#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Ditën e premte agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan një kontroll në banesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kjo ngjarje mbajti pezull vëmendjen e publikut ditën e premte, teksa është shoqëruar me një sërë pikëpyetjesh e aludimesh. Deri tani nuk ka detaje të shtuara apo të dhëna të tjera përveçse se një njoftim zyrtar të SPAK, ku sqaron nëse ka pasur një kontroll të plotë apo të pjesshëm. Nga ana tjetër vetë kryebashkiaku Veliaj ka pasur një deklarim ku sqaron arsyet e ushtrimit të kontrollit të banesës së tij. Siç bëhet e ditur deri tani ai është vetëm nën hetim pasuror dhe kontrollet nuk kanë të bëjmë me ndonjë çështje tjetër. Kjo temë, e cila ka ngjallur mjaft interes në opinion publik diskutohet këtë të hënë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.
Të ftuar: Eugen Beci, Klodiana Lala, Preç Zoga, Fatjona Mejdin
Kur kryhet kontroll banese? Avokati sqaron juridikisht rastin e kryebashkiakut Veliaj
3 ditë më parë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan në banesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit ndodhej jashtë vendit të Premten, ndërsa SPAK tha përmes një njoftimi zyrtar se “janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”.
Teksa ende nuk ka një akuzë zyrtare ndaj Veliajt, sonte në “Opinion” avokati Eugen Beci sqaroi nga ana juridike se kur kryhet kontroll i banesës dhe kur kufizohet jeta apo liria e një personi.
“Këtu është kakofonia që duhet sqaruar nga Prokuroria e Posaçme duke ruajtur sekretin hetimor. Këtu është edhe thelbi i ndryshimit të madh procedurial. Në rast se kemi procedim penal ne nesër do kemi masa sigurimi, do presim njoftime akuzash, do presim rast konkret. Në rast se kemi procedim penal i cili ka të bëjë vetëm me verifikimin e kushteve të fitimit të pasurisë dhe mënyrës si e ke krijuar pasurinë atëherë faqja e mëparshme e këtij vendimi, duhet të na tregonte se cila është akuza që po hetohet kryetari i bashkisë së Tiranës. Se në të kundërt, procedimi penal kur ushtrohet kontroll banese ose kontroll personal, patjetër duhet të kemi dyshim se personi i lidhur me të ose vetë ai ka kryer një vepër penale dhe është i dyshuar për veprën penale. Në rast se është vetëm hetim pasuror, maksimalja që do ndodhë është vetëm që të kesh dyshime ose indicie që personi e ka kryer një veprimtari kriminale dhe më pas t’i konfiskosh pasurinë. Kurse procedimi penal sjell pasoja edhe për jetën e lirinë e personit. Dyshimin duhet ta kesh të autorizuar. SPAK duhet të thotë që po unë kryetarin e bashkisë po e hetoj për këtë vepër penale”, tha Beci.
Kujtojmë se Veliaj në reagimin e tij theksoi se i mbështet hetimet ndaj tij apo familjarëve në çdo hap, duke shtuar se nuk bën pjesë në kastën e vjetër politike. Kjo e fundit sipas tij, e vë veten mbi ligjin e drejtësinë.
Lala e thotë me bindje, për çfarë po hetohet Veliaj
Ditën e premte agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan një kontroll në banesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj (Lexo më shumë). Kjo ngjarje mbajti pezull vëmendjen e publikut ditën e premte, teksa është shoqëruar me një sërë pikëpyetjesh e aludimesh.
Deri tani nuk ka detaje të shtuara apo të dhëna të tjera përveçse se një njoftim zyrtar të SPAK, ku sqaron nëse ka pasur një kontroll të plotë apo të pjesshëm. Nga ana tjetër vetë kryebashkiaku Veliaj ka pasur një deklarim ku sqaron arsyet e ushtrimit të kontrollit të banesës së tij.
Siç bëhet e ditur deri tani ai është vetëm nën hetim pasuror dhe kontrollet nuk kanë të bëjmë me ndonjë çështje tjetër.
Kjo temë, e cila ka ngjallur mjaft interes në opinion publik u diskutua këtë të hënë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.
Gazetarja Klodiana Lala e cila ishte e ftuar në studio deklaroi se kryetari i Bashkisë së Tiranës po hetohet nga SPAK për veprën penale të korrupsionit.
