Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përshendeti sërish planin e Presidentit amerikan Donald Trump që SHBA të marrë kontrollin e Gazës dhe që synon zhvendosjen e palestinezëve.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se propozimi i Trump është një ide e jashtëzakonshme që duhet të ndiqet, shqyrtohet dhe të bëhet.

“Ideja është që palestinezët të largohen dhe le ta bëjnë këtë. Dua të them, çfarë nuk shkon me këtë? Ata mund të largohen. Më pas mund të kthehen. Por duhet të rindërtohet Gaza. Është një ide e jashtëzakonshme, e kam menduar, e kam shqyrtuar sepse mendoj se do të krijojë një të ardhme të ndryshme për të gjithë”.

Gjatë intervistës, Netanyahu tha se Izraeli mbetet i përkushtuar për eliminimin e Hamasit pa përfshirjen e trupave amerikane. Ai theksoi gjithashtu se kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë do të forconte përpjekjet për të kundërshtuar ndikimin e Iranit në rajon.

“Ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë jep një mbështetje të madhe për ata që dëshirojnë të shohin agresionin e Iranit të zmbrapset. Irani nuk ka kurrë armë bërthamore dhe kjo ndikon në të gjithë rajonin. Ajo qetëson shpirtin e izraelitëve e të gjithë atyre që duan të shohin një Lindje të Mesme ndryshe, më paqësore”.

Steve Witkoff, i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, vlerësoi se Rripi i Gazës do të jetë “i pabanueshëm” për të paktën 10 deri në 15 vjet, ndërsa procesi i rindërtimit të marrë formë.

Për shumë analistë, plani i Donald Trump që SHBA të marrë kontrollin mbi Gazën mund të mos ndodhë pasi kërkon bashkëpunimin e shteteve arabe të cilat e kanë refuzuar.

Aleatët perëndimorë të SHBA-së dhe Izraelit janë gjithashtu kundër kësaj ideje. Plani i Trump do të shkelte gjithashtu ligjin ndërkombëtar.

Klan News