Të paktën 43 persona mbetën të plagosur të martën në Ferizaj të Kosovës. Shkak u bë shpërthimi i një bombole gazi në një restorant që ndodhej në një qendër tregtare.
14 prej të plagosurve morën dëmtime më të rënda, megjithatë fatmirësisht nuk raportohet që të jenë në rrezik për jetën.
Radio Evropa e Lirë sjell pamjet pas këtij shpërthimi të fuqishëm. Siç mund të shihet dëmet e shkaktuara janë të mëdha. Autoritetet në Kosovë kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje, që për momentin mbeten të paqarta.
Ndërkohë, dëshmitarë përshkruan momentet nga shpërthimi i fuqishëm.
“Ishim afër diku 10-15 metra. Dëgjuam një shpërthim shumë të madh. Në atë moment elementet e shitoreve u rrëzuan. Pamë afër një shitore dy vajza të reja dhe një grua. Ishin shumë të shokuar. Bërtisnin nga frika. Njëra ishte e lënduar. Unë isha me mbesat e mia. U afruam në ndihmë dhe i nxorrëm nga lokali sipas mundësisë. Njërën e kemi dërguar në spital, ndërkaq tjetrës i kemi dhënë ndihmë pesë deri në 10 minuta sepse ishte e shokuar, derisa u afrua një person dhe e dërgoi me makinë në Spitalin e Ferizajt“, tha një dëshmitar për Klan Kosovën./tvklan.al