Myrto Uzuni është shembulli i sakrificës, sesi një lojtar nga kampionati shqiptar, mund të kalojë dhe të shkëlqejë në kampionatet elitare në Evropë dhe jo vetëm.

Në një intervistë të dhënë së fundmi për klubin amerikan të Austin, ku u transferua në merkaton e dimrit, Uzuni kujton golin që i ndryshoi jetën.

Ai përmend golin e shënuar me fanellën e Laçit, në kualifikueset e Europa League ndaj qipriotëve të Anorthosis. Në një ndeshje të dominuar nga miqtë, vendosi goli i shënuar nga Uzuni me kokë në fund.

“Ishte hera e parë që luanim në kualifikueset e Europa League me Laçin. Në fazën “play off”, jo në grupe.

 Në stadium ishin vëzhgues nga Lokomotiva e Zagrebit për të më ndjekur. Isha në një klub të vogël, por që arriti sukses. Unë luaja si sulmues i krahut të majtë. Në atë ndeshje, skuadra mike e mbajti topin 90% ndërsa ne vetëm 10%.

Vëzhguesit nga Zagrebi më thanë pas ndeshjes se nëse do të veçonin një lojtar, ky do të isha unë. Në minutat e fundit erdhi një kros dhe unë shënova me kokë. Ne fituam 1-0. Ai ishte momenti i jetës sime. Ai moment ndryshoi gjithçka”, deklaroi Uzuni.

Sulmuesi beratas, pas asaj ndeshje u transferua te Lokomotiva Zagreb, për të kaluar më pas te Ferencvaros në Hungari dhe më pas te Granada në Spanjë, aty ku kishte edhe shpërthimin e tij si lojtar.

/tvklan.al