Në zbatim të vendimit të qeverisë, të marrë më 6 Mars për bllokimin e TikTok në Republikën e Shqipërisë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TikTok dhe infrastrukturën e tij dixhitale në territorin shqiptar brenda 13 Marsit.
Nëpërmjet një shkrese, AKEP i ka komunikuar sipërmarrësve të komunikimeve elektronike, se janë bërë veprimet e nevojshme për të bllokuar të gjitha IP e TikTok në territorin e Shqipërisë, bllokimin e DNS të TikTok, si dhe është dërguar lista e gjitha IP dhe domain-eve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare u ka dërguar një email edhe kompanive celulare në vendin tonë që të marrin masat e duhura.
Përdorimi i rrjeteve sociale nga të miturit dhe kryesisht TikTok-u, ka sjellë një sërë problematikash dhe raste të përsëritura dhune te të miturit. Kryeministri Edi Rama ka dekalruar se pjesa më e madhe e prindërve që kanë kërkuar mbylljen e TikTok-ut.
Por sipas ekspertëve, mbyllja e TikTok nuk është zgjidhje, pasi të rinjtë përdorin shumë rrjete të tjera sociale të cilat shfaqin të njëjtat problematika.
Sipas vendimit të qeverisë, aksesi i TikTok në Shqipëri do të mund të rihapet pas 12 muajve, kur të plotësohen kushtet për vendosjen e filtrave mbrojtës për të miturit.
Ndërkohë që opozita mbylljen e TikTok e ka cilësuar si cenim të lirisë së fjalës dhe ka paralajmëruar protestë më 15 Mars, në orën 19:00.
Klan News