Meta po braktis përdorimin e kontrolluesve të pavarur të fakteve në Facebook e Instagram të quajtur me gjuhën teknologjike “fact-checkers”. Në vend të tyre, gjigandi teknologjik do të përdorë modelin e platformës “X” , ish-“Twitter”, në ato që njihen si shënimet e komunitetit ku komentimi mbi saktësinë e postimeve i lihet në dorë përdoruesve.

Në një video të publikuar të martën, shefi ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, tha se moderatorët e palëve të treta janë “të ndikuar shumë politikisht” dhe se “është koha që t’i rikthehemi edhe njëherë rrënjëve tona në lidhje me shprehjen e lirë”.

Joel Kaplan, i cili po zëvendëson Sir Nick Clegg si kreu i çështjeve globale të Meta-s, tha se besimi i kompanisë mbi moderatorët e pavarur kishte qëllim të mirë, por shpesh rezultoi në censurimin e përdoruesve. Por nga ana tjetër, aktivistët kundër gjuhës së urrejtjes online kanë reaguar të shqetësuar dhe pretendojnë se në fakt ky ndryshim lidhet me të qenit në krahun e Donald Trump.

“Njoftimi i Zuckerberg është një përpjekje flagrante për të qenë komod me administratën e ardhshme Trump”, tha Ava Lee, nga Dëshmitarët Globalë, një grup aktivistësh të cilët kërkojnë llogari mbi kompaninë gjigande teknologjike.

“Pretendimi për të shmangur censurën është një lëvizje politike për të shmangur marrjen përgjegjësi për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin që platformat inkurajojnë dhe lehtësojnë”, shtoi ajo.

Imitim i “X”

Programi aktual për kontrollin e fakteve në Meta u prezantua në 2016-ën. Zakonisht organizata private referojnë postimet që mund të jenë të rreme ose dezinformojnë. Në këto postime, të shënjuara si të pasakta, ka disa opsione ku shikuesit mund të shikojnë se pse informacioni është i pasaktë dhe Facebook vendos që t’i vendosë më poshtë në “feed”-in e përdoruesit.

Kjo metodë tashmë do të zëvendësohet me shënimet e komunitetit, fillimisht në SHBA. Meta thotë se nuk ka plane që t’i reflektojë menjëherë ndryshimet në Bashkimin Europian. BBC pyeti kompaninë se cili është synimi për Mbretërinë e Bashkuar, por deri më tani Meta nuk është përgjigjur.

Sistemi i ri, të cilin gjigandi teknologjik thotë se e ka parë të punojë në X, përfshin njerëz të pikëpamjeve të ndryshme duke rënë dakord mbi shënime dhe duke shtuar kontekst ose sqarime mbi poste që krijojnë diskutime. Fondacioni Molly Rose në Mbretërinë e Bashkuar e përshkroi këtë vendim, si një “shqetësim madhor për sigurinë online”.

“Ne po sqarojmë me urgjencë spektrin e këtyre masave, nëse do të aplikohet edhe për përmbajtjet me vetëvrasje, vetëdëmtim apo me depresion. Këto lëvizje mund të kenë pasoja të tmerrshme për shumë fëmijë dhe të rinj”, tha Ian Russel, president i fondacionit.

“Lëkundje radikale”

Meta njoftoi se do të “zhbënte misionin” për rregullat dhe politikat, duke theksuar heqjen e kufizimeve mbi subjekte që përfshijnë “emigracionin, gjininë dhe identitetin gjinor” duke shtuar se këto çështje kanë nxitur diskutime politike dhe debat.

“Nuk është e drejtë që gjërat mund të thuhen në televizor apo në Kongres, por jo në platformat tona”, njoftoi Meta.

Këto ndryshime vijnë pak ditë para se Donald Trump të inaugurohet president më 20 Janar.

Trump ka qenë kritik i madh i Meta-s dhe qasjes së kompanisë ndaj kontrollit të fakteve, duke e quajtur Facebook-un, “armik të popullit” në Marsin e 2024-ës. Por marrëdhëniet mes Trump dhe Zuckerberg u rregulluan në Nëntor kur të dy darkuan në rezidencën e presidentit të zgjedhur në Mar-a-Lago. Meta gjithashtu dhuroi një fond prej 1 milion dollarësh për inaugurimin e Donald Trump.

“Zgjedhjet e fundit ndihen gjithashtu si një pikë kthese kulturore drejt, edhe një herë, prioritizimit të fjalës së lirë”, tha Zuckerberg në video.

Po ashtu vendimi për të zëvendësuar Sir Nick Clegg me Kaplan, një demokrat liberal, interpretohet si sinjal i lëvizjes së qasjes së firmës drejt moderimit dhe ndryshimit të politikave. Kate Klonick, ndihmës profesoreshë në Universitetin Saint John tha se ndryshimet reflektojnë një trend që “dukej i pashmangshëmn vitet e fundit, sidomos pasi Musk mori X”.

“Kontrolli privat i fjalës së lirë në këto platforma është bërë shpesh një çështje politike”, tha ajo.

Ndërkohë që më parë kompanitë janë përballur me presion për të ndërtuar mekanizma besimi dhe sigurie për t’u marrë me çështje si ngacmimi, gjuha e urrejtjes dhe dezinformomi, tashmë është duke u zhvilluar një “lëkundje radikale në drejtimin e kundërt”, tha Klonick./tvklan.al