Një avion i vogël me gjashtë persona në bord u rrëzua në një lagje verilindore të Filadelfias duke shkaktuar një shpërthim të madh, i cili i vuri flakën disa shtëpive.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit, avioni sapo ishte nisur nga Aeroporti Verilindor i Filadelfias për në Springfield, Misuri kur u rrëzua.

Avioni u rrëzua në një lagje pranë qendrës tregtare Roosevelt vetëm pak çaste pasi u largua nga pista ajrore rreth orës 18:07 me kohën lokale.

Sekretari i sapo konfirmuar i Transportit, Sean Duffy sqaroi se në bord ishin katër anëtarë të ekuipazhit, një paciente e vogël dhe shoqëruesi i fëmijës.

Pacientja ishte një vajzë e vogël nga Meksika, e cila sapo kishte përfunduar trajtimin mjekësor dhe ishte rrugës për në shtëpi kur avioni u rrëzua.

Autoritetet amerikane sqarojnë se nuk ka të mbijetuar nga ky aksident ajror dhe theksojnë se emrat e personave në bord nuk do të publikohen derisa anëtarët e familjes të njoftohen.

Klan News