Kryedemokrati Sali Berisha thotë se në 34 vite, Italia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme. Gjatë fjalës së tij për diasporën në Romë, kryedemokrati shprehet se me suksesin e shqiptarëve që jetojnë në Itali krenohet jo vetëm kombi shqiptar, por edhe ai italian.

Sali Berisha: Ata shqiptarë të asaj kohe dhe të tjerë që mbërritën më vonë me sakrifica dhe punë, ndershmëri, u dëshmuan punëtorë të aftë, dinjitozë, studentë të shkëlqyer, që me suksesin në dheun e tyre të dytë krenohet kombi italian dhe kombi shqiptar. Në 34 vitet e fundit, Italia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme. Italia është vendi ku shqiptarët mësuan më shumë se kudo tjetër “Shkova, pashë, mësova” dhe solla në vendin tim. Unë përulem me mirënjohjen më të madhe para këtij kombi mik, para mijëra italianëve. Projektet e ardhshme do të jenë edhe më të mëdha. Këtu në Romë është selia e aleatit më të vjetër të kombit shqiptar dhe ky aleat është Vatikani. Shpreh mirënjohjen Vatikanit, Atit Papa Françesku për mbështetjen e çmuar që i kanë dhënë dhe i japin kombit shqiptar.

Fjala e kryedemokratit Sali Berisha ka elektrizuar sallën, të cilët janë ngritur në këmbë duke brohoritur emrin e kreut të PD-së.

Sali Berisha: Udhëtimi drejt diasporës, udhëtim drejt mallit, udhëtim i atyre që e nisën jetën e tyre nën zero. Ata që u ndanë me lot me prindërit e tyre, udhëtim që i detyronte ata dhe i përballte me të panjohura të mëdha. Por ky është udhëtimi i atyre që mposhtin çdo vështirësi. Përulem para jush, ju jeni frymëzim për arritjet e njeriut.

/tvklan.al