Rrjeti i njohur televiziv do t’i paguajë Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump 15 mln Dollarë pasi paditi këtë media për shpifje. Shuma që duhet t’i paguhet Trump u arrit pas një marrëveshje që grupi mediatik bëri me Presidentin e zgjedhur për të përfunduar kështu edhe përballjen gjyqësore mes palëve.
Trump, i cili ngriti një padi në Gjykatën Federale në Mars, pretendoi se gazetari George Stephanopoulos kishte shpifur kur tha se ai ishte përgjegjës për përdhunimin e shkrimtares amerikane, Elizabeth Jean Carroll. Kjo e fundit doli publikisht në vitin 2019 me pretendimin se Trump kishet abuzuar seksualisht me të në mesin e viteve 1990 në një dyqan luksoz në Manhatan.
Megjithatë, Trump u shpreh në atë kohë se ai nuk e kishte njohur kurrë Carroll dhe e akuzoi atë për mashtrim me qëllimin për të shitur librat e saj duke shtuar se “ajo nuk ishte tipi që i përshtatej atij”.
Si pjesë e marrëveshjes, rrjeti televiziv ra dakord gjithashtu të shtonte një shënim në fund të një artikulli të Marsit që shprehte keqardhjen e gazetarit për atë që ai tha gjatë një interviste me Nancy Mace, një anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve.
Kjo shënon një fitore të rrallë ligjore të Trump ndaj mediave. Presidenti i zgjedhur gjithashtu ka një padi në pritje kundër CBS News, ndërsa më herët paditi The New York Times dhe Washington Post.
Klan News