Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një lidhje direkte në Klan News me gazetarin Besart Jacaj teksa u ndal tek ngjarja e “Banjskës” u shpreh se tashmë është e qartë që përfshirja e Serbisë në këtë akt është e pakontestueshme.
Hoti gjatë fjalës së tij u shpreh se menaxhimi i çështjes së sigurisë ka degraduar, duke e kthyer tashmë Kosovën në çështje të sigurisë në tavolinat e ndërkombëtarëve dhe jo në një vend që ka aspirata drejt integrimeve euroatlantike.
Avdullah Hoti, ish-Kryeministër i Kosovës: Besoj që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë një punë profesionale në ngritjen e padisë për këtë rast. E dyta aleatët tanë gati njëzëri i kërkojnë Serbisë që të dorëzojë fajtorët për këtë rast. Unë shpresoj që të çojmë presionin nga ana e aleatëve tek Serbia që të dorëzohen këto persona dhe të vijojë procesi. Një gjë është e qartë që përfshirja e Serbisë në këtë akt tashmë është e pakontestueshme. Unë mendoj që sa më larg të qëndrojnë njerëzit e politikës nga komentimi në çështjen e rendit dhe të drejtësisë, është më mirë. Unë nuk besoj që zoti Kurti kupton përgjegjësië profesionale që ka Prokuroria për të mbledhur të gjitha provat dhe evidencat.
Besoj që situata atje në menaxhimin e çështjeve të sigurisë ka ndryshuar, ka degraduar sepse është fakt që trupat e KFOR në atë pjesë janë rritur krahasuar me para sulmit, në atë pjesë të vendit. Kjo nuk është mirë për situatën e sigurisë dhe të rendit në vend. Sepse ne kemi punuar për vite të tëra në bashkëpunim me aleatët që Kosova në sytë e aleatëve të mos jetë çështje e sigurisë, por të jetë çështje e një vendi që ka sfida të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik. Në njëfarë kemi arritur me veprime të caktuara që ta heqim Kosovën nga radari i një vendi me probleme të sigurisë dhe ta kthejmë në një vend që ka sfida në sigurimin e njohjeve të reja në mënyrë që të ecim drejt integrimeve euroatlantike.
Fatkeqësisht vitet e fundit mungesa e koordinimit në hapat që ka marrë qeveria e Kosovës sado të drejtë që janë nga aspekti Kushtetues kjo mungesë në ndërmarrjen e këtyre hapave e ka kthyer Kosovën në çështje të sigurisë dhe ky besoj është mesazhi kryesor që duhet të kemi parasysh.
Sa iu takon paralajmërimeve nga zyrtarë të Kosovës se forcat serbe janë duke përgatitur një sulm tjetër në Kosovë, ish-Kryeministri i quajti të papërgjegjshme.
Avdullah Hoti, ish-Kryeministër i Kosovës: Besoj që janë totalisht të papërgjegjshme. Unë jami bindur se informatat e inteligjencës janë më të sigurta se nga aleatët. Edhe kur këto informata pranohen nga krerët e shtetit të Kosovës ajo që duhet të ndodhë është përgatitjet e nevojshme brenda institucionit të sigurisë dhe bashkërendimi i aktiviteteve me aletatë dhe jo përdorimi i tyre për qëllime politike siç po përdoren.
Ish-Kryeministri, Hoti u ndal edhe tek marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtar ku u shpreh se bashkëpunimi i Kosovës me këta të fundit është në pikën më të ulët ndonjëherë, që nga shpallja e Pavarësisë.
Avdullah Hoti, ish-Kryeministër i Kosovës: Unë personalisht si ish-Kryeministër, deputet tani dhe si qytetar i vendit tim më vjen keq që vendi im merr mesazhe jo të mira nga aleatët tonë si Gjermania që mund të përjashtohemi nga “Procesi i Berlinit” që është procesi i vetëm formal i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ose përjashtimi nga CEFTA, ose mesazhet e sotme që ambasadori amerikan i dha në Prishtinë. Duket pa asnjë dyshim që bashkëpunimi i Kosovës me aleatët është në pikën më të ulët ndonjëherë qëkur është shpallur pavarësia e Kosovës. Degradimi në procesin e dialogut krijon një pasiguri për të ardhmen me implikime edhe sociale edhe ekonomike në Kosovë dhe në rajon. E mira është që Kosova tani është e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s, nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, prezenca e KFOR.
Mungesa e fokusit në zhvillimet e brendshme, sigurimin e njohjeve, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare kanë krijuar një situatë të pashpresë dhe po vuajmë pasojat e një kolapsi ekonomik dhe demografik me ikjet masive.
Në të gjitha veprimet kemi pasur të drejtë Kushtetuese e ligjore, por të gjitha mund të kenë sukses nëse bëhen në koordinim me aleatët ndërkombëtar. Të kemi parasysh që kur unë sonte jap këtë intervistë në mbrëmje, ushtarët e KFOR janë në kufi, jo forcat e sigurisë së Kosovës. Ende nuk e kemi ngritur kapacitetet e nevojshme që ne vetë të ruajmë kufirin. Ne na duhet koordinim i ngushtë me aletatë tanë ndërkombëtar, nuk ka qasje tjetër dhe çdo politikan që ka qasje tjetër e ka gabim dhe ne jemi duke i parë pasojat./tvklan.al