Presidenti Donald Trump nënshkroi ashtu sikurse e paralajmëroi dekretin për 25% tarifa ndaj importeve të çelikut dhe aluminit që hyjnë në SHBA, një vendim që mund të rrisë rrezikun e një lufte tregtare me shumë vende.
Tarifat, të cilat do të rrisin kostot e importimit të metaleve në SHBA, vijnë pavarësisht paralajmërimeve për hakmarrje nga disa liderë politikë në Kanada, furnizuesi më i madh amerikan i metaleve si dhe vende të tjera.
Bizneset amerikane të varura nga importet kanë ngritur gjithashtu shqetësime, por Trump ka thënë se planet e tij do të nxisin prodhimin vendas. Ai paralajmëroi se nuk do të kishte përjashtime, duke thënë se po “thjeshtonte” rregullat, të cilat janë vendosur të hyjnë në fuqi më 12 Mars.
“Po thjeshtoj tarifat tona për çelikun dhe aluminin, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë saktësisht se çfarë do të thotë. Është 25% dhe kjo vlen për të gjitha vendet, pa marrë parasysh se nga vjen. Ne nuk duam që kjo të dëmtojë vendet e tjera, por ata kanë përfituar prej nesh për vite”, tha Donald Trump.
Presidenti Trump gjithashtu vendosi një standard të ri, që kërkon që importet e çelikut dhe aluminit të përpunohen në bazë të standarteve të Amerikës së Veriut para se të hyjnë në vend, për të shmangur hyrjen në Shtetet e Bashkuara të çelikut kinezë të përpunuar me standarte minimale.
Grupi lobues për prodhuesit kanadezë të çelikut i bëri thirrje qeverisë kanadeze që të hakmerret kundër SHBA-së. Gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump vendosi tarifa prej 25% për çelikun dhe 10% për aluminin, por më vonë i hoqi për disa partnerë tregtarë, përfshirë Kanadanë, Meksikën dhe Brazilin.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se tarifat e reja do të jenë një shtesë mbi detyrimet ekzistuese për çelikun dhe aluminin.
Ndërkohë, çmimet e aksioneve të prodhuesve kryesorë të çelikut në SHBA u rritën duke u kërcyer gati 20%. Çmimet për çelikun dhe aluminin gjithashtu u rritën, ndërsa dollari kanadez dhe pesoja meksikan ranë.
Klan News