Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se ura e Ibrit duhet të hapet në një moment të përshtatshëm dhe në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, në mënyrë që hapja e saj për qarkullimin e automjeteve të jetë e përhershme. Thotë se SHBA-ja nuk është kundër hapjes së urës.
Vjosa Osmani: Janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel, të cilat kanë paraparë hapjen e urës.
Kërkon koordinim me aleatët ndërkombëtar.
Vjosa Osmani: Dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta, të përzgjidhet momenti më i volitshëm në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm.
Ndërsa i quan raciste deklaratat e zëdhënësit të BE-së që hapja e urës të zgjidhet në dialogun me Serbinë.
Vjosa Osmani: Nuk ka çfarë të pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Dialog me Serbinë për këtë temë, nuk do të duhej të pranonte askush.
Ditë më parë, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se planifikon që “statusin” e urës së Ibrit në Mitrovicë ta vendosë në axhendën e takimit të ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi.
Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.
Tv Klan