Më shumë se 300,000 njerëz hodhën votat në ditën e parë të votimit të parakohshëm në Xhorxhia, një shtet kyç në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës në SHBA.
Kjo shifër përbën dyfishin e numrit të votuesve që morën pjesë në ditën e parë të votimit të parakohshëm në zgjedhjet e 2020 midis Donald Trump dhe Joe Biden.
Ekipi i fushatës së Kamala Harris dhe Trump po përpiqet të fitojnë sa më shumë mbështetës në shtetin e Xhorxhias. Trump mbajti një miting të martën në kryeqytetin e shtetit, Atlanta ndërsa Harris pritet t’i drejtohet qytetarëve të këtij shteti të shtunën.
Në vitin 2020, presidenti Joe Biden u bë demokrati i parë që korri sukses që nga viti 1992, një fitore që i atribuohet kryesisht një rritjeje të votuesve me ngjyrë të cilët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë së Xhorxhias.
Vlen të theksohet se votimi i hershëm në Shba është një mundësi që u jepet më shumë njerëzve të mund të votojnë pavarësisht nga kufizimet kohore, puna, udhëtimet ose faktorë të tjerë që mund t’i pengojnë ata të votojnë në ditën e zgjedhjeve, e cila këtë vit është më 5 Nëntor.
Klan News