Policia merr në mbrojtje familjen e 26 vjeçares Adjola Lakra. Ajo u arrestua ditën e djeshme pasi dyshohet të ketë bashkëpunuar me vrasësit e Hekuran Billës.
Ishte Lakra, sikurse pretendon prokuroria, që nxorri në pritë 41-vjeçarin mbrëmjen e 11 Qershorit. Ato druhen se mund të ketë një konflikt të mundshëm mes familjarëve të Billës me ato të 26-vjeçares.
Burime për Klan Plus thonë se e reja ka mohuar të ketë dijeni për planin e vrasjes. Megjithatë ajo ka shtuar se për shkak të miqësisë që kishte me Sebastiano Malin, i ka treguar atij të gjitha lëvizjet, kundrejt parave, por pa ditur qëllimin që 22-vjeçari ka pasur.
Adjola Lakra është njohur me Billën vetëm 4 ditë pasi ai doli nga burgu i Fushë-Krujës. Kontaktet e para kanë qenë përmes Instagramit. Billa dispononte një adresë me emrin lanbilla, me një numër të lartë ndjekësish.
Pasi u bënë miq në këtë rrjet social dhe shkëmbyen disa mesazhe u takuan. Vajza ka treguar se me Hekuranin nuk kishte një lidhje të vazhdueshme, por frekuentoheshin herë pas here kur Hekurani vinte në kryeqytet.
Edhe mbrëmjen e 11 Qershorit e kishin lënë për t’u takuar në zonën e Komunës së Parisit. Për të vërtetuar përfshirjen e Adjola Lakrës në këtë ngjarje hetuesit janë ndihmuar nga dëshmitë e mikeshave të 26-vjeçares, të cilat faktojnë njohjen e saj me Billën.
Provë kyç është bërë edhe dëshmia e një punonjësi të një biznesi që jep makina me qira, i cili ka thënë se ka parë 26-vjeçaren së bashku me Sebastjan malin disa ditë pas krimit.
Vajza ka treguar për policinë se nuk ka pasur asnjë dijeni për planin e vrasjes dhe kur mësoi se Hekuran Billa ishte vrarë kishte mbyllur çdo rrjet social dhe kishte ndërruar numrin e telefonit.
Pas arrestimit të mikut të saj Sebastiano Mali ajo ishte zhvendosur nga Tirana në Berat, ku jetonte në banesën e një shoqeje aty ku edhe u arrestua.
Gazetare: Aida Topalli
Klan Plus