Stacionet e naftës nuk respektojnë distancën prej 30 metrash

Këto fotografi nuk janë shkrepur në vitet 90’, e as në ndonjë zonë të shkretë ku nuk ka njerëz. Fotografitë dhe planet e filmuara nga kamera e televizionit Klan, janë marrë në mes të ditës në vendet më të frekuentuara të kryeqytetit tonë, në një realitet të cilin ne e jetojmë përditë.

Në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të marrë në datën 22 Korrik të vitit 2014, pikat e karburantit brenda qytetit duhet të respektojnë një distancë prej 30 metrash nga pompa e shpërndarjes së naftës, deri te perimetri i godinave publike apo ndërtesave të tjera ku qëndrojnë më shumë se 50 persona.

“Siç shihet mbrapa meje, kjo pikë karburanti në mes të kryeqytetit, në zonën e ish-Bllokut nuk e ka respektuar këtë distancë duke përbërë një rrezik për komunitetin që jeton këtu pranë”, raporton gazetarja Ola Xama.

Gëzim Hoxha, ekspert për çështjet e zjarrit dhe sigurisë rrugore, thotë në një intervistë për televizionin Klan se depozitat e karburantit, e sidomos ato të cilat kanë në përmbajtje të tyre gaz dhe benzinë kanë rrezikshmëri të lartë nëse ndodh një incident apo shpërthim. Ai thotë se duhet respektuar patjetër distance e vendosur në ligj, si një normë që është e matur nga teknikët për të amortizuar rrezikun në banorët e zonës.

“Këtu ndodhemi në rrugën “Myslym Shyri”. Karburanti mbrapa meje është shumë afër me dy pallate në këtë rrugë. Distanca nga perimetri i tyre nuk kalon as 10 metrat”, raporton gazetarja.

Por këto nuk janë dy raste të izoluara në kryeqytet. Afër ministrisë së Punëve të Jashtme, në kthesën e njohur si “Brryli”, ndodhet kjo pikë karburanti, shumë afër me rrugën interurbane dhe me një pallat shumëkatësh.

Një tjetër karburant afër me zonat e banuara është edhe kjo pikë afër zonës “Ali Demi”. Edhe këtu nuk janë respektuar distancat e vendosura me vendimin e qeverisë të vitit 2014.

“Pika mbrapa meje është shumë afër sheshit Avni Rustemi. Jo vetëm që është afër me zonat e banuara, por pothuajse është ngjitur me rrugën ku kalojnë automjetet”, raporton gazetarja.

Për këtë pikë karburanti, janë hequr barrierat e korsisë së biçikletave, në mënyrë që makinat të hyjnë dhe të furnizohen. Lejimi i pikave të karburantit afër korsive të biçikletave është specifikisht i ndaluar nga Vendimi i qeverisë.

Ekspertët rrugorë thonë se distanca prej jo më pak se 6 metra nga pompa për në rrugët urbane dhe lokale duhet respektuar, përndryshe stacioni i karburantit është burim aksidenti.

Pjesa më e madhe e pikave të karburantit në kryeqytet i i kanë respektuar këto norma, duke përbërë një rrezik për komunitetin që banon përreth tyre. Të vetmin lëshim që bën vendimi i qeverisë është te distanca nga kryqëzimet rrugore, e cila mund të jetë dhe më e ulët.

Licencimi i pikave të karburantit brenda qytetit bëhet nga bashkia, e cila e miraton atë në bazë të një vërtetimi teknik që jep Instituti i Shëndetit Publik.

Në bazë të vendimit të procedurave dhe kushteve për dhënien e licencave të tregtimit të naftës e nënprodukteve të saj, vërtetimi për përmbushjen e këtyre kushteve rinovohet çdo vit, ndërsa autorizimi për hyrje-daljet në rrugë jepet nga enti që merret me rrugët sipas zonës, në këtë rast njësia vendore.

Tv Klan