Zgjedhja e Donald Trump ka sjellë ndryshime në Amerikë dhe jo vetëm, pa hyrë ende në Zyrën Ovale. Shembulli më konkret është Meta. Një javë më parë themeluesi i Facebook, njoftoi heqjen e kontrolluesve të fakteve. Këtë të premte, doli sërish me një tjetër vendim.
Zuckerberg tha se do t’i japë fund menjëherë edhe programeve për diversitetin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen, të njohura shkurtimisht, si DEI. Kjo ka të bëjë me praktikat e punësimeve në gjigandin teknologjik.
Në një memo të brendshme nga Meta pranohej se “peizazhi ligjor dhe politikat për diversitetin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen në Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë”. Po ashtu foli për vendimet e fundit të Gjykatës Supreme dhe pikëpamjen që shumë njerëz kanë për programet DEI si koncept.
Memoja në fjalë u raportua fillimisht nga Axios dhe Business Insider. Të njëjtën gjë Meta e konfirmoi edhe për The Guardian, por nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar se si ky vendim lidhet me qëllimet e kompanisë për gjithëpërfshirjen.
Siç shkruajnë mediat, në memo, Janelle Gale, zv/presidente e Burimeve Njerëzore, shkruante se kompania do t’i japë fund disa programeve të ndryshme që adresonin grupet minoritare, që janë përdorur për të promovuar praktikat e punësimit.
“Mungesa e diversitetit të racave dhe gjinive njihet prej kohësh në Silicon Valley”, shkruan The Guardian.
Po sipas raporteve të Meta-s, kompania dyfishoi numrin e punonjësve me ngjyrë dhe hispanikë dy vite para qëllimit që i kishte vendosur vetes. Por sipas njoftimit të ri, Meta nuk do të përdorë më praktika të tilla specifike punësimi. Kompania po i jep fund programeve të saj edhe për trajnimin e kapitalit dhe gjithëpërfshirjes dhe në këtë mënyrë po shpërbën një grup që ishte fokusuar mbi programet DEI. Ndryshimi do të prekë edhe furnizuesit.
“Përpjekjet aktuale fokusoheshin në bizneset në pronësi diverse, por duke shkuar më tej ne do të fokusojmë përpjekjet tona në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe mesatare që fuqizojnë ekonominë tonë. Mundësitë do të vazhdojnë të jenë të disponueshme për të gjithë furnizuesit e kualifikuar, duke përfshirë edhe ata që ishin pjesë e programit divers të furnizuesve”, thuhej në memo.
Në këtë mënyrë Zuckerberg afirmon se po i bashkohet të tjerë drejtuesve të Silicon Valley, për të pasur marrëdhënie të rehatshme me Donald Trump. Meta ka dhuruar 1 milion Dollarë për inaugurimin e Trump më 20 Janar. Gjatë kësaj jave, aleati i Trump, Dana White, presidenti dhe CEO i UFC-së u vendos në bordin e kompanisë.
Meta është vetëm një prej shumë kompanive që po i jep fund programeve DEI. Para saj këtë rrugë e morën Walmart, Ford dhe Lowe’s./tvklan.al