Fitorja e Friedrich Merz mund të trondisë aleancën transatlantike. Pa marrë ende mandatin për formimin e qeverisë së re që i takon si drejtues i kristiandemokratëve që u renditën të parët në zgjedhjet parlamentare të dielës, Merz sinjalizoi lëkundje të fuqishme mes aleatëve perëndimorë, në një debat televiziv pas-zgjedhor ku shigjetoi presidentin amerikan Donald Trump.

“Amerikanët, më saktë një grup i tyre, qeveria, janë në përgjithësi indiferentë për të ardhmen e Europës”.

Këtë e lidh me paralajmërimet e Donald Trump-it se nuk do të jetë më garant i sigurisë së Europës, siç Shtetet e Bashkuara kanë qenë që pas Luftës së Dytë Botërore. Ndaj dhe Merz kërkon që Europa të mos i varë më shpresat për sigurinë tek Washington-i.

“Për mua, prioritet absolut do të jetë fuqizimi i Europës sa më shpejt të jetë e mundur, hap pas hapi. Mund t’ia dalim të jemi të pavarur nga Shtetet e Bashkuara”.

Washington-in, aleatin e deritanishëm, Merz e krahason me Moskën armike.

“Jemi në një presion aq të madh nga të dyja palët sa prioriteti im absolut do të jetë bashkimi i vërtetë i Europës”.

Lideri i kristiandemokratëve gjermanë shprehu bindjen se qeveria e re e drejtuar prej tij do të jetë gati para Pashkës Katolike më 20 Prill. Aleatë pritet të kenë socialdemokratët.

Tv Klan