Grupi Parlamentar i PD i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e kryetarit socialist të Bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj, sipas ligjit të dekriminalizimit. Në shkresën e firmuar nga 16 deputetët të PD, thuhet se nga informacionet që disponohen nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka dyshime se Tonin Marinaj, ka kryer veprimtari të paligjshme.
Sipas demokratëve, në datën 5 Qershor të vitit 2015, Drejtoria Rajonale Antimafia, e Prokurorisë së Italiane, pranë Gjykatës së Firences ka njoftuar mbylljen e hetimeve paraprake ndaj personave të hetuar, ku rezulton se shtetasi Tonin Marinaj, është në rolin e themeluesit dhe drejtuesit të një organizatë kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me baza vepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale.
Grupi Parlamentar thotë në shkresën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme se përfshirja e kryetarit të Bashkisë së Malësisë së Madhe në trafikun e lëndëve narkotike është provuar edhe nëpërmjet përgjimeve telefonike të kryera nga drejtësisa italiane.
Mbështetur në këto të dhëna të pretenduara, Grupi Parlamentar i PD, kërkon verifikim të thelluar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj Tonin Marinajt dhe gjetjet që do të dalin nga ky verifikim t’i dërgohen SPAK për nisjen e hetimeve për fshehje të të dhënave në formularin e vetëdeklarimit apo veprimtari të tjera kriminale.
Klan News