“Njihem me Malin, por nuk e ndihmova për vrasjen e Billës”
Kjo është 26-vjeçarja Adjola Lakra, që dyshohet se nxori në pritë Hekuran Billën për t’u ekzekutuar, në zonën e Komunës së Parisit dhe tashmë do qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Tiranës, ndërsa e reja ka mohuar të ketë bashkëpunuar me ish-të dashurin e saj, Sebastian Malin, të arrestuar bashkë me dajën e tij Viktor Marku për vrasjen e 40-vjeçarit mbrëmjen e 11 Qershorit. Edhe avokati i saj, mohon që 26-vjeçarja ka bashkëpunuar me autorët për të kryer ekzekutimin.
“Të vetmet prova janë vetëm deklarimet e saj të sakta dhe të sinqerta. Nuk ka qenë në dijeni të vrasjes. Nuk ka telefonuar ajo ditën e vrasjes, por e kanë telefonuar. Nuk është paguar nga Viktor Marku, nuk është paguar dhe nuk ka marrë para.”
Adjola Lakra u arrestua tre ditë më parë, me akuzën e vrasjes për shkak të gjakmarrjes, të kryer në bashkëpunim. Përballë hetuesve ajo ka pranuar njohjen me Sebastian Malin, nipin e Prel Markut që u vra nga Billa në 2006-n në Angli, ku ka treguar se ka qenë e lidhur me të 2 vite më parë.
Mësohet se ka qenë pikërisht Mali, që para se të ndahej nga e dashura e tij, i ka dërguar ftesë Hekuran Billës duke përdorur Instagramin e 26-vjeçares. Më pas e reja ka krijuar një lidhje dashurie me Billën dhe prej Nëntorit të 2019-s takohej shpesh me të në zonën e Komunës së Parisit, atje ku ndodhi edhe ekzekutimi.
26-vjeçarja ka mohuar të ketë telefonuar të dashurin e saj, por ka qenë ky i fundit që i kërkoi ditën e ngjarjes të takoheshin në lokalin që frekuentonin prej kohësh në afërsi të vendit të ngjarjes. Hetuesit kanë dyshime se Lakra është përdorur nga Viktor Marku dhe Sebastian Malin, për vëzhguar të lëvizjet e Hekuran Billës dhe më pas për ta ekzekutuar.
Tv Klan