“Kam arritur të kem akses tek disa nga dokumentet. Po hetohet për veprën penale të korrupsionit. Nuk di ta them nga ku derivon, por në dokumentet që i janë dorëzuar avokatëve, por edhe personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces në mënyrë direkte apo indirekte, vepra penale mbi të cilën po hetohet, deri në këto momente është vepra penale e korrupsionit. Kaq mund të them sepse nuk kam realisht më shumë informacion. Duke qenë se ka disa çështje ndaj zotit Veliaj dhe rolit të tij ka derivuar nga një çështje tjetër, këtë mund të konfirmoj. Se cila është çështja bazë, këtë nuk mund ta them, por di që ky hetim po kryhet për veprën penale të korrupsionit”, tha Lala.
Gazetarja bëri me dije se në kuadër të procedimit penal, prokurori i posaçëm, Ols Dado, i është drejtuar gjykatës dhe ka marrë autorizimin për të ushtruar disa kontrolle banesash, ambientesh, por edhe kontrolle personale. Sipas saj me vendimin e gjykatës është urdhëruar të bëhet kontroll personal i zonjës Ajola Xoxa, ku edhe i është sekuestruar celulari. Më pas janë kontrolluar edhe ambiente në qendrën “Harabel” dhe te “Galeria” ku janë sekuestruar kontrata, fatura dhe blloqe.
“Ka disa kontrolle, janë disa urdhra, nuk është vetëm një. Janë disa vendime për kontrolle. I pari ka qenë kontrolli personal i bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zonjës Ajola Xoxa, të cilës i është vendosur sipas vendimit të gjykatës t’i sekuestrohet telefoni i saj celular. Telefoni konsiderohet në kuptim të ligjit kontroll personal. Vendimi i Gjykatës së Posaçme është i tillë, i kërkuar nga prokurori i posaçëm, t’i sekuestrohet celulari personal zonjës Ajola Xoxa. Oficerët e BKH-së janë paraqitur tek dera e banesës sepse është bashkëshortja e zotit Veliaj. Duke qenë se banesën e kanë të përbashkët, kanë qëndruar 1 orë e 40 minuta, në mos më shumë në pritje, nuk janë lejuar të hyjnë brenda derisa kanë shkuar persona që zonja Xoxa i konsideronte të besuar. Zonja Xoxa ka thënë që duhet të vinte personi i autorizuar, në rastin konkret është paraqitur 1 orë e 40 minuta më vonë, avokati Shkëlzen Selimi, që ka qenë në rastin konkret i besuari i zonjës Xoxa për të kryer veprimet hetimore. Në momentin që ka përfunduar ky kontroll ose më saktë ky kontroll personal, kanë shkuar në ambientet e qendrës “Harabel” dhe te “Galeria”. Janë dy ambiente të ndryshme në kuptim të ligjit. Janë marrë kontrata, fatura, blloqe”, tha Lala.
Gazetarja Lala sqaroi se sipas vendimit të gjykatës, agjentët “kanë marrë materiale të konsideruara të vlefshme në kuptim të ligjit”. Sipas saj përveç kontratave janë sekuestruar edhe një shumë e konsiderueshme parash.
“Te “Harabeli” pasi janë marrë të gjitha këto që thashë, kontrata, fatura është bërë edhe sekuestrimi i një shume të konsiderueshme parash”, tha Lala që tha se nuk e di shumën.
Më pas, siç shpjegoi gazetarja Lala, është ushtruar kontroll në banesën e vëllait të kryebashkiakut Veliaj, Arbër Veliajt, i cili nuk është gjetur në Tiranë, pasi ka qenë në Vjenë te bashkëshortja e tij.
“Është bërë kontrolli tek Rezidenca “Kodra e Diellit”. Është kontrolluar një banesë në Qerret, po ashtu në pronësi të Arbër Veliajt. Janë kontrolluar ambientet e kompanisë së tij dhe aty janë marrë dokumente, kompjuterë dhe të dhëna që mendohet se janë mjete për kërkimin e provës dhe të dhëna që mund t’i shërbejnë hetimit”, tha Lala.
Sipas gazetares, e vetmja pjesë e vendimit që nuk është ekzekutuar ka të bëjë me celularin personal të Arbër Veliajt. Por siç ka mësuar gazetarja nga avokati i këtij të fundit, vëllai i kryebashkiakut është i gatshëm që ta dorëzojë celularin në dispozicion të hetimeve.
Lala sqaroi për publikun se avokatët kanë pretenduar që nuk kanë qenë të specifikuara sendet për t’u sekuestruar dhe kjo sipas tyre lë shteg për interpretim, prandaj do ta ankimojnë.
Nga ana tjetër, SPAK thotë se kontrolli ka qenë konform ligjit. Siç thotë Lala, SPAK nuk i ka specifikuar sendet për t’u sekuestruar sepse hetuesi në momentin që hyn në një ambient dhe konstaton një provë që mund të jetë vendimtare, mund ta sekuestrojë atë.
Ndërkohë avokatët e familjarëve të kryebashkiakut Veliaj reaguan live në “Opinion”.
“Nga avokatët e familjarëve të zotit Veliaj, që duhet të jetë vëllai…Thotë nuk ka akuzë ende! Madje nuk dimë nëse është shënuar emri si person nën hetim apo jo. Nuk dimë cili është personi i hetuar”, thuhej në mesazhin që u dërgua live në emision.
Avokatët e familjes së Veliajt reagojnë live për “Opinion”
“Nuk ka ende akuzë dhe informacion se cili është personi nën hetim”, është ky reagimi i avokatëve të familjarëve të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Mesazhin e tyre e lexoi këtë të Hënë drejtuesi i “Opinion” Blendi Fevziu.
“Nga avokatët e familjarëve të zotit Veliaj, që duhet të jetë vëllai…Thotë nuk ka akuzë ende! Madje nuk dimë nëse është shënuar emri si person nën hetim apo jo. Nuk dimë cili është personi i hetuar”, thuhej në mesazhin që u dërgua live në emision.
Edhe pse kanë kaluar 3 ditë që kur agjentët e BKH-së shkuan në banesën e Veliajt, ende nuk ka një detaj më shumë zyrtarisht për këtë rast. SPAK ka njoftuar më herët se “janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”.
Nisur nga rasti i Veliajt, ish-prokurori citon ligjin: Akuza çon në hetim pasuror!
Ligjërisht, hetimi pasuror nuk shkon te akuza. Kështu ka deklaruar mbrëmjen e sotme në “Opinion” ish-prokurori Eugen Beci. Nisur nga rasti i kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Beci sqaroi se nuk mund të kryhet kontroll në banesë pa pasur indicie për një vepër penale, bazuar në prova. Sipas tij, hetimi pasuror që është aluduar se po kryhet ndaj Veliajt, ka dy elementë nga ana ligjore.
Eugen Beci: Nga akuza shkohet te hetimi pasuror, jo e kundërta. Në rast se prishet kjo balancë, duhet të bëjë kujdes çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë. Vettingu është tjetër dhe hetimi pasuror është tjetër. Hetimi pasuror vetëm dy elementë ka, ose të jesh i dyshuar për kryerjen e një liste veprash penale që parashikon ligji antimafia…
-Që janë?
Eugen Beci: Janë terrorizmi, trafiqet, korrupsioni, ushtrim i ndikimit të paligjshmërisë. Dyshimi ku mbështetet? Në regjistrimin e emrit në regjistrin e veprës penale, në njoftimin e akuzës, në kryerjen e një procesi të tërë që mund të nxjerrë të pafajshëm, por jo se nuk ekziston fakti, por se nuk provohet. Përsëri hetimi pasuror ndaj teje vazhdon. Pika tjetër e më kryesore, në rast se je i dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë për këto vepra penale, në çdo shtet të rruzullit tokësor. Nuk është dyshimi te oficeri i lagjes që thotë Blendi vishet bukur dhe duhet ta hetojmë.
Teksa pritet që SPAK të dalë me një njoftim të dytë, më të detajuar e konkret mbi këtë rast që ka bërë bujë, aludimet janë të shumta. Gazetarja Klodiana Lala deklaroi me bindje sonte në studio se Veliaj po hetohet për korrupsion.
Ndërkohë përmes një mesazhi, avokatët e familjes së Veliajt theksuan se “nuk ka ende një akuzë zyrtare apo informacion se cili person po hetohet”.
/tvklan.al