Elisabeth Grezda është një shtetase amerikane që prej gati 20 vitesh jeton në Shqipëri. Ajo është drejtuese e projektit “MamiCare Albania”, i cili prej disa vitesh operon në Shqipëri përmes “Fondacionit Spitalor të Nënës dhe Fëmijës”, tek Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.

“MamiCare Albania” ofron kurse prenatale edukimi, për nënat dhe baballarët e rinj për kujdesin e fëmijës pas lindjes dhe sesi prindërit e rinj të përgatiten emocionalisht e fizikisht për ndryshimet që do të sjellë ardhja në jetë e një fëmije.

Në studion e “Rudina” në Tv Klan Elisabeth Grezda tregon se sa i vlefshëm është ky kurs dhe se çfarë mësojnë çiftet e reja, duke nisur që nga ndërrimi e pelenave, larja dhe veshja e foshnjes.

“MamiCare ka lindur në vitin 2019 si projekt. Ne inkurajojmë që çiftet të marrin pjesë gjatë 3 mujorit të fundit të lindjes. Kurset që japim janë lindja, si të përgatitesh për një lindje natyrale dhe një lindje cezariane. Pastaj i përgatisim për pjesën pas lindjen, lehonia dhe kujdesi për foshnjen. Janë gjëra që në përgjithësi nuk i dimë, lexo sa të duash, por janë disa gjëra që ne nuk i dimë. Nuk dimë se cili informacion të vlen më shumë. Gjithashtu përgatisim nënat edhe për gjidhënien që nganjëherë është një sfidë e madhe, por që është shumë e rëndësishme. Mësojmë edhe se si lahet apo vishet bebi. Është një kurs që është argëtues nga njëra anë, por dhe mjaft i rëndësishëm nga ana tjetër. Si të kujdesemi për pjesën e kordonit, temperaturën e dhomës, apo se si të mos mbi veshim bebin.”

Elisabeth Grezda tregon se ky kurs ka marrë një popullaritet të shtuar vitet e fundit. Duke bërë krahasimin me vitet e kaluar, është rritur dhe numri i baballarëve që shoqërojnë partneret e tyre dhe që marrin pjesë. Mes batutash ajo tregon se nëse më parë baballarët dilnin me pretekstin për të pirë një kafe dhe nuk ktheheshin më në klasë tani janë bërë më të angazhuar dhe më të shkathët.

“Pjesa më e madhe është për të lidhur çiftin bashkë në këtë punë. Kur janë bashkë me një profesionist, atëherë ka vlerë më të madhe që të jenë bashkë në këtë udhëtim. Interesi është i madh. Në fillim ka qenë vetëm me mamatë, ose mund të vinte shumë rrallë vetëm një baba. Mund të rrinte për 15 minuta, fillonte pastaj pjesa e lindjes që ishte shumë e sikletshme dhe dilte për një kafe dhe nuk kthehej më. Por, tani muajin e fundit sidomos, ishin të gjithë baballarët prezentë në klasë. Jo vetëm prezentë, por dhe shumë të angazhuar me pyetje shumë të mira. Dhe ishin më të shpejtë se mamatë./tvklan.al