Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë përfundoi këtë të diel, procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme të 6 Tetorit. Rezultati pritet të certifikohet brenda 24 orëve, afat që i lihet kandidatëve dhe partive politike për të paraqitur ankesa pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Propozime.
“Përpara se KQZ të bëjë certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve merr konfirmimin nga ana e panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje e cila është në shqyrtim. Kur të kemi këto konfirmime, si institucion mund të procedojmë për certifikimin e rezultatit përfundimtar”.
Pas rinumërimit të votave në 1408 vendvotime, pjesë e Kuvendit të ri të Kosovës do të jetë edhe koalicioni NISMA-AKR, të cilët pritet të kenë 6 deputetë përfshirë Fatmir Limajn dhe Behgjet Pacollin. Por hyrja në Kuvend e këtij koalicioni i shkakton probleme Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilave u tkurret numri i deputetëve nën 61 që janë votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
Vetëvendosjes dhe LDK-së u duhet ndihma e grupimeve të tjera parlamentare, teksa ato kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Listën Serbe. Albin Kurti njoftoi në Facebook se ka marrë mbështetje të pakushtëzuar nga tre deputetë të pakicave jo-serbe, duke e çuar kështu në 60 numrin e mbështetësve për qeverinë e tij në Kuvendin e ri.
Tv Klan