Nisi sonte në Televizionin Klan Plus emisioni i drejtuar nga Ermira Çausholli “E ardhmja është vajzë”. Një emision që i dedikohet me mesazhe të forta grave, vajzave, nënave, zonjave, motrave, të cilat meritojnë çdo të mirë në jetë.

Një nga historitë e rrëfyera këtë mbrëmje kishte në fokus bullizimin. Bullizimi dhe përbuzja për pamjen fizike janë çështje të cilat kanë ekzistuar dhe vazhdojnë akoma të jenë të pranishme. Segli është një vajzë mjaft e fortë, e cila ka treguar se në moshën e adoleshencës është bullizuar për shkak të peshës. Ajo e ndau me ne këtë histori, për t’i dhënë çdo vajze një mesazh se gjithçka nis nga dashuria që duhet të kemi për veten.

Segli: Unë Mira do tregoj një pjesë shumë të vështirë të jetës sime. Besoj që ka qenë një ndër momentet që kam kuptuar sesa e fortë jam. Bullizimi ndaj obezitetit. Unë kam qenë në moshën e adoleshencës, në moshën 15-16 vjeç. Kam pasur një problem me peshën time, nuk ndihesha rehatë me trupin tim, kam qenë e shëndoshë. Kam qenë gati 110 kilogramë dhe ka qenë një nga momentet që unë e kam vuajtur shumë brenda vetes sime. Pavarësisht se familjarët e mi kanë qenë gjatë gjithë kohës me mua, më përkrahnin, nuk ma vinin në dukje. Por njerëzit janë ndryshe.

Njerëzit jashtë shtëpisë shohin gjatë gjithë kohës, atë çfarë ti tregon në paraqitje. Nuk shohin çfarë ti je brenda. Kjo më ka bërë që të ndryshoj dhe ta ngulis në tru që unë jam e aftë, kam kapacitet dhe forcë të ndryshoj. Këtë e arrita me shumë sakrificë dhe aty kam kuptuar që njeriu i fortë, arrin çdo gjë në jetë. Për mua ky është suksesi më i madh dhe mendoj që gjithë jetën time në qoftë se do më pyesin, përtej gjërave të tjera që mund të arrijë njeriu, kjo do ishte më e madhja për mua./tvklan.al