Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka zhvilluar në Ankara bisedime me homologun e tij turk Hakan Fidan ku në qendër të diskutimeve ishte lufta në Ukrainë.

Lavrov u shpreh se Moska nuk do të ndalojë së luftuari derisa të arrijë atë që kërkon përmes negociatave.

“Presidenti Putin ka deklaruar qartë se ne jemi gati të negociojmë me Ukrainën, me Evropën, me çdo përfaqësues që dëshiron të ndihmojë në arritjen e paqes. Por ne do t’i ndalojmë luftimet vetëm kur këto negociata të japin një rezultat të fortë, të qëndrueshëm që është i pranueshëm për Federatën Ruse”, tha Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus vuri në dukje se në negociatat e mbajtura në Stamboll në vitin 2022, u vendos që Ukraina të mos ishte anëtare e NATO-s, të mos kishte baza ushtarake të huaja në vend dhe të merrte garanci ndërkombëtare për sigurinë.

Ai theksoi se këto pika mund të përdoren si bazë në marrëveshjen e ardhshme për paqen.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u shpreh se Ankaraja mund të presë sërish bisedimet për arritjen e paqes mes dy vendeve.

“Ka një iniciativë të nisur nga SHBA që synon t’i japë fund luftës përmes negociatave. Kjo situatë është në përputhje me politikën që kemi ndjekur që nga fillimi i luftës. Ne i kushtojmë shumë rëndësi nismës së re si një qasje e orientuar drejt rezultateve. Besojmë se zgjidhja mund të arrihet përmes negociatave në të cilat do të marrin pjesë të dyja palët. Ne jemi të gatshëm të presim bisedime siç kemi bërë më parë”, tha Hakan Fidan.

Me ardhjen në pushtet të Presidentit Trump, janë rritur shpresat për arritjen e një marrëveshje që do i jepte fund luftës në Ukrainë.

Klan News