Opozita nisi sot bojkotin e pjesshëm edhe të komisioneve parlamentare, si pjesë e aksionit të saj të mosbindjes civile, ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji.
Vetëm Jorida Tabaku dhe Edi Paloka morën pjesë në mbledhjen e komisionit për Çështjet Europiane, ku është diskutuar për draft Pozicionin Negociues për Grupimin e parë të kapitujve “Themelorët”, për negociatat për antarësimin në BE.
Që në nisje të mbledhjes së komisionit, Jorida tabaku kritikoi punën e qeverisë, ndërsa tha se PD mbështet avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Jorida Tabaku, deputete e PD: Nuk mund të kemi Shqipëri perëndimore kur mungon demokracia, sundimi i ligjit, ndërkohë që opozita sulmohet politikisht. Politika shkon e vjen, ky proces është për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Deklarata që ka pasur politika dhe opozita e djeshme për këtë proces sigurisht nuk do ta dëgjoni nga opozita e sotme.
Edi Paloka, deputet i PD: Jemi detyruar të pranojmë para shqiptarëve se Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson sot asnjë nga kushtet që kërkon sot Bashkimi Europian.
Deklaratat e opozitë shkaktuan reagime nga maxhoranca. Kreu i grupit parlamentar të PS-së Niko Peleshi e cilësoi deklaratën e Tabakut politike.
Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar të PD: Kjo deklaratë politike do t’ju lutesha qytetarisht të paktën këtu jo, të mos kemi marrje peng të mikrofonit dhe të vazhdojmë me deklarata politike duke injoruar atë që pritet sot nga ne.
Shumica qeverisëse shpreson që opozita të mos shkojë deri në bojkot.
Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar të PD: Ne do të kemi vetëm një linjë, që të zbatojmë detyrimet kushtetuese, detyrimet ndaj mandatit. Unë shpresoj që të mos shkojmë në skenarë që janë provuar edhe më parë të jenë të pasuksesshëm, e kam fjalën këtu për bojkotin apo bllokime të natyrës së dhunshme.
Opozita ka lajmëruar një protestë mbarë kombëtare më 7 Tetor në orën 18:00 që do të nisë para Kryeministrisë dhe do të shpërndahet në të gjitha rrugët.
Klan News