Të ftuar:
Hashim Thaci – Presidenti i Kosovës
Erl Murati – Gazetar
Mirela Milori – Gazetare
Prenc Zogaj – Analist
Elvis Iljazaj – Gazetar
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë një deklaratë të fortë nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan. Kreu i Shtetit të Kosovës deklaroi se në vitin 2002 një kryeministër nga Shqipëria i ka shkuar në zyrë dhe i ka ofruar planin e ish kryeminsitit serb Zoran Dindiç (Gjingjiç).
“Një nga kryeministrat e Shqipërisë më ka ofruar në vitin 2002 projektin e Gjingjiç për ndryshime dhe unë e kam larguar nga zyra. Më ka sjellë planin e Gjingjiç për ndarjen e Kosovës. Plani ka qenë: Përfshirja e pjesës veriore deri tek ura e Ibrit dhe një pjesë të Kabenicës. Kishte vetëm ndarje të Kosovës. Një kryeminstër i Shqipërisë ka ardhur në emër të kryeministri Gjingjiç, është adresa e gabuar, i thashë, shko në vend tjetër”, u shpreh, Thaçi.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka treguar se çfarë bisedoi me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin në takimin e shkurtër që pati me të në Paris në Nëntor 2018 në ceremoninë e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Thaçi u shpreh se e pyeti Presidentin Putin cili do të jetë pozicioni i Rusisë në rast se arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Thaçit, Presidenti Vladimir Putin i ka thënë se do ta mbështesë këtë marrëveshje dhe nuk mund të jetë më serbë se vetë serbët.
“Pa asnjë ndërmjetësim, përmes këshlltarit tim dhe të Presidentit Putin është organizuar një komunikim në një hapësirë të Elysee ku kanë qenë Presidenti Trump, Macron… Kemi biseduar bashkarisht. E kam pyetur shumë hapur. Cili është pozicioni yt nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje përfundimtare? Tha Rusia nuk del kundër një marrëveshje të tillë. E tha shumë qartë, ‘ne nuk mund të jemi më serbë se Serbia’. Së paku ne po flasim”, u shpreh Presidenti kosovar Hashim Thaçi.
Korrigjimi i kufijve të Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës janë dy terma që kanë ndarë në dy kampe politikën në Shqipëri dhe Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka sulmuar ashpër ish-Kryeministrin Sali Berisha, pasi ky i fundit e ka akuzuar atë si “Argat të Beogradit”.
“Mëkate të mëdha” ka bërë Berisha, tha Presidenti Thaçi, duke iu referuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa sa i përket qëndrimit që mban Sali Berisha duke kundërshtuar shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, Presidenti Thaçi e konsideron ish-Kryeministrin shqiptar “gërmadhë të politikës”.
Hashim Thaçi: “Z.Berisha nuk ka patur guximin të kundërshtonte idenë për shkëmbimin e territoreve nga z.Rugova. Z.Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj UÇK dhe këto mëkate kanë qenë paralele të luftës në terren kundër shqiptarëve dhe propagandës së ashpër për UÇK terroriste. Në vitin 1999 unë kam shkuar në zyrën etij dhe pastaj kemi patur një komunikim normal. Kur jam zgjedhur Kryeministër, kemi pasur respekt reciprok.
Shpreh keqardhje për gjendjen e tij emocionale si një gërmadhë për skenën e politikës shqiptare. Nëse dikush mendon që dialogu Kosovë-Serbi ka qenë i dëmshëm, mendoj se është shumë naiv. Për arsye se ka qenë transparent. Unë jam vetëm për korrigjim të padrejtësive historike. Ky është pozicioni im”.
Ndryshimi i kufijve të Kosovës është nga temat më të nxehta politike të muajve të fundit, në Kosovë, Serbi, por edhe Shqipëri. Por kush e ideoi marrëveshjen që mund të çonte në shkëmbim territoresh? Kësaj pyetje nëse ideja ka qenë e Vuçiç, Mogherinit, apo e Thaçit, Presidenti i Kosovës, ju përgjigj nga studioja e emisionit “Opinion” duke thënë se ideja ishte e tij.
“Është qesharake të mendohet se ideja se përfshirja e Medvegjës, Preshevës dhe e Bujanovcit përmes një procesi të korrigjimi të kufijve të jetë e Vuçiçit, apo e ndokujt tjetër. Është fat që të gjitha regjistrime e takimeve të mia si President i Kosovës në zyrën time me liderët e Medvegjes, Preshevës dhe Bujanovcit janë të regjistura. Edhe ata janë në në favor të një korrigjimi. Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike duke përfshirë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin në territorin e Kosovës është e imja. Jam angazhuar në Samitin e Berlinit dhe sot, nesër, dhe jetësisht jam i vendosur. Po të flitet që ideator është Vuçiç është naivitet i madh. Vuçiç nuk ka prezantuar plan për Kosovën, në idetë e tyre është ndarja e Kosovës. E theksoj se kjo kërkon përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Dallimi në mes shkëmbimit të territoreve që ka qenë ide e liderëve të caktuara shqiptarë dhe idesë sime për korrigjim ka dallim shumë të madh. Kurrë nuk kam pranuar shkëmbimin e territoreve”, deklaroi Presidenti, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi këmbëngul se ideja e tij është për korrigjimin e kufijve të Kosovës, duke marrë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.
Ndërsa ai kundërshton idenë e shkëmbimit të territoreve. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Presidenti Hashim Thaçi siguroi se nuk do të lejojë kurrë që të preket territori i Kosovës.
“Luftë mund të ketë, por cënim të territorit të Kosovës jo”, u shpreh ai.
“Askush zyrtarisht nuk e ka hapur diçka të tillë por nuk do të lejoj që të jem në tavolinën ku të diskutohet për ndarje të territorit të Kosovës. Unë jam Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Luftë mund të ketë, por cënim të territorit të Kosovës jo. Ndarje jo, as sovranitet të dyfishtë jo dhe as ndonjë pretendim për krijim të Republikës Spërska“, u shpreh Presidenti kosovar Hashim Thaçi.
9 Maj, dita e mbylljes se luftes se II Boterore!