Burime nga seanca në Apelin e Posaçëm bëjnë me dije se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka kundërshtuar provat e reja nga SPAK. Veliaj pretendon se Prokuroria e Posaçme ka përgjuar një muaj bisedat familjare që sipas tij kanë të bëjnë me intervistat në media.

Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por ju keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen. Interesimin tim për intervista në televizionet kryesore”, mësohet të ketë thënë kryetari i bashkisë.

Në seancën e së Martës (që zgjati 7 orë), nuk u lejua pjesëmarrja e avokatit amerikan Joshua Roberts, i cili është pozicionuar me mbrojtjen e kryetarit të bashkisë. Ky i fundit ka kërkuar masë më të lehtë të sigurisë “arrest me burg”, me argumentin se “nuk ka rrezik për prishje provash apo largim nga vendi”.

Kërkesa e Veliajt do shqyrtohet sërish nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Kujtojmë se Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Prej 1 muaji tashmë, Veliaj ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës.

/tvklan.al