Ish-deputeti Astrit Patozi ka thënë në studion e “Opinion” në Tv Klan, se situata që po ndodh në Partinë Demokratike në përplasjen mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës është betejë personale për fronin e selisë blu.
Patozi mori si shembull vendimin e Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi zgjedhjet e 30 Qershorit. Ai u shpreh se pavarësisht vendimeve të gabuara për djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe askush nuk ka kërkuar ndjesë. Sipas Patozit, edhe Berisha ka qenë përgjegjës për djegien e mandateve dhe mosfutjen në zgjedhje.
Ndër të tjera, Patozi konsideron se marrëdhënia Berisha-Basha ka qenë një dashuri e gjatë 17-vjeçare që nuk ka ndodhur kurrë më parë në politikë. Por papritur, ai u shpreh se mes të dyve është kaluar në urrejtje të pafre dhe kjo ka ndodhur pas vendimit të Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar liderin historik të PD.
“Tek e fundit, të gjithë demokratët duhet të kuptojnë dhe unë dua të jem shumë i sinqertë për secilin prej tyre për aq sa kam njohur dhe aq sa më njohin. Kjo nuk është betejë parimore, kjo është një betejë personale qartazi për fronin e Partisë Demokratike. Kjo nuk ka lidhje as me parime, as me mbarëvajtjen e PD dhe as me pushtetin e nesërm. Pse e them këtë? Po e aktualizoj me shembullin që dhatë ju sot. Ka pasur një vendim nga Gjykata Kushtetuese që është një lajm shumë i madh për politikën në përgjithësi. S’ka asnjë reagim. Është një vendim, i cili e ka mbajtur zvarrë për 2 vjet e gjysmë të gjithë spektrin opozitar, por në radhë të parë PD. E ka mbajtur zvarrë se këta në radhë të parë kanë thënë “prit se do ketë një vendim”. “Do të ketë zgjedhje, nuk është ashtu siç duket, megjithëse zgjedhjet mbaruan, megjithëse ata morën pushtetin, megjithëse këta e dorëzuan në tavolinë pushtetin”. Ka ekzistuar legjenda për të ushqyer turmën. Ka ekzistuar gjithmonë legjenda që do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Tani, zgjedhje s’ka! Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i mbylli të gjitha shtigjet dhe as në ëndërr nuk e shikojnë dot më që mund të ikin nga zgjedhjet, atë që bënë. Askush nuk merr përgjegjësi. Duhet të kishte të paktën një ndjesë ndaj demokratëve, ndaj atyre që dorëzuan mandatin. Nuk ka ndjesë. Do thuash ti, po Sali Berisha pse nuk flet? Sepse Sali Berisha është përgjegjës për djegien e mandateve dhe për mosfutjen në zgjedhje. Sepse këta kanë qenë bashkë deri më 9 Shtator. Është një dashuri e gjatë, mund të jetë për libër Guinnes, 17-vjeçare, një flirt politik aq i gjatë, nga 2004 deri në 2021 nuk ka ndodhur kurrë në politikë. Unë nuk di rast tjetër. Jo në Shqipëri? Po as në botë. Papritur kemi kaluar në një urrejtje të pafre”, tha Patozi. /tvklan.al