipëri, një sasi të madhe të lekëve e kanë në kriptomonedha. Kjo e Çopjave ta jep që 10 milionë u kapën në kriptomonedha, 130 u kapën cash. E shikon distancën se ku është? Po në dijeninë time ata i mbajnë aty, nuk është se punojnë me to. Së shumti punojnë me cash. Politikanët nuk blejnë lingota, blejnë bizhuteri, pafund. U bie në dorë të themi 50 mijë euro dhe i bëjnë direkt bizhuteri të shtrenjta”, tha Dervishi.

Do “shfaroset” paraja cash? 10 milion kërkesa në sekondë për ‘monedhën e Trump’

Sonte në studion e “Opinion” u diskutua lidhur me kriptomonedhat dhe vlerat e tyre marramendëse. Sipas ekspertes Denisa Kele, synimi i Presidentit të Amerikës Donald Trump është që paraja fizike të zhduket nga qarkullimi dhe të gjithë tregun global ta dominojë pikërisht kjo lloj monedhe.

Trump lançoi pak kohë më parë edhe bitcoinin që mbante emrin e tij, për të cilën qenka bërë nami jo vetëm në botë, por edhe në Tiranë!

Denisa Kele: Ideja e Trump dhe të gjitha lëvizjeve që ai po bën, të çon në idenë që në vitet e ardhshme, qeveria amerikane dëshiron që paranë fizike ta heqë nga qarkullimi. Dhe unë shikoj që të gjithë investitorët e fuqishëm në kripto, ata që kanë shumë vite nuk tërheqin më para, e gjithë kjo qarkullon brenda rrethit të  portofoleve të tyre. Bleva ‘Trump-in’ unë… (kriptomonedha që emetoi Presidenti amerikan)

-Sa bleve?

Denisa Kele: Bleva pak. Ishte shumë e vështirë për ta blerë.

-Pse?

Denisa Kele: E para nga Shqipëria nuk futeshin dot fare personat e rinj që duan të investojnë, për shkak të kartave bankare, por ne kemi portofol ekzistues dhe kemi pasur më të lehtë. Ishte e vështirë edhe globalisht. Për të blerë monedhën Trump në momentin që u lançua, 36 orë që ndodhi kishte 1 mijë e pak përqind rritje dhe kishte kërkesa për ta blerë, 10 mln kërkesa në sekondë!

-10 milion veta në sekond donin të blenin monedhën e emetuar nga Trump?!

Denisa Kele: Dhe kjo bëri që të bllokohej i gjithë rrjeti.

Tomi Kallanxhi: Duhet ta themi që edhe në Tiranë është bërë nami. Mua më kanë marrë mbi 100 veta në telefon…

“Bitcoin përdoret për pastrim parash”, Dervishi zbërthen skemën e grupeve kriminale

Ditën e djeshme SPAK njoftoi se kishte sekuestruar lingota ari dhe një shumë të madhe të kriptomonedhave nga një grup kriminal në Elbasan. Ky veprim ngjalli shumë pikëpyetje në opinion publik sesi SPAK, policia dhe autoritete e tjera ligjzbatuese mund të sekuestrojnë kriptomonedhat.

Lidhur me këtë, gazetari Ferdinand Dervishi i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan “zbërtheu” skemën që përdorin grupet kriminale, por dhe politikanët për të pastruar paratë e përftuara nga aktivitete të paligjshme.

Edhe pse në Shqipëri bitcoin është legal, mënyra e përdorimit të tij për pastrim parash duket se paska shumë “kleçka”. Duke nisur që nga exchange-t, personat e infiltruar dhe deri tek qarkullimi global i kriptomonedhave. Dervishi shpjegoi me hollësi gjithë “rrengun” që përdoret në Shqipëri.

Ferdinand Dervishi: Shqipëria e ka legale nëse ti futesh në sisteme të ligjshme dhe punon në mënyrë të ligjshme. Problemi është që Shqipëria nuk e ka legale për sa kohë atje futet fitim, do të të taksojë. Ti kur i bën këto transaksione nuk i lë asgjë shtetit, këtu tek ne exchange-t e thjeshta të cilat janë në shërbim të bankave janë kthyer në exchange për bitcoin e shumë të tjera. Nuk funksionon kështu, në Europë dhe në botë ato janë exchange vetëm për këtë punë. Pra këta personat që u arrestuan punon në të zezë. Ka dy mënyra në Shqipëri, krimi dhe politika janë të interesuar që paratë e tyre të paligjshme t’i pastrojnë sepse politikani mund të marrë 1 milionë dollarë bakshish për një gjë dhe nuk e justifikon dot.

Këto para tentohen që të pastrohen përmes bitcoin. Në Shqipëri do të kontaktosh një person në të zezë që e merr përsipër këtë punë që ka lidhje me jashtë. Jashtështetit janë kryesisht këto exchange-t që bëjnë këtë punë. Tani si funksionon një exchange. Ato janë si agjencitë turistike të cilat depozitojnë në bankë një shifër shumë të madhe lekësh për të biletat e avionit dhe exchange-t e licencuara bllokojnë nëpër banka një numër shumë të madh parash që të punojnë me bitcoin. Ato shesin bitcoin, pra personi në të zezë që ia merr politikanit apo krimit këto lekë për t’ia pastruar që në fillim fillon me zbritje. Dhe si pastrohet?! Në momentin që ato blihen ka një pjesë tjetër që merret nga shuma jote e parave fillestare sepse këtu quhet pjesa e pastrimit. Po të bëhet në mënyra të tjera klasike që është bërë në Shqipëri, shkon dhe gjysmë me gjysmë transferimi. Këtu jemi përsëri me fitim sepse merret më pak.

Blendi Fevziu: Domethënë ti thua që ai që ja merr krimit apo një aktiviteti të paligjshëm paratë që t’ia pastrojë merr një përqindje.

Ferdinand Dervishi: Po tani çfarë ndodh. Këta persona marrin përsipër që kjo të mos gjurmohet më se si e ke ti. Për t’i bërë të pagjurmueshme ata i futin në një proces që e ndajnë këtë shumë dhe i fusin në qarkullim global të tyre dhe kur ato vijnë, vijnë me kode të ndryshuara. Që nëse gjurmohet ai bitcoin të dalë i pastër. Pra ky është procesi i pastrimit ato nuk janë më të gjurmueshme